Mundësi e mirë e realizimit të nevojave të fermerëve
Tuz – Për herë të parë në Malësi, me iniciativë të Komunës së Tuzit, përkatësisht të Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe në bashkëveprim me fermerë të zonës së Malësisë, është themeluar Kooperativa Bujqësore e Malësisë, një kërkesë dhe nevojë e kahmotshme e prodhuesve bujqësore në këtë trevë. Në lidhje me jetësimin e kësaj kooperative e cila tanimë do t‘u mundësojë atyre që t’a plasojnë më lehtë prodhimtarinë në tregjet e jashtme, në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, Ismeta Gjoka nga Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, shprehet se për themelimin e kësaj kooperative për fermerët në Malësi ka ndihmuar Komuna e Tuzit nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme deri në formalizimin e saj që ajo të marrë statusin juridik.
Në lidhje me plasimin e produkteve bujqësore nga Malësia nëpër tregje të jashtme, Gjoka vë në dukje se aktualisht janë në negociata e sipër me disa sipërmarrës nga Bosnja dhe Hercegovina, përkatësisht nga Sarajeva, të cilët siç tha, janë të interesuar që të grumbullojnë prodhimet bujqësore të fermerëve nga Malësia.
“Ne i presim që ata të vijnë këto ditë në Komunën tonë dhe në këtë mënyrë do t’i njoftojmë për prodhimtarinë bujqësore këtu në Malësi. Unë mendoj se formimi i Kooperativës bujqësore në Malësi, do të ndikojë pozitivisht dhe do t’u ndihmojë dukshëm fermerëve për shitjen e produkteve të tyre. Para pak kohe zhvilluam një takim në Drejtorinë për Sigurinë Ushqimore, gjatë të cilit i njoftuam për planet tona të kooperativës bujqësore. Nga ana tjetër, ata shprehën gatishmëri që procedura e eksportimit të mallrave të prodhuesve të kryhet sa më shpejt, sa herë që këta fermerë do të kenë nevojë t’i eksportojnë produktet e tyre jashtë shtetit”, u shpreh Gjoka.
Ajo theksoi se edhe në vazhdim, Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i Komunës së Tuzit do të përpiqet maksimalisht që të ndihmojë në gjallërimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë në trevën e Malësisë, një veprimtari që është parësore për qindra familje në këtë trevë.
Ajo shtoi se themelimi i Kooperativës bujqësore në Malësi do të ndihmojë dukshëm edhe në realizimin e planeve të tjera, si për investimet kapitale në bujqësi në trevën e Malësisë, jetësimi i të cilave ka qenë i pamundur në mungesë të një kooperative bujqësore.
Këtë kooperativë bujqësore e përbëjnë kryesisht fermerë të mëdhenj nga Malësia, produktiviteti i cilëve ka vite që njihet jo vetëm në Malësi por edhe jashtë, në mes të cilëve ka edhe fermerë të cilët kanë thyer rekorde për prodhimtarinë e tyre në nivel shtetëror.
Fermerët e zonës së Malësisë janë përballur vite me radhë me problemeve të natyrave të ndryshme në sferën e bujqësisë, në mes të cilave edhe ai i plasimit të produkteve në treg, qoftë në atë të brendshëm apo të jashtëm dhe për të zgjidhur këtë problematikë jo të vogël dhe me qëllim që fermerët t’i realizojnë synimet e tyre, formimi i një Kooperative bujqësore ka qenë i domosdoshëm.
t.u
t. u.