Forumi Shqiptar dorëzoi listën zgjedhore

Forumi Shqiptar (ASH-LDSH-UDSH) dorëzoi sot listën zgjedhore në Komisionin zgjedhor të Tuzit, për zgjedhjet lokale të 3 marsit

Për zgjedhjet lokale të Komunës së Tuzit, do të garojnë, një listë shqiptare e përbërë nga 3 subjekte politike shqiptare, gjegjësisht koalicioni Forumi Shqiptar “Malësia na Bashkon”, i përbërë nga Alternativa Shqiptare (ASH), Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH) dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH).

Në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit, me listat e veta do të marrin pjesë edhe Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialiste Popullore, Social Demokratët, Mali i Zi Demokratik, dhe Partia Boshnjake.

Bartës i listës i Forumit Shqiptar të koalicionit “Malësia na Bashkon”, është Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, pasuar nga Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare , Këshilli Komunal i Malësisë, Ivan Ivanaj dhe Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Këshilli komunal i Malësisë, Fadil Kajoshaj.

Ndërsa bartës të listave nga subjektet politike malazeze/serbe/boshnjake, do të jenë, nga radhët e DPS-së, Mirza Pepiq, pasuar nga Simon Ivezaj, nga radhët e Partisë Socialiste Popullore bartës i Listës do jetë Kolë Lulgjuraj, pasuar nga Zhelko Miliq, nga radhët e Social-demokratëve, bartës i listës do të jetë Samir Axhoviq, pasuar nga Martin Lulgjuraj, nga radhët e Malit të Zi Demokratik, bartës i listës do të jetë Shtjefën Camaj, pasuar nga Marija Nikçeviq, kurse nga radhët e Partisë Boshnjake, bartës i listës do të jetë Nexhad Dresheviq.

Këto janë zgjedhjet lokale më të rëndësishme në historinë e Malësisë, pasiqë për herë të parë do të mbahen në komunë të plotë, që kur Tuzi, humbi statusin e komunës së plotë në vitin 1957.

Nga viti 2006, Komuna e Tuzit kishte statusin e Komunës Urbane të Tuzit, dhe kuvendi numëronte 22 këshilltarë, ndërsa në vitin 2017, Tuzi kishte statusin Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit dhe ky kuvend numërojë 32 këshilltarë.

Në vitin 2006-2010, pushtetin e ushtroi Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike, kurse nga viti 2010 deri tani, pushteti ushtrohej nga koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Partia Boshnjake dhe Social Demokratët.

Tuzi fitojë statusin e komunës së pavarur nga 1 shtatori i vitit të kaluar, pas hyrjes në fuqi të Ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi. /MALESIA.ORG/