Në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, të hënën mbrëma, më 29 prill 2019, është organizuar mbrëmje autoriale me poetin Hajredin Kovaçi, me ç’rast është prezantuar krijimtaria letrare e këtij autori.
Për krijimtarinë e autorit kanë folur poeti Argëzon Sulejmani dhe shkrimtari Mark Lucgjonaj, njëherazi moderator i mbrëmjes, ndërsa poezi nga krijimtaria e Kovaçit kanë lexuar nxënëset e Shkollës së Mesme “25 Maji”, Elizabeta Camaj dhe Kristina Lulgjuraj, dhe nxënësja e Medresesë “Mehmed Fadih”, Sara Beqoviq.
Në fjalën e tij, poeti Hajredin Kovaçi, i cili është prezantuar për të parën herë në një mbrëmje autoriale para lexuesve dhe artdashësve në Malësi, ka folur për frymëzimin poetik, temat që trajton në krijimtarinë e tij, procesin e të shkruarit, konceptimin e poezisë dhe të letërsisë etj. Ai po ashtu ka lexuar disa poezi nga krijimtaria e tij.
Në emër të organizatorit, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili ka thënë se takimet e këtilla i shërbejnë njohjes më të mirë me njëri-tjetrin dhe integrimit kulturor të shqiptarëve në Malin e Zi.
Aktiviteti kulturor është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me QKI “Malësia”,në kuadër të programit kulturor të këtij institucioni.
Ulqin, më 30 prill 2019