Murtaja e bardhë e ka përfshi Malin e Zi

Të dhënat statistikore të publikuara kohë më parë nga MONSTAT-i, dëshmojnë se Malin e Zi e ka përfshi murtaja e bardhë e ate në 18 komuna duke dëshmuar së trendi negativ në shtimin e popullsisë vazhdon duke qenë dukuri shqetësuese për të tashmën dhe të ardhmën, është dëshmi e statusit ekonomik dhe social të banorëve në periudhën postmoniste të tranzicionit demografik, çështje  e cila deri më tash nuk është trajtuar  nga ana  e pushtetit qendror  për të marrë masa preventive ndaj kësaj dukurie  me pasoja të përgjithshme shoqërore

Nga Dr.Nail  Draga

E dhëna e publikuar nga Drejtoria e Statistikës MONSTAT-i së në 18 komuna në Mal të Zi, ka më shumë të vdekur se sa të lindur, dëshmon se dukuria e murtajës së bardhë është e pranishme. Fjala është për periudhën katër mujore të këtij viti duke cekur se shtimi natyror i popullsisë është me minus 212 banorë, nga del se aq persona më shumë kanë vdekur, se sa kanë lindur. Nëse analizojmë shpërndarjen territoriale del se pjesa ma e madhe e komunave të tilla janë në veri, ndërsa dukuria e tillë i kapërfshi edhe tre komuna në regjionin bregdetar ku përveç H.Novit e Tivarit bën pjesë edhe Ulqini.

Sipas  të dhënave nga MONSTAT-i del se në Mal të Zi nga janari deri në fund të prillit të këtij viti kanë lindur 2119 fëmijë ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 2331 qytetarë. Si më parë edhe tash tretmanin e parë të murtajës së bardhë e mban gjithnjë qyteti i Plevlës, sepse në atë qytet numri i të vdekurve është për 98 më i lartë se i të lindurve. Ndërsa qyteti me lindshmëri më të lartë është Podgorica, ku shtimi natyror është pozitiv sepse numri i të lindurve është më i lartë për 144 ndaj numrit te të vdekurve.

Ndërsa në lidhje me shtimin natyror në nivel shtetëror për vitin  e kaluar në Mal të Zi kanë lindur 7260 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 6494 qytetarë, nga del se shtimi natyror ishte pozitiv për 766 qytetarë, duke qenë  me e ulta në rritjen e numrit të banorëve në historinë e Malit të Zi.

Së shtimi natyror i popullsisë në Mal të Zi është në rënie të vazhdueshme dëshmojnë të dhënat në vitët e fundit.Kështu në vitin 2017 shtimi i popullsisë ishte 909 qytetarë, 2016:1.105, 2015:1.057, 2014:1.515, dhe 2013:1.558 banorë. Ndërsa nëse krahasojmë shtimin natyror nga viti 1991, që ishte 5.636 banorë nga del së ishte shtatë here më i lartë së vitin e kaluar, dëshmon së periudha e tranzicionit demografik vazhdon me trendin negativ, dukuri kjo e cila duhet të jetë alarmuese për të ardhmën e këtij vendi Po, një trend i tillë për njohësit e rrethanave shoqërore në Mal të Zi,  nuk paraqet ndonjë befasi por  vazhdimësi e periudhes  së mëhershme.  

Depresioni demografik

Gjendja ekzistuese në Mal të Zi në sajë të rritjes së mortalitetit vlerësohet si  depresion demografik, ndërsa nëse  kësaj kategorie i shtojmë edhe migrimin e popullsisë në drejtim qendrave tjera si p.sh.Podgorica, apo emigrimin në botën e jashtme, del se kemi të bëjmë me një pasiguri psikologjike për të ardhmën e popullsisë në këtë vend.
Të dhënat statistikore të prezantuara nga MONSTAT-i të cilat  përpunohen sipas metodologjisë evropiane, dëshmojnë së popullsia në Mal të Zi ka hyrë në fazën e moshënimit, nga del se mosha mesatare e popullsisë është rreth 38 vjeçe, me trend për rritje të metutjeshme. Kësaj dukurie është duke i ndihmuarpapunësia, migrimi i popullsisë së re dhe martesat e vonuara të te rinjëve duke ndikuar në rritjen e kategorisë së të moshuarve, të cilët i kanë mbetur besnik vendbanimeve të tyre.

Regjioni verior drejt shpopullimit

Të dhënat e publikuara dëshmojnë se gjendja kritike është në 18komuna, ndërsa në aspektin regjional, gjendja më e pavolitshme është në regjionin verior, i cili është edhe më i pazhvilluari ekonomikisht.

