Të nderuar qytetarë,
Po afrohen tri dekada nga koha e vetorganizimit politik të shqiptarëve në Malin e Zi. Shpeshherë, veprimet tona ishin zhgënjyese, por shikuar nga kjo distancë, ato ishin të imponuara, nga rrethanat e krijuara në kohë lufte, në kohë të shpërbërjes së një shteti të madh, siç ishte Jugosllavia, në kohë të formimit të shteteve të reja, për çka kishim interes edhe ne shqiptarët. Prandaj, disa herë, kërkesat tona jetike, si edhe në të kaluarën, i sakrifikuam në altarin e kërkesave më të mëdha kombëtare, por asnjëherë nuk hoqëm dorë nga ato. Njëra ndër këto kërkesa jetike, që nga fillimi, padyshim ishte edhe kërkesa për komunën e plotë, e cila, më në fund u arrit.
Sot, në një realitet të ri, kur fal angazhimeve të spektrit politik shqiptar, u arrit komuna, bashkëpunimi imponohet si obligim moral dhe kombëtar, jo vetëm i partive politike, por edhe i të gjithë atyre që në familjet e veta flasin shqip. Fal mirëkuptimit midis liderëve, dhe aktiveve partiake, të vetëdijshëm për momentin historik, por edhe kërkesës së vazhdueshme, në rend të parë shqiptarëve të këtushëm, pastaj të diasporës sonë, por edhe të qendrave shqiptare, më në fund erdhi deri te ky bashkëpunim i shumëpritur. Natyrisht, ka pasur, ka dhe do të ketë, sish që do të arsyetojnë veprimet e veta egoiste, jashtë këtij uniteti, por historia do t’i dënojë rëndë ata shqiptarë që, në këtë situatë, nuk e ndiejnë vetën pjesë, apo përkrahës të kësaj lëvizjeje gjithë-malësore, e lirisht mund të them edhe gjithëshqiptare. Gjithëshqiptare, pasi që numri 5, numri që mban lista jonë në këto zgjedhje, është bërë aktual kudo ndër shqiptarë. Veprimi ynë fitoi simpatinë dhe përkrahjen që asnjëherë më parë nuk e pati. Malësia këto ditë është në fokus të vëmendjes së medies shqiptare dhe përfaqësuesve shqiptarë, kudo që janë, duke e cilësuar, me shkrimet e veta përkrahëse, këtë marrëveshje, si një besëlidhje të re. Natyrisht se ky veprim paraqet ndihmesë edhe për vet votuesin, për zgjedhjen që do të bëjë, sepse ai tashmë ka vetëm dy zgjidhje; të zgjedh ata që e duan Malësinë, apo ata që e mohojnë Malësinë! Dhe këtu dihet se rreshtimi pas Malësidashësve do të jetë pothuaj plebishitar. Ardhja e një numri të konsiderueshëm mërgimtarësh, për të votuar, e përforcon këtë bindje. Sidomos kur dihet se këto zgjedhje nuk janë vetëm çështje votash, vetëm çështje numrash, por edhe çështje nderi. Votuesi malësor nuk guxon të zhgënjejë botën tjetër shqiptare, që aq zëshëm e përshëndeti unitetit gjithë-malësor. Me votën shqip të dëshmojë se vendlindjes sonë nuk i thonë kot Malësi e Madhe. E madhe nga veprat, e jo nga sipërfaqja. Jemi të bindur se e tillë do të mbetet edhe pas 3 marsit, kur, me votat tona, strukturat e korruptuar politike, do t’i çojmë në opozitë.
Prandaj sot, më të vendosur se kurrë, të gjithë së bashku, të ndihmojmë opsionin që komunën ta drejtojnë subjektet që ishin angazhuar për këtë komunë, konkretisht LDSH, ASH dhe UDSH. Besim i plotë në një mundësi të re, për një rast të mirë, që Malësinë ta administrojnë ata që dinë, dhe që e duan, Malësinë, ata që ndihen mirë, vetëm kur Malësia të jetë mirë, më shtyri që të jam pjesë e kësaj bisedë suksesi. Nga shpresa se për Malësinë po i vinë ditë më të mira, kemi arsye që të ndihemi mirë. E dashtë zoti e robi, e vota juaj, me 3 mars do të ndihemi edhe më mirë!
Nikollë Camaj
Tuz, 22. 02. 2019