Shtëpia-Muze “Dedë Gjon Luli”, fushata e punimeve vazhdon, perurimi me 25 gusht 2019

Këshilli Punues për kompletimin e Shtepisë-Muze “Dedë Gjon Luli” njofton publikun e gjerë se punimet rreth kompletimit të ketij objekti po zhvillohen përafërsisht sipas planit. Shumica e punëve të parapara do të përfundojnë deri në gjysmën e parë të muajit gusht të këtij viti, megjithëse, për pasurimin dhe kompletimin më të mirë të kësaj shtëpie muze, ka gjasa të na duhet më shumë kohë.

Sikurëse e dini, fushata për grumbullimin e fondeve në shumën prej $50,000 ka qenë publikuar në portalet më të lexuara të trevës së Malësisë së Madhe, ndërsa është shpërndarë disa qindra herë edhe nëpër rrjetet sociale. Ajo gjithnje është e hapur dhe kushdo që ka dëshirë të japë një kontribut të vet për realizimin e këtij projekti, është shumë i mirëpritur.

Perveç një këshillit prej 12 antarësh për të kontaktuar drejtpërdrejt me publikun shqiptar, ka qenë e aktivizuar edhe një mundësi shtesë e ashtuquajtur “online”, për të kontribuar nëpërmjet platformes “GoFundMe. Com.
Faqja në fjale do te jetë gjithnjë aktive edhe gjate këtij korriku. Sa i takon përurimit te ketyre punimeve, fillimisht është dhënë një datë orjentuese për në gjysmën e dytë të gushtit, por kësaj here jemi më specifik.

Perurimi do të bëhet me datën 25 gusht 2019 (e diel), duke filluar nga ora 13:00. Ky njoftim është njekohësisht edhe një ftesë publike për të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë eveniment kulturor.

Atë ditë, dy shoqatat nga treva e Hotit, ajo “Dedë Gjon Luli” dhe Shoqata “Rapsha”, do të kujdesen për argëtimin tuaj me disa pika të zgjedhura muzikore. Natyrisht që në protokollin e këtij solemniteti do te jetë zbulimi i shtatores së Dedë Gjon Lulit, ndërsa në vazhdim dikush nga Këshilli Punues do ta ketë fjalën përshëndetëse, perkatësisht fjalën e rastit.
Të pranishmit në vijim do ta kenë mundësinë edhe të vizitojnë lokalet e muzeut dhe punimet më të reja artistike. Në fund, të pranishmit do të shërbehen nga ana e organizatorit edhe me një koktej modest.

Mirë se vini ne Bardhaj të Hotit, në vendlindjen e Dedë Gjon Lulit!

Këshilli Punues
Tuz- New York-Detroit, 8 korrik 2019