Nëse krahasojmë të dhënat nga regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, del se rënie më të lartë demografike është shënuar në veriun e Malit të Zi, sepse në vitin 1948, në këtë regjion kanë jetuar 47.3% e popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, ndërsa në vitin 2011 ishte 28.7%,  e dhënë kjo e cila viteve të fundit vazhdon më rënie të vazhdueshme. Ndërsa nëse analizojmë aspektin territorial, del se mbi 50% e territorit të Malit të Zi, banohet nga më pak së një e treta e popullsisë së përgjithshme, duke marrë përmasat e shpopullimit demografik.

Ndonëse qeveria ka treguar ndjeshmëri të paktën në aspektin mediatik, për  investime kapitale, madje duke i dhënë përparësi veriut, por siç duket të dhënat e tilla më tepër janë deklarative se sa praktike, në lidhje me zhvillimin ekonomik të veriut, sepse migrimi i popullsisë vazhdon. Andaj, nevojitet një strategji ezhvillimit regjional  me mbeshtetje financiare, që do të ishte në favor të popullsisë vendore për të qendruar më tutje në vendbanimet e tyre, në të kundërtën migrimi në drejtim të Podgoricës, dhe bregdetit në jug do të vazhdojë të jetë dukuri normale.

Shqiptarët  të rrezikuar

Përveç të dhënave të përgjithshme sipas komunave, nuk kemi të dhëna në aspektin nacional e as fetar, që janë të nevojshme për analiza demografike. Por, duke ditur strukturën nacionale të popullsisë sipas komunave, del qartë së kjo dukuri e ka përfshi edhe popullsinë shqiptare në këtë mjedis.

Ndonëse është komuna ma më tepër shqiptarë në Mal të Zi, një dukuri e tillë e ka përfshi edhe komunën e Ulqinit, që është e vetmja në bregdet duke stagnuar sa i përket shtimit të popullsisë, që  shpjegohet me natalitetin e ultë dhe emigrimin e vazhdueshëm në botën e jashtme.

Ndërsa për viset tjera shqiptare pothuaj kemi shpopullim të plotë të vendbanimeve, ku ma i theksuar është  në krahinën e Krajës, sidomos në këto dy dekadat e fundit, ku në Anën e Sipërme, ku bën pjesë edhe Shestani, disa vendbanime janë pa banorë, e si të tillë i takojnë gjeografisë historike. Nga ana tjetër   Malësia është e njohur edhe me hërët si krahina me emigrim konstant, nga del së malësorë ma tepër ka disa herë ma shumë në botën e jashtme(SHBA) se sa në vet Malësinë. Dukuria e tillë më herët ka përfshi edhe Malësinë e Rozhajës dhe atë të Plavës e Gucisë, ku këtu ka qenë e pranishme pothuaj tash një shekull, por këtu duhet shtuar edhe dukurinë e asimilimit në boshnjak, çështje kjo e cila meriton një qasje të veçantë.

Në sajë të analizave te të dhënave duke e ditur se shqiptarët në popullsinë e përgjithshme   në Mal të Zi janë pakë(5%), murtaja e bardhë ata i rrezikon ma së shumti,përkatësisht  ekzistencën  e tyre biologjike në këtë mjedis.Më një fjalë shqiptarët janë duke përjetuar dy trende negative, e para, duke  u zvogëluar numërikisht, dhe e dyta, duke u rrudhosur në aspektin territorial, me pasoja shumëdimensionale si asnjë popull tjetër në Mal të Zi.

Mungojnë masat preventive

Ndonëse një dukuri e tillë ka vite që është bërë pothuaj trend bashkëkohor, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë ndonjë reagim nga strukturat qeveritare.Nga një qendrim i tillë joserioz del se kemi të bëjmë me një çështje e cila iu është lënë familjeve si çështje e tyre autonome. Por, duke pasur parasysh rrethanat shoqërore, ekonomike e sociale të pavoltshme të pjesa ma e madhe e popullsisë, formimi i familjeve të reja paraqet sfidë për çdo të ri.

Në lidhje me diskursin demografik, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë se institucionet shtetërore kanë treguar ndonjë  shqetësim për të dhënë propozimekonkrete siç do të ishin ofertat ndaj çiftëve të reja, që do të ishte në favor të natalitetit dhe zvogëlimit të migrimit dhe emigrimit të popullsisë së re.

Ndërsa pezullimi i vendimit të Kuvendit të Malit të Zi për mbeshtetje financiare në formë të pensioneve për grate të cilat kanë lindur tre e më shumë fëmijë, është dëshmi e mos interesimit për çështjet demografike, në këtë mjedis.

Përfundimisht murtaja e bardhë e cila ka përfshi Malin e Zi në 18 komuna, me tendencë për të përfshi edhe komunat tjera,  duhet të jetë shqetësim për strukturat qeveritare, andaj është koha që këtij problemi duhet qasur sa më parë duke dëshmuar seriozitet profesional dhe qeveritar. Kjo çështje nuk duhet të jetë preokupim vetëm për ministrinë e punës dhe çështjeve sociale, por e tërë kabinetit qeveritar, duke marrë masa preventive, sa nuk është bërë vonë.

(Korrik 2019)