Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përshëndet dhe mirëpret Marrëveshjen e nënshkruar më 30 janar në Tuz të Malit të Zi mes subjekteve politike Alternativa Shqiptare (ASH), Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) për koalicion parazgjedhor “Forumi shqiptar” në zgjedhjet lokale për Komunën e Tuzit, më 3 mars 2019. Kjo marrëveshje siguron unifikimin e aksionit politik dhe maksimizimin e votës së shqiptarëve, si dhe mundëson përfaqësimin e partive shqiptare me një listë të vetme nën sloganin “Malësia na Bashkon”.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përgëzon drejtuesit e forcave politike të “Forumit Shqiptar“ për vizionin e tyre patriotik dhe demokratik. Arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon rritjen e vetëdijes kombëtare dhe të përgjegjshmërisë politike të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi, duke qenë një shembull frymëzues edhe për forcat politike shqiptare në vendet e tjera të rajonit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e plotë se ky bashkëpunim i shumëpritur do të jetë afatgjatë dhe do të shtrihet edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Mal të Zi. Së bashku këto parti do të përfaqësojnë më së miri interesat dhe aspiratat e shqiptarëve në Malin e Zi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se një faktor i fortë dhe i bashkuar politik shqiptar do t’i shërbejë më mirë integrimit euro-atlantik të Malit të Zi, si dhe forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në këtë vend mik të Shqipërisë.