Këshilltarët e LDSH-së në Kuvendin e Komunës së Gucisë të pakënaqur me realizimin e kërkesave të shqiptarëve

Guci – Në seancën e dytë të rregullt, të mbajtur të premten në sallën për seanca dhe tubime të godinës së re të komunës, prej dhjetë pikave të propozuara të rendit të ditës, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan tetë, kurse dy sosh që kanë të bëjnë me propozim vendimet për taksat administrative lokale dhe mbi taksat komunale lokale, propozuesi – sekretari për ekonomi, zhvillim dhe financa, Admir Mullamekiq, i ka tërhequr për shkaqe teknike, siç arsyetoi ai.

Pas miratimit të procesverbalit nga seanca e kaluar dhe një minutë heshtjeje në shenjë nderimi dhe respekti ndaj viktimave të Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë, në propozim të këshilltarit Fahrudin Dervisheviq, në paraqitjen procedurale, këshilltari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve, Asdren Çelaj, shprehi pakënaqësinë, mllefin dhe indinjatën e thellë në përmbajtjen e propozuar të rendit të ditës së seancës, duke theksuar se në seancën e kaluar të Kuvendit me shumicë votash është miratuar propozim vendimi i këtij subjekti që për seancën e radhës, kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, të emërojë kandidatin për nënkryetar të dytë të Komunës së Gucisë nga radhët e popullatës shqiptare, por siç shihet në përmbajtjen e rendit të ditës së kësaj seance nuk gjendet për shqyrtim dhe miratim propozim vendimi në fjalë.

Ai ka thënë se po paraqet fakte, sipas tij të pakontestueshme, për padrejtësitë ndaj popullatës shqiptare.

“Që në fillim theksoj se kjo Qeveri nuk dëshiron të ketë nënkryetar shqiptar, edhe përkundër faktit se në seancën e kaluar është votuar me shumicë votash propozimi i Kuvendit që sot të emërohet një nënkryetar nga kryetarja e komunës, i cili do të ishte nga radhët e popullit shqiptar, por, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ndodhi. Askush, përveç jush, nuk e din arsyen e vërtetë pse shqiptarët nuk mund të gjenden në pozitat udhëheqëse në këtë komunë. Po ashtu po e përmendi rastin se nuk e mbrojtët popullin nga predikuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Martinaj, edhe përkundër paralajmërimit se më 12 maj do të fillojnë punimet e kishës sllave në tokë të uzurpuar në Martinaj. Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, një apo dy ditë përpara i drejtohen popullit shqiptar në Martinaj se më 12 maj nuk do të ketë kurrfarë punimesh aty dhe nuk do të vijë askush nga Kisha serbe, por, atë ditë (më 12 maj), predikuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Martinaj e provokuan popullin e tubuar, të cilët e mbronin tokën e vet. Përfaqësuesi i kishës thoshte se një ditë këtu do të është edhe Berani dhe se do të ndryshohet edhe struktura nacionale e popullatës. Pra, është i pashpjegueshëm fakti se askush nga pjesëtarët e komunës nuk shkoi atje me pa se çka po ndodhë, duke e lënë popullin e vetmuar, pa kurrfarë mbrojtjeje dhe kujdesi”.

Të mllefosur dhe revoltuar, për këto dhe ca padrejtësi të tjera të kërkuara, por të parealizuara, nga qeverisja lokale, këshilltari Çelaj njoftoi se tre këshilltarët e pranishëm të LDSH-së (prej gjithsej katër sish) do ta braktisin punën e seancës deri në plotësimin e të drejtave të tyre të kërkuara, çka edhe bënë.

Pas miratimit njëzëri të rendit të ditës, këshilltarët e pranishëm (21 sish), vëmendje të posaçme i kushtuan propozimit të vendimit për programin e objekteve të përkohshme në territorin e Komunës së Gucisë, të cilin e argumentoi sekretarja për Planifikim të Hapësirës, Pasuri dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor, Havaja Prelvukaj, rreth të cilit mendimet, vështrimet dhe sugjerimet e veta i dhanë këshilltarët Fahrudin Dervisheviq, Ferka Jaroviq, Ruzhdija Radonçiq, Mihaillo Jovoviq dhe Fadil Ulaj.

