Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në takimin me kryetarin e Partisë boshnjake, Haris Ramoviq, i ka ofruar pakicës boshnjake pjesëmarrje në pushtetin lokal.
Lexo njoftimin e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Siç dihet, shqiptarët janë popull me tipare tejet të larta njerëzore, filluar nga mikëpritja, besa, bashkëjetesa, e deri tek avancimi i mardhënieve të mira me të gjithë, e posaçërisht me fqinjët!
Mbështetur në këto parime të trashëguara, gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, kemi potencuar dhe prezentuar vizionin e qartë për integrim të pakicave, që jetojnë në Malësi, në qeverisjen e Komunës së Tuzit.
Jemi të vetëdijshëm se Forumi Shqiptar, me perkrahjen e Shtjefën Camaj, ka shumicën prej 17 këshilltarëve, dhe ka siguruar administrim stabil.
Mirëpo, opinioni është i njoftuar edhe për mbështetjen e parezervë dhe korrekte të Partisë boshnjake, në të gjitha seancat e Kuvendit të Komunës, edhe përkundër faktit se kjo pakicë kishte presione të mëdha, të qëllimta, nga disa këshilltarë të PDS. Prandaj, qendrimi i tyre serioz dhe konstruktiv, për ruajtjen dhe kultivimin e mardhënieve multinacionale në Malësi, është për çdo lëvdatë.
Unë si kryetar i Komunës, me pëlqim të anëtarëve të Forumit Shqiptar, kam ftuar në takim kryetarin e Partis Boshnjake ne Tuz z.Haris Ramoviq, i cili është nga një familje e nderuar dhe respektuar në Tuz, përndryshe nipi i Sul Brahimit!
Në bisedën që patëm, për të dëshmuar gatishmërinë tonë edhe në vepra, ofruam mundësinë e participimit të pakicës boshnjake në administratë, duke vlerësuar se ky vendim i Forumit Shqiptar kontribuon në ruajtjen dhe kultivimin e mardhënieve multinacionale në Malësi.
Si kryetar i të gjithë qytetarëve, jam i bindur se edhe ky vendim politik është planifikuar në mënyrë afatgjate, prandaj edhe jam i bindur se do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Malësisë, pa dallime!
Nik Gjeloshaj