Osmani: Pushtet që shkon drejt diktaturës totalitare…!?

Nga Qani Osmani

Esenca, apo thelbi i të drejtave themelore të neriut, janë dinjiteti dhe shprehja e personalitetit të njeriut, liria e besimit, liria e mendimit, shprehjes dhe informimit, liria e profesionit dhe punës, liria dhe garantimi i pronës dhe pasurisë, trajtimi i barabart para ligjit dhe garancioni kundër arrestimit të padrejtë si dhe të drejtatjera të garantuara me konventa ndërkombëtare si dhe të drejta kushtetuese të vendeve përkatëse. Mirëpo, jo gjithëher këto të drejta nuk rrespektohen. Ato cenohen nga ana e zbatuesve që janë në pushtet. Prandaj cënimi apo dhunimi i këtyre të drejtave sjell apo është shkak për konflikte, si të atyre ekonomike, politike, fetare, etnike e kështu me radhë në një shoqëri të caktuar.

Në këtë drejtim duke i marr parasysh rrjedhat shoqërore dhe politike parashtrohet edhe pyetja, a është duke shkuar Mali i Zi drejt diktaturës totalitare?.. Për ta kuptuar këtë më mirë, duhet të themi se totalitarizmi është sistem politik ku përgjithësisht thënë, shteti ushtron pushtetin e tij dhe politizon deri në skajshmëri sundimin e gjithëmbarshëm në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, ku nuk mund të flitet për liritë e personalitetit të njeriut, lirinë e fjalës apo mendimeve të kundërta me pushtetin, lirinë e tubimeve dhe kufizimit të diskutimeve të lira, dirigjimin ekonomik dhe centralizimin e ekonomisë, arsimit dhe sferave tjera të jetës së qytetarëve.

Regjimet totalitare zakonisht për ta arritur qëllimin e tyre nuk tolerojnë apo nuk lejojnë aktivitete nga individë, grupe, shoqata apo parti politike që janë të kundërta me ideologjinë e pushtetit. Zakonisht këto aktivitete, regjimet totalitare i arrijnë duke angazhuar dhe duke i dhënë kompetenca organeve të tyre siç janë shërbimet sekrete të vendit, ministrit të punëve të brendshme apo policisë së vendit, kontrollin e gjyqësorit, propagandat e ndryshme nëpër mes medieve të kontrolluara nga pushteti, mbjelljen e frikës dhe heshtjes së qytetarëve përmes formave më të ndryshme duke filluar nga nënçmimet, kushtëzimet edhe atë duke përfshirë gjitha sferat e jetës. Me një fjalë mbjelljen e frikës dhe varësin e qytetarit të dëgjueshëm.

Duke përcjellur zhvillimet dhe funksionimin e pushtetit në Mal të Zi, duke mos u menduar aq shumë dhe analizuar deri në pafundësi ngjarjet dhe zhvillimin e situatave në vend, mund të themi se vlerat e proklamuara demokratike, ditë më tepër marrin kahjen apo drejtimin drejt diktaturës totalitare, pasi që ata të cilët sot, proklamojnë veten si demokratë, apo që veprojnë në emër të demokracisë dhe parimeve demokratike, të udhëhequr nga dëshira e tyre për pushtet, sundim dhe publicitet shëndrrohen në diktator, por të veshur me petkun e demokracisë.

Aferat e ndryshme në Mal të Zi, montimet e rasteve dhe humbja e besimit në gjyqësi, kontrolli ekonomik, aferat korruptive, burgosjet selektive, imponimet e rregullativave dhe ligjeve pa kurrfarë bazash praktike, ligje evropiane me kushtet të mjerueshme që as për së afërmi nuk korrespondon me realitetin dhe kushtet e qytetarëve, pothuaj se në të gjitha sferat e jetës shoqërore duke nisur nga arsimi, shëndetësia, gjyqësia, ekonomia si dhe standardi jetësor i qytetarëve, cenimi i të drejtave kushtetuese dhe kushtëzimi i këtyre të drejtave nga ana e pushtetit, heshtje të qytetarëve dhe të mendimit të kundërt etj.

Është fakt, se pothuajse çdo qytetarë në Mal të Zi në mënyrë të heshtur po ndien ditë e më tepër pasojat e këtijë regjimi, kush në sferën ekonomike, kush në shëndetësi, kush në arsim, kush në gjyqësi, e ku jo?..Por duke patur parasysh funsionimin e pushtetit, qytetarët janë shëndrruar në vesh e sy, se çfarë është duke ndodhur pa patur guximin të thonë të vërtetën, pasi që e vërteta e tyre brenda natës po shëndrrohet në të pavërtetë. Përmes metodave të ndryshme pushteti po bënë trysni mbi qytetarët, grupet e ndryshme, shoqatat, mediat, për ti heshtur të vërtetat dhe jetëgjatësin e sundimit të tyre.

Duke marr parasysh, zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Mal të Zi, pushteti ditë e më shumë po ushtron trysni, dhe në emër të demokracisë po zbaton elementet e një pushteti totalitarë, duke krijuar një masë apo qytetarë të heshtur dhe të dëgjueshëm dhe duke i bërë të varura edhe në aspektin ekonomik dhe ekzistencial. Ditë e më tepër po paraqiten elemente të tatalitarizmit në Mal të Zi, siç janë heshtja e qytetarëve, heshtja e mediave dhe kontrolli i tyre, varësia ekonomike e qytetarëve për shëndrimin e tyre në qytetarë të dëgjueshëm si dhe elemente tjera.

Se kjo është kështu ka të bëjë me faktin, për më tepër, nëse qytetarët do të vazhdojnë të mbështesin dhe tolerojnë të mbetet në pushtet i njejti subjekt politik për tri dekada, kur dihet se ky proces është një shkelje e rëndë e normave themelore të demokracisë dhe se i jep shans pushtetit për instalimin e diktaturës. Prandaj, si kurrë më parë është i nevojshëm zbatimi i të drejtës dhe zbatimi i lirive i qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik, implementimi i rregullativës ligjore në frymën e ligjeve pozitive të bazuara në parimet demokratike ndërkombëtare duke i përshtatur ato me realitetin e vendit, zhvillimin dhe standardet jetësore të qytetarëve.