Osmani: Paradokse shqiptare

Nga Qani Osmani

Në këtë kohë dhe periudhë të vështirë nëpër të cilën kalon populli shqiptar në përgjithësi, si dhe popullata shqiptare në Mal të Zi, ajo që bie në sy janë paradokset e shumta, të cilat vështirë të kuptohen dhe arsyetohen si të tilla.

Madje, të shumta janë pikëpyetjet dhe pikëçuditëset me të cilat ndeshet secili prej neve çdo ditë e më tepër, e të cilave jo vetëm që po dështojmë në vazhdimësi që tu ju japim përgjigjen dhe shpjegimin e duhur, porse, të njëjtave, dalëngadalë kemi filluar edhe t’ju shmangemi, duke ia lënë fatin tonë stihisë!

Pikëpyetjet dhe pikëçuditëset e këtilla janë të shumta…Andaj, le të ndalemi së bashku, qoftë edhe për një çast, dhe t’ia parashtrojmë disa prej tyre, para se gjithash vetvetes, edhe atë, në shërbim dhe funksion të së vërtetës së pamohueshme e cila tingëllon: “të kuptuarit e problemit është gjysma e zgjidhjes”.

Në mesin e këtyre pikëpyetjeve të cilat imponohen natyrshëm dhe fuqishëm në biseda dhe diskutime të këtij lloji, dhe të cilat meritojnë një përsiatje dhe qasje më serioze, e mbi të gjitha, një përgjigje të sinqertë, sado e hidhur të jetë, janë çështjet që vijojnë:

Paradoksale është se sot jetojmë në një kohë ku në emër të moralit flasin të pamoralshmit, ku të papunët e të varfërit mbushin kafeteritë, ku të diplomuarit janë të papunë, ndërsa ata pa diploma punojnë, ku kemi shumë univerzitete e shumë pak dije, ku politikanët e korruptuar flasin kundër korrupsionit, ku shumica e politikanëve pasurohen brenda natës, kurse qytetarët marrin rrugën e zorit.

Jetojmë në një kohë ku drejtësia nuk kërcënon me ligjin e arsyes, por kërcënon me ligjin e korrupsionit, ku në vend se politikanët të varen nga mediat dhe të jetojnë nën presionin e tyre, mediet varen nga politikanët dhe punojnë nën presionin e tyre, ku për t’u punësuar nuk kërkohen kritere, por libreza të partive politike, ku shumica e politikanëve nuk flasin me gojë, por flasin me gishta.

Jetojmë në një kohë ku nuk pranojmë kritika, por veç rrafsh duam që të na e bëjnë, ku këngëtarët nuk dëgjohen, por shikohen, ku të gjithë thonë se nuk është e rëndësishme paraja, ama të gjithë vrapojnë pas parasë, ku sinqeriteti dhe ndershmëria janë në deficit, ndërsa injoranca dhe hipokrizia kanë arritur kulmin.

Paradoksale është se në shoqëritë shqiptare sot kemi shumë diploma pak-dituri, shumë ekspertë por edhe shumë probleme, shumë intelektualë por pak racionalitet, shumë mjekësi të zhvilluar por pak shëndet dhe shumë sëmundje. Kemi shtëpi të mëdha, por familje të vogla, shumë dhoma, por pak mysafirë, shtëpi luksoze por familje të shkatërruara, rrugë të gjëra por orientim të humbur, mobilje të mira por pak kënaqësi.

Paradoks është se si gjendja e shqiptarëve, edhe pas tri dekadave-që nga erërat e para të demokratizimit shkon duke u bërë gjithnjë e më e vështirë. Si është e mundur që, sa ma shumë që politikanët tanë po e përsërisin refrenin e integrimit tonë në strukturat euro-atlantike, vendet tona aq më tepër shënojnë rënie në rang-listat botërore të cilat përshkruajnë nivelin e lirive dhe të mirëqenjes së përgjithshme, me ç’rast ato vazhdimisht po radhiten si të parat prej nga fundi; duke konkuruar në këtë mënyrë gjithnjë e më tepër me shtetet e Unionit Afrikan!?

Në anën tjetër, edhe pas gjitha këtyre dështimeve të njëpasnjëshme, kjo popullatë ende vazhdon të votojë njerëz të dështuar dhe të korruptuar në gjitha aspektet, mandat pas mandati?! A thua vallë, pse lejuam që këta politikanë t’i politizojnë dhe elektrizojnë aq shumë shoqëritë tona shqiptare, duke përçarë dhe armiqësuar edhe anëtarët e së njëjtës familje?! A thua vallë, pse po i amnistojmë nga përgjegjësia dhe obligimet liderët dhe deputetët tanë, të cilët paguhen nga taksat, me qëllim që të na përfaqësojnë neve dhe interesat tona në qarqet vendimmarrëse, ndërsa, në anën tjetër, ne vazhdojmë të kërkojmë dhe ëndërojmë që faktori ndërkombëtar t’i zgjidh problemet dhe të “palarat” tona?!

Si është e mundur që sheshet shqiptare të mbushen me numër më të madh njerëzish gjatë kampanjave zgjedhore, koncerteve apo evenimenteve sportive, ndërse ky numër të jetë dhjetëra herë më i vogël kur janë në pyetje çështjet jetike dhe interesat madhore?! Sa herë që ndodh ndonjë padrejtësi dhe sa herë që ushtrohet dhunë ndaj shqiptarët, faqet e rrjeteve sociale mbushen plotë e përplot me video, fotografi dhe simbolika patriotike, të cilat kulmojnë me “thirje” dhe “kushtrim” për luftë, në momentin që, të njëjtët “patriot” ngurojnë dhe nuk marrin dot guximin që të protestojnë qoftë edhe para selive të partive të tyre politike; seli këto të cilat gjenden në mes të mëhallëve tona?!

Deri kur do të vazhdojmë që këto halle dhe probleme tona t’i qajmë nëpër oda dhe kafene, ndërsa, në anën tjetër ngurrojmë që të ndërmarrim qoftë edhe një hap të vogël kah fillimi i zgjidhjes së këtyre problemeve, të cilat sa vijnë e na ngulfasin! Madje, deri kurë do ta lejmë fatin tonë dhe të fëmijëve tanë në duart e atyre të cilët çdo ditë e më tepër po tallen me fatin dhe intelegjencën tonë kolektive! Fundja, edhe çka tjetër duhet të ndodhë këtij populli, e që ta kuptojë se e ardhmja dhe perspektivat e tij janë të rrezikuara?!

A thua vallë nuk na mjaftoi gjithë ky diletantizëm politik, mjerim ekonomik, korrupsion endemik dhe degjenerim sistematik, e që të gjithë të ngremë zërin kundër kësaj të keqeje, si dhe të ndërmarrim qëndrim konkret ndaj së njëjtës, nën maksimën “boll më”?!