Për Dukoviq-in Dita e Komunës së Tuzit është e papranueshme

Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Tuzit-Malësisë, në të cilën është miratuar Statuti i Komunës, përveç tjerash është caktuar 1 Shtatori si Dita e Komunës.

Për Halil Dukoviq, deputet, Kryetar i Këshillit Komunal dhe Këshilltar i DPS-së në Kuvendin e Tuzit, kjo datë për ditë të Komunës është e papranueshme.

Dukoviq për gazetën Dan ka thënë se gabimi më i madh që u bë, është se u ndryshua 15 Dhjetori si Dita e Komunës, që sipas tij, është dita kur u çlirua Tuzi gjatë luftës së dytë botërore.
Ai rikujtoi se 15 dhjetori u caktua si Dita e Komunës në vitin 2006.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Tuzit-Malësisë, Nik Gjeloshaj është shprehur se tonet të cilat përdorën këshilltarët e DPS-së në seancën e fundit, japin përshtypje se ata nuk mund të pajtohen me faktin se DPS-ja nuk ka më ndikim në vendimmarrje në jetën shoqërorë në Malësi.

Në deklaratën e Dukoviq-it, se Dita e Komunës u caktua në vitin 2006, Gjeloshaj sqaroi kjo nuk korrespondon me të vërtetën, sepse e drejta për përcaktimin e Ditës së Komunës është fituar vetëm me themelimin e Komunës së plotë.

Gjeloshaj ka sqaruar se është përcaktuar 1 Shtatori, pasi që ajo është data kur kanë fituar të gjithë, data kur Tuzi e ka fituar statusin e Komunës.

Dukoviq gjithashtu përmendi propozimin tjetër të Forumit Shqiptar që Dita e Komunës të jetë 6 Prilli, dhe u shprehë se dyshon se ajo datë do të fitonte numrat e mjaftueshëm të votave.

“Behët fjalë për Kryengritjen e malësorëve kundër osmanëve. Askush në botë nuk feston datat e fitores kundër turqëve”, tha Dukoviq.

Rreth kësaj Kryetari Nik Gjeloshaj e ka rikujtuar Dukoviq-in se partia e tij, anëtar i flakët i së cilës është, feston datat e betejave së Fundnave, Martiniqve, Krus dhe Grahovë duke theksuar edhe “13 korrikun” e cila festohet si dita e shtetësisë së Malit të Zi.

Dukoviq është shprehur se nëse ata do të fitojnë pushtetin, do të kthejnë 15 dhjetorin si Dita e Komunës. /MALESIA.ORG/