Intervistë eksluzive me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi në interviste eksluzive për portalin Malesia. Org, shprehet se si përfaqësues i shtetit shqiptar, garanton se pozita e shqiptarëve në MZ, respektimi i të drejtave dhe lirive të tyre, do të jetë pjesë e pandarë e axhendës së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Mal i Zi.

 Kurtezi, gjatë kësaj intervistë, njëkohësisht përshëndet fitoren e Forumit Shqiptar në zgjedhjet për Komunën e Tuzit, duke e cilësuar si një hap tē madh përpara, që tregon pjekurinë politike të udhëheqësve të partive shqiptare.

Malesia.Org: Ambasador, fillimisht ju deshirojmë mirëseardhje dhe punë të mbarë në misionin tuaj diplomatik këtu në Mal të Zi. 

Kurtezi: Unë ju falenderoj për urimet tuaja dhe gjej rastin të shpreh vleresim dhe mirenjohje për angazhimin dhe kontributin tuaj në pasqyrimin cilesor që i beni lajmit dhe aktualitetit në Malësi.

Malesia.Org: Mund të vleresoni aktualitetin e marrëdhënieve dypaleshe midis Shqiperisë dhe Malit të Zi?

Kurtezi: Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Malit të Zi janë marrëdhënie shumë të mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit, të cilat, nuk druhem aspak të përsëris, janë padyshim një shembull shumë i mirë i fqinjësisë së mirë në rajon. Mund të duket klishe, por në një rajon dhe mjedis që më shumë ka ofruar dhe është njohur për problemet e tij, mendoj se bëjmë mirë të evidentojmë dhe vëmë në dukje atë që është pozitive dhe mund të shërbejë si një shembull i mirë. Kjo tendencë pozitive është rezultat i një vullneti politik të dyanshëm, që sheh tek fqinji partnerin, kontribuesin në arritjen e qëllimit të përbashkët për stabilitet dhe përparim, zhvillim e mirëqenie. Zgjedhja pa dilemë, për të qenë pjesë e botës dhe vlerave evropiane dhe perëndimore, e lehtëson dhe e nxit bashkëpunimin dypalësh. E orienton në qëllim dhe e pasuron në mjete dhe mënyra.

Malesia.Org: Mund të jeni më konkret duke evidentuar disa tregues të këtij bashkëpunimi?

Kurtezi: Për të qenë më konkret, ndërmjet dy vendeve ka një dialog të instaluar tashmë të nivelit politik në nivelet më të larta. Pjesë e tij dhe tregues i nivelit të marrëdhënieve është edhe mbajtja për herë të parë në korrik të vitit të kaluar, në Shkodër, e takimit ndërmjet dy qeverive, i cili përbën një mekanizëm shumë të mirë të dialogut dhe bashkëveprimit dypalesh, që do të ndikojë në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve. Veç kësaj kemi një kuadër të konsoliduar ligjor, i cili e institucionalizon bashkëpunimin në fushat respektive. Në këtë kontekst, krahas pasurimit të kësaj baze ligjore, rëndësi të dorës së parë merr zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Çfarëdo vlerësimi për marrëdhëniet dypalëshe, do të ishte i paplotë pa një element thelbësor të marrëdhënieve dypalëshe ndërshtetërore që është pakica shqiptare në Mal të Zi. Egzitenca e saj, roli dhe kontributi që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur në zhvillimet në vend, veçanërisht në çështjen e pavarësimit dhe të orientimit proevropian e properëndimor, u ka dhënë dhe u jep atyre një dimension shtesë, i ka plotësuar e pasuruar ato. Vëmendja dhe kujdesi për mirëqenien e kësaj pakicë, në planin më të gjerë të respektimit dhe garantimit të të drejtave të saj, është padyshim një dimension i përhershëm, shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërshtetëroe Shqipëri-Mali i Zi.

Malesia.Org: Në cilat sfera pritet intensifikimi i këtyre marrëdhënieve?

Kurtezi: Fakti që kemi marrëdhënie shumë të mira, nuk do të thotë që gjithçka ecën shumë mirë dhe s’keni ç’të përmirësojmë. Përkundrazi mirëkuptimi që kemi duhet të shërbejë për të nxitur, rritur e forcuar më tej bashkëpunimin e deritanishëm. Nuk ka çështje që e pengojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, ka vullnet të përbashkët për t’i intensifikuar marrëdhëniet dhe bërë ato më produktive, padyshim, që përfitimi është i dyanshëm, ndaj ne nje situate win-win, nuk ka arsye dhe justifikim për të mos ecur përpara dhe thelluar e zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, ku prioritetin padyshim e ka ekonomia. Si përfaqësuesi i shtetit shqiptar këtu, kjo do të jetë ndër prioritetet parësore të punës sime. Nuk mundemi të shpjegojmë dhe as të justifikojmë faktin që rezultatet e bashkëpunimit ekonomik, mbeten mbrapa dhe lënë për të dëshiruar krahasuar me nivelin e bashkëpunimit politik. Ndaj vëmendja kryesore do të përqëndrohet në ndryshimin e kësaj situate. Mendoj se kemi mundësi dhe duhet të rrisin bashkëpunimin në fushën e tregtisë, infrastrukturës (rrugore dhe hekurudhore), turizmit, bujqësisë, energjisë, mjedisit, etj. Në këtë kontekst, shumë i rëndësishëm do të jetë aspekti ndërkufitar i këtij bashkëpunimi, si një bashkëpunim me përfitim të drejtëpërdrejtë për komunitetet kufitare (shumë herë shqiptare në të dyja anët), dhe që mbështetet e financohet fort edhe nga fondet e Bashkimit Evropian.

