Nikollë Camaj nga LDSH: Të punojmë së bashku, që Malësia të jetë mirë

Një Intervistë e huazuar nga Infoalb.mk, e Nikollë Camaj nga Lidhja Demokratike Shqiptare e Malësisë së Madhe duke rrëfuer kështu gjithë historinë e kësaj krahine dhe gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi. E lexojmë bashkë…

Infoalb: Zoti Camaj, sa e rëndësishme është Malësia e Madhe për shqiptarët?

Camaj: Malësia e Madhe, shpesh u ka parapri shumë ngjarjeve dhe vendimeve historike, të rëndësishme për të gjithë kombin. Për këtë rast do të veçoja Kryengritjen e vitit 1911, kur, për herë të parë, pas vdekjes së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skenderebut, u ngrit flamuri ynë kombëtar. Pastaj Besëlidhjen e Malësisë, e vitit 1970, kur malësorët shuajnë gjakmarrjen, si njërën ndër plagët më të mëdha të kombit, dhe që atëherë e deri më sot, nuk ndodhi asnjë shkelje, pra asnjë vrasje, si pasojë e gjakmarrjes. Po ashtu, do të veçoja edhe marrëveshjen për heshtjen e armeve, e vitit 1994, respektimi i së cilës asnjëherë nuk u soll në pyetje, pasi që nga ajo ditë më nuk pati qitje me armë zjarri, nëpër ahengje familjare. Të gjitha këto dëshmojnë se malësorët dinë të merren vesh kur është nevoja, dhe se marrëveshjet ndër ta nuk prishen! Ja pra, kjo është Malësia.

Infoalb: Me çfarë problemesh ballafaqohen malësorët, dhe cila është oferta juaj, për t’i zgjidhur?

Camaj: Problemet janë të shumta, dhe pjesa dërmuese e tyre janë akumuluar me dekada, si pasojë e qeverisjes së dobët dhe qëllimkeqe, të pushtetit aktual. Vendi është lënë mbas dore, pa infrastrukturë dhe pa asnjë repart zhvillimi, çka ka shkaktuar migrim me përmasa eksodi. Kjo ka shkaktuar që sot, në një vend, deri dje, me mbi 90% të popullsisë shqiptare, e sot me diku rreth 70, në administratën lokale mezi të dëgjohet fjala shqipe.  Kur është në pyetje oferta jonë politike, natyrisht se ajo ka të bëjë me ndryshimin e situatës së krijuar. Fillimisht, dëbimi, përmes vote, i një strukture udhëheqëse dashakeqe, dhe zëvendësimi i sajë me Malësi-dashës dhe me njerëz që dinë të punojnë. Por, natyrisht se gjërat nuk do të ndërrojnë për krye nate. Do të duhet kohë e përkushtim, por edhe përkrahje.

Infoalb: Sa ka ndikuar hyrja në NATO në përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Malit të Zi?

Camaj: Nga hyrja në NATO ka përfituar vetëm pushteti aktual, i cili me këtë akt ka zgjatë jetën e vet politike, por qytetarët akoma nuk ndiejnë ndonjë përmirësim. Sidoqoftë, shqiptarët e përkrahën këtë hap në procesin integrues të Malit të Zi, dhe nuk jemi të penduar, ani-pse, deri me sot, ne nga kjo nuk kemi nxjerrë kurrfarë koncesionesh, as benefitesh. Shpresojmë se koha punon për ne.

Infoalb: Çka bëni për mobilizimin e votuesve dhe sa do t’ia arrini që të nxirrni gjithë votuesit shqiptarë?

Camaj: Hapi i parë është bërë me formimin e një koalicioni gjithëshqiptar, me ç’rast jashtë tij kanë mbetur vetëm disa kokrra të ndara nga kopeja, e dihet si ndahen ato. Por, natyrisht vetëm formimi i koalicionit nuk mjafton. Mesazhi ynë duhet të arrij deri te çdo votues. E mesazhi është i qartë; duam një Malësi e një administratë ku do të flitet shqip, dhe ku do të mendohet e punohet për zhvillimin e saj.

Infoalb: Sa do të ndikojë në humbjen e votës, dhe peshës së votës së shqiptarëve, numri i madh i partive në Mal të Zi, gjegjësisht përçarja e votës shqiptare?

Camaj: Kësaj radhe nuk ka përçarje, pra jemi unik, dhe përpos disa mercenarëve politikë, të anëtarësuar në të ashtuquajturat parti qytetare, nuk ka mbetur kush jashtë. Shpresojmë se për ta, nuk kanë mbetur as shumë vota, ndonëse makineria e fuqishme manipuluese e korruptuese e pushtetit nuk ndalet, sidomos para zgjedhjeve. Mjeranëve shqiptarë, të cilët po blejnë vota shqiptare, për hesap të pushtetit dhe të joshqiptarëve, besoj se u janë numëruar ditët politike.

Infoalb: Në pika të shkurta, ç`mund të na thoni për ofertën tuaj politike për shqiptarët?

Camaj: Motoja ime personale dhe kredoja jetësore është “Ndihem mirë vetëm kur është mirë Malësia” dhe ky do të jetë mesazhi për këto zgjedhje; Të punojmë së bashku, që Malësia të jetë mirë.

Infoalb: Si ka ndikuar bashkimi i partive shqiptare këtu, si u prit nga popullata?

Camaj: Bashkimi i partive është hapi i parë në drejtim të duhur. Këtë e ka kuptuar dhe mirëpritur edhe popullata lokale, por jo vetëm ajo lokale. Asnjëherë sytë e qendrave shqiptare dhe të diasporës sonë nuk kanë qenë më të fokusuara në Malësi se kësaj radhe. Uniteti ynë ka bërë bujë, duke rritur shpresat se do të jetë, jo vetëm një ugur i mirë për ne, por edhe një shembull i mirë për të tjerët. Madje ky unifikim ia ka lehtësuar punën edhe votuesit, pasi që zgjidhja midis asaj se a duhet të zgjedhësh për veten, apo për tjetrin, është e lehtë. Zgjidhja për Malësinë apo kundër sajë, nuk le dilemë se për kë do të përcaktohen malësorët. Kjo më përkujton disa vargje të të madhit Ali Podrime, që po i parafrazoj; …të mbetemi të vetvetes, çështja është tani, të mbetemi të vetvetes, këtu në fakt nuk ka far çështjeje…”

Infoalb: Cila është puna e parë që premtoni se do e bëni për popullatën pas marrjes së mandatit?

Camaj: Vështirë të thuhet se cila është puna e parë, pasi që presin aq shumë punë, por gjithsesi do të jetë e fokusuar në përzgjedhjen e një ekipi cilësor e dashamirës, për të drejtuar e administruar qytetin dhe pasurit e tij, në favor të qytetarëve.

Infoalb: Sa keni shpresë që këto zgjedhje të dalin me sukses?

Camaj: Shpresën e kam të plotë, si asnjëherë më parë!

Infoalb: Ç`farë do i porosisni shqiptarët për ditën e votimit?

Camaj: Të dalin në votime që të gjithë. Asnjë të mos rrijë te shtëpia, dhe të votojnë për veten, për të ardhmen e vet, e të fëmijëve të vete, të votojnë për Malësinë. Të votojnë me moton se mund të ndihen mirë, vetëm kur është Malësia mirë. Në fakt, nëse ajo nuk është mirë, nuk mund të jemi mirë as ne. Prandaj, rruga e vetëm, është vota për koalicionin e partive shqiptare, ASH-LDSH-UDSH, për koalicionin “Malësia na bashkon”!