Si pasojë e një orteku dëbore në Brezovicë, humbi jetën zëvendësministri për diasporën në Qeverinë e Kosovës, Arian Daci

Zëvendës ministri për diasporën në Qeverinë e Kosovës, Arian Daci, ka humbur jetën këtë të shtunë si pasojë e një orteku dëbore në Brezovicë.

Arian Daci, zëvendësministër në qeverinë e Kosovës, njëherësh  ishte edhe djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ndërsa është plagosur shoku i tij Ardian Bakalli që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Kryeministri  Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime ish kryeparlamentarit, Daci, ndërkaq ka thënë se është tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë.

“I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, kurse mbeti i lëndur Ardian Bakalli. Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Presidenti, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Daci, për vdekjen e Arian Dacit.

“Me pikëllim të madh kam pranuar lajmin për vdekjen tragjike të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, djalit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe mikut tim, Nexhat Daci. Në këto momente shumë të rënda, si President dhe mik i familjes, në emrin tim dhe qytetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryetarit Daci dhe familjes së tij.”, shkroi Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e zëvendësministrit Arian Daci, në Brezovicë.

Përmes rrjetit social Facebook, Veseli ka thënë se lajmi për vdekjen e djalit të Akademik Nexhat Dacit është tejet pikëllues.

Ngushëllime familjes Daci i ka shprehur edhe Presidenti i9 Shqipërisë Ilir Meta.

“Jam shumë i tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës së zv/ministrit të Diasporës së Kosovës, Arian Daci gjatë tragjedisë në Brezovicë.
Në këto momente të vështira për familjen Daci, të afërmit e miqtë e tyre, u qëndroj pranë, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje tragjike të parakohshme që na ka lënduar të gjithëve”, shkruan Meta.

Arian Daci, 40 vjeçar ka qenë farmacist me profesion, njihej si sikajtor që preferonte shtigjet ekstreme të skijimit.