Malesia.Org:  Gjatë takimeve të krerëve të shtetit tonë amë, Shqipërisë, dhe palës malazeze, gjithnjë proklamohen marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve dhe sipas raportimit të medies, thuhet se shqiptaret këtu i gëzojnë të gjitha drejtat, gjë që në fakt nuk qëndron, pasiqe shqiptaret, këtu janë të diskriminuar duke ja filluar nga të drejtat fondamentale e deri tek arsimi, punësimet në institucione shtetërore e publike etj. Poashtu, komunat në të cilat jetojnë shqiptarët janë më të pazhvilluarat në Mal të Zi. A mendoni se shteti shqiptar mund të bej me tepër për permiresimin e statusit të shqiptarëve të këtushëm?

Kurtezi: Unë kam pak kohë që kam marrë detyrën time në Mal të Zi dhe jam duke u njohur nga afër, ndër të tjera edhe me problematikën e komunitetit shqiptar këtu. Jam takuar me përfaqësuesit kryesore politikë dhe zyrtarë të tjere, kam vizituar qendrat kryesore ku jeton ky komunitet, por jam takuar edhe me qytetarë të rastësishëm. Natyrisht se kam komunikuar edhe me përfaqësues të institucioneve zyrtare malazeze të nivelit qendror dhe vendor, me të cilët një nga temat e pamunguara të bisedave e takimeve ka qenë edhe pakica shqiptare, roli dhe kontributi i saj në zhvillimet në vend, por edhe problematikat që e preokupojnë atë. Në këndvështrimin tim, vlerësimi nuk mund të jetë  konstatim me një fjalë, pasi kemi të bëjmë me një proces dhe si i tillë, të pranishëm janë edhe zhvillimi, edhe problemet. Si një vend anëtar së fundmi i NATO-s dhe në proces negocimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Mali i Zi ka një kuadër ligjor që respekton standardet evropiane lidhur me të drejtat e pakicave. Natyrisht kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhen përmirësime dhe plotësime me norma e ligje të reja, por mendoj se e rëndësishme aktualisht është vëmendja për shkallën dhe cilësinë e zbatimit të këtij kuadri ligjor. Një e drejtë është e siguruar, vetëm kur bëhet pjesë e përditshmërisë institucionale dhe jetësore të përfaqësuesve të pakicës, e prekshme dhe e arritshme. Nga ana tjetër, jam i mendimit se element i vlerësimit të pozitës së një pakice, është edhe shkalla e mundësisë që i ofrohet për përfshirje, dialog, për komunikim dhe për shprehje të shqetësimeve. Kur këto nuk mohohen, jam i mendimit se gjithnjë është e mundur që të gjendet mënyra për adresimin e çdo shqetësimi, apo problematike që ngrihet nga pakica, pra edhe nga ajo shqiptare këtu. Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi, mund të përparojë vetëm nëpërmjet përfshirjes, konstruktivitetit, dialogut serioz politik e institucional dhe ndërveprimit të brendshëm. Si përfaqësues i shtetit shqiptar, unë mund t’ju garantoj se pozita e shqiptarëve në MZ, respektimi i të drejtave dhe lirive të tyre, do të jetë pjesë e pandarë e axhendës së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Mal i Zi.

Malesia.Org: Cilat janë përshtypjet nga takimet me subjektet politike dhe kulturore shqiptare në MZ?

Kurtezi: Takimet me subjektet politike shqiptare (me ato kulturore më pak kam pasur mundësi), kanë qenë kontaktet e para zyrtare që kam realizuar pas marrjes së detyrës. Kam pasur mundësinë të kontaktoj me drejtuesit dhe përfaqësues të tjerë të subjeketeve politike në Tuz-Malësi, në Ulqin dhe në Plavë e Guci. Dhe meqë më pyesni për përshtypje, mund t’ju them se takimet kanë qenë shumë miqësore dhe të sinqerta. Po përtej kësaj, unë jam i mendimit se asnjë bashkëpunim nuk duhet ndërtuar mbi baza përshtypjesh. Subjektet politike shqiptare në Mal të Zi janë pjesë e jetës institucionale të vendit, ata janë të zgjedhurit me votën e shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi dhe kanë të drejtën dhe barrën e përfaqësimit politik dhe zyrtar të shqiptarëve. Unë si përfaqësues i shtetit shqiptar, që në kushtetutën e vet sanksionon interesimin për pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jeton jashtë kufijve shtetërorë, e kam një pjesë shumë të rëndësishme të detyrës sime funksionale, komunikimin dhe bashkëpunimin me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe në këtë kontekst, mund t’ju siguroj se ky bashkëpunim do të jetë gjithnjë institucional, serioz dhe i sinqertë, pa njëanshmëri, gjithnjë në interes  dhe në të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

Malesia.Org: Komenti juaj per zgjedhjet ne Tuz!?

Kurtezi: E përshëndes fitoren e Forumit Shqiptar në zgjedhjet për Komunën e Tuzit. Ky është një hap i madh përpara, që tregon pjekurinë politike të udhëheqësve të partive shqiptare. Vlerësoj angazhimin e diasporës si një shembull të vetëdijes kombëtare. Kjo ditë përbën një zhvillim historik dhe është hapi i duhur për të marrë përgjegjësitë për të drejtuar Tuzin përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe grupimet e tjera etnike.

Malesia.Org: Z. Ambasador,  ju falenderoj  për intervisten  dhe kohën që na kushtuat. Suksese në misionin tuaj diplomatik.

Kurtezi: Faleminderit dhe deshiroj te shpreh kenaqesine e vecante per kete interviste.

Intervistoi: Albert Camaj – Malesia.Org