Në këtë drejtim, në deklaratën e këshilltarit të Partisë Socialiste Popullore, Mihaillo Jovoviq, se në fshatin Martinaj në gjysmën e parë të shekullit të kaluar më se gjysma e popullatës ka qenë e fesë ortodokse, se në këtë vendbanim kanë ekzistuar varrezat ortodokse dhe kisha e cila është rrënuar në vitin 1939, këshilltari i koalicionit UDSH-Aleanca Shqiptare, Fadil Ulaj, u kundërpërgjigj:

“Lidhur me diskutimin e fundit të Mihaillit, përkitazi me kishën në Martinaj, unë nuk pajtohem me diskutimin e tij, me faktin se kisha në Martinaj ka qenë një kishë e përkohshme në pronën e shqiptarëve, dhe se ajo nuk mund të krahasohet me xhaminë në fshatin Nokshiq, siç e bën këshilltari Jovoviq, kur dihet se fshati në fjalë ka qenë thuajse gati etnikisht shqiptar dhe se për fat të keq sot atje asnjë oxhak shqiptar nuk tymon. Aty kanë lindur figura të shquara të tëra, të cilat kanë bërë emër, jo vetëm tek ne, por shumë më gjerë. Përmendim emrin e të madhit Esad Mekuli. Ne s’kemi asgjë kundër kishës, e as ndërtimit të kishës në fshatin Martinaj, sikurse aty të kishte banorë sllavë. Nuk është e vërtetë se më se gjysma e fshatit Martinaj ka qenë e banuar me banorë ortodoksë serbë, por e dini mirë edhe ju të gjithë se si kanë ardhur ata. Aty është sjellë një numër shumë i vogël i banorëve të përkohshëm serbë, kështu që këto përpjekje që bëhen sot për t’u ndërtuar një objekt i Kishës Ortodokse Serbe në Martinaj, është një provokim i rëndë që nuk është as në interesin e shqiptarëve, e as në interesin e të tjerëve, për shkak se kjo më shumë bën përleshje dhe përçarje ndërnacionale që do të ndikonin në minimin e situatës në mes të nacionalitetit shqiptar dhe atij ortodoks serb në përgjithësi. Nuk është mirë sot, në shekullin XXI, të bëjnë këso provokimesh nëpër mjediset tona, andaj nuk do ta përkrahim dhe kurrsesi nuk do ta lejojmë të ndodhë një gjë e tillë”.

Këshilltarët në seancën e dytë të këtij viti shqyrtuan dhe kryesisht njëzëri miratuan të gjitha pikat e propozuara të rendit të ditës, në debatimin e të cilave morën pjesë nga ca këshilltarë të pozitës dhe opozitës, por në të gjitha këshilltari i pavarur, Fahrudin Dervisheviq.

Këshilltarët shqyrtuan, trajtuan dhe miratuan propozim vendimet: Mbi kriteret, mënyrën dhe procedurën e alokimit të fondeve për përkrahjen e ndërmarrësisë së grave, për përdorimin e fondeve të rezervës buxhetore rrjedhëse dhe të përkohshme, për programin e objekteve të përkohshme në territorin e Komunës së Gucisë, për luftimin dhe vlerësimin e dëmeve fushore në territorin e Komunës së Gucisë, për mënyrën e grumbullimit dhe grumbullimit të veçantë të mbeturinave për përpunim në territorin e Komunës së Gucisë dhe për shpronësimin e patundshmërisë në KK të Gucisë, si dhe informatën mbi financimit e shoqërive sportive në territorin e Komunës së Gucisë për vitin 2018.

Në fund, këshilltarët i parashtruan edhe disa pyetje qeverisjes lokale, për të cilat kërkuan përgjigje me shkrim.

Sh. Hasangjekaj