Në protestën e shtatë në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë, përfaqësuesit e opozitës dhe organizatorët e protestës “Rezisto 97.000”, nënshkruan “Marrëveshjen për të Ardhmen” dhe u obliguan për përmbushjen konsekuente të të gjitha qëllimeve të qytetarëve.
Marrëveshjen e nënshkruan 39 deputetë të opozitës të përbërë nga deputetët e Frontit Demokratik, Demokratëve, Partisë Social Demokratike, Partisë Socialiste Popullore, Lëvizjes Qytetare Ura, Demos dhe deputetët e pavarur.
Nënshkruesit kërkojnë dorëheqjen e Presidentit të Malit të Zi, Milo Djukanovic, kryeministrit malazez Dusko Markovic, Prokurorit të lartë të shtetit, Ivica Stankovic, Prokurorit special të shtetit, Milivoje Katnic, Kryetarit të agjencisë për parandalimin e korrupsionit, Sreten Radonjic dhe udhëheqësisë së RTMZ-së.
Siç thuhet në marrëveshje, ata do të angazhohen për formimin e një Qeverie të unitetit qytetar, detyra e të cilës do të jetë mbajtja e zgjedhjeve të drejta dhe të lira.
Një nga pikat e marrëveshjes është që partitë opozitare, nuk do të marrin pjesë në as një palë zgjedhje, lokale, shtetërore ose presidenciale, të cilat do të planifikohen para përmbushjes së detyrës bazë të Qeverisë së Unitetit Qytetarë. /MALESIA.ORG/