Dëshmi arkivore mbi pronat në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi

Hajrullah Hajdari, PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi, Botoi:Art Club, Ulqin, 2019

Pas dy botimëve të mëparshme  “Shqiptarët në Malë të Zi nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1941”(2016) dhe “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 e deri më  1915(2018), ditë më parë Hajro Hajdari opinionit i prezantohet më botimin emë të ri me titull “PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Botuar nga Art Club-i, Ulqin, 2019. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një temë interesante e cila deri më tash ka qenë pothuaj e panjohur për opinion e gjerë, andaj si e tillë është intriguese për lexuesit. Fjala është për pronat dypalëshe të qytetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fillimisht autori trajton semantikën e terminologjisë juridike të pronave dypalëshe e cila është trajtuar pak në literaturën juridike, andaj ka mbetur në margjina të çështjeve të tilla duke dhënë informacione të mjaftueshme në aspektin terminologjik dhe ate juridik. Me themelimin e shtetëve të pavaruara  në shek.XIX, në Europën Juglindore në opinion u paraqit edhe koncepti i zonave kufitare, ku përveç të ndonjë rastitë veçantë  nuk ka qenë objekt i hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme shkencore.

Në këtë botim fillimisht autori trajton përcaktimin kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke filluar me Kongresin e Berlinit(1878) dhe më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), më çrast vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Vendimet e tilla absurde të Fuqive të Mëdha  ndikuan që një numër i konsideruar i popullsisë e viseve shqiptare të mbesin jashtë shtetit amë-Shqipërisë. Një veprim i tillë ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën etnike e historike të popullit shqiptar ku padrejtësisht u vendos kundër vullnetit tyre. Dhe një veprim i tillë, ndikoj që Shqipëria të kufizohet më popullin e vet, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në lidhje me këtë çështje autori ofron të dhëna me interes, në diakroni e sinkroni para Luftës së Parë Botërore,  pas saj deri në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas që përmbyllet me vitin 1948. Në periudhat në fjalë janë arritur marrëveshje në mes dy vendëve ku si model pozitiv mund të shërbejë koha në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë Jugosllave e asaj të Shqipërisë, ku janë miratuar marrëveshje  të ndryshme të cilat ishin në favor të qarkullimit ndërkufitar të popullsisë në zonën kufitare e cila ishte kryesisht shqiptare. Fjala është për distancën 10km nga kufiri ku popullsia përkatëse në vendkalimet kufitare kalonte për të shkuar në treg, punimin e tokave, bartjen e prodhimeve bujqësore, përdorimin e kullosave etj. Përveç vendkalimeve zyrtare kufitare kanë ekzistuar edhe vendkalime kufitare jozyrtare, që ka të bëjë me perdorimin sezonal, kryesisht të prodhimeve bujqësore.

Kështu nëse analizojmë vendkalimet e tilla të zonës kufitare nga liqeni i Shkodrës e deri në Grykë të Bunës, del se kanë ekzistuar 8 vendkalime të tilla, ku nga to 4 ishin tokësore e 4 ujore. Një e dhënë e tillë dëshmon për demokracinë e ekzistuar praktike për qarkullimin ndërkufitar e dhënë kjo e cila nuk ka ekzistuar nga viti 1948 e më pas, kur kjo zonë humbi përmbajtjën e saj sepse kanë dominuar interesat ideologjike e jo ato kombëtare nga ana e shtetit amë-Shqipërisë, që ka pasur pasoja të mëdha për atë kohë, ku autori më të drejtë e quan “gjenocid social”.

Për  përgatitjen e këtij botimi autori përveç literaturësprofesionale të cilën e ka konsultuar, në veçanti ka përdorur materialet arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Arkivi Shetëror i Malit të Zi, të cilat pas hulumtimit dhe përpunimit të tyre ka ofruar të dhëna me interes, të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Me interes janë prezantimi i materialeve të Komisioneve mikste shqiptaro-jugosllave për çështjet pronësore të cilat kanë qenë aktive deri në vitin 1948, duke përfunduar me vitin 1953. Po ashtu me vlerë të veçantë janë paraqitja e regjistrave të familjeve të shtetasve shqiptarë që kanë pronat në Jugosllavi, dhe e kundërta e shtetasve jugosllavë, më përkatësi të kombësisë shqiptare në Shqipëri. Regjistri i tillë ka vlerë të veçantë jo vetëm sa i përkët pronësisë së tokave përkatëse, por edhe shpërndarjën territoriale të tyre nga Shtoji i Ulqinit në jug e deri në Guci e Plavë në veri për gjatë zonës kufitare në gjatësi prej 172 km. Nga të dhënat e prezantuara del se më së shumti prona dypalëshe kanë shqiptarët nga Mali i Zi në Shqipëri rreth 4000 ha, ndërsa më pak kanë shqiptarët nga Shqipëria në Mal të Zi rreth 600 ha.

Pasi nga viti 1948, u prishën marrëdhëniet në mes ish-Jugosllavisë e Shqipërisë për shkaqe ideologjike dhe politike, pasojat e para u hetuan në zonën kufitare, sepse u pengua qarkullimi i lirë përmes lejës së kufinit dhe shfrytëzimit të pronave dypalëshe, duke mbetur zona të izoluara,  të rrezikshme dhe të papërspektivë. Madje pronat e tilla humben  përmbajtjën e mëparshme sepse shumë prej tyre u shtetëzuan, apo iu janë dhënë të tjerëve për shfrytëzim si kompensim për pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kështu  p.sh.në Anë të Malit, Krajë e gjetiu, pronat e tilla që ishin në shfrytëzim, njiheshin si “toka të Shqipnisë”, ku  këtë tretman e vazhduan një periudhë të caktuar kohore, ndërsa më vonë u regjistruan në katastër  si pronarë “legjitim” të tyre që ishte në kundërshtim flagrant ligjor, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Ndërsa pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit dhe qarkullimit të lirë të personave në mes dy vendëve, filloi interesimi për pronat legjitime në të dy anët e kufirit. Në këtë aspekt  ndonëse me një vonesë të konsideruar ekziston  baza ligjore për të zhvilluar proceset e tilla gjyqësore, për të iu rikthyer pronat pronarëve legjitim, por mungon marrëveshja shtetërore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, përveç me pakujdësi dhe joseriozitet profesional. Sepse pavarësisht rrethanave shoqërore prona mbetët e shenjtë dhe si e tillë duhet të iu kthehet pronavëve legjitim. Vetëm ne këtë formë të veprimit përmes gjykatëve vendore, shtetëtore e madje deri të ajo ndërkombëtare në Strasburg, do të eliminohej një padrejtësi e imponuar dekada më parë, që është në kundërshtim flagrant ndaj të drejtave legale e legjitime të qytetarëve të zonës kufitare.

Andaj, duke uruar autorin  këtë botim e vlerësojmë në mënyrë të veçantë sepse është i pari me një përmbajtje të tillë, ku besoj së do të jetë një impuls pozitiv për hulumtues të tjerë që duan të merren me një çështje të tillë në zonën kufitare. Nuk ka dilemë së një çështje e tillë sa është profesionale është edhe kombëtare, sepse ka të bëjë me  popullsinë shqiptare në zonën kufitare në të kaluarën e deri në ditët tona.

Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje duhet mbeshtetur të gjithë ata që do të angazhohen studime e hulumtime të tilla  në të ardhmën  duke mbetur si mision profesional dhe kombëtar sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Dr. Nail Draga

(Lexuar më rastin e përurimit në Ulqin, më 29.6.2019)