Kujt i pengon flamuri shqiptar?!

Historikisht në Mal të Zi ka ekzistuar një urrejtje patologjike ndaj flamurit shqiptar dhe është bërë vazhdimisht përpjekje për të krijuar një dallim (ndarje) ndërmjet shqiptarëve që sot jetojnë në Malin e Zi dhe atyre në vende të tjera.

Nga Ismet Kallaba

Nuk kalon një ose dy muaj që përdorimi i flamurit shqiptar, në mjediset private ose publike, të mos bëhet temë debati e politikës dhe mediave malazeze duke e konsideruar atë si rrezik për shtetin e Malit të Zi, tërësinë territoriale të tij dhe popujve që jetojnë në të.

Rasti i fundit është ai i ndodhur me rastin e manifestimit “Logu i Tërgajës 2019”, me ç’rast Ministria e Kulturës paralajmëroi se do të ngrejë aktpadi ndaj organizatorëve të këtij manifestimi, me arsyetimin se nuk është përdorur edhe flamuri i Malit të Zi krahas atij të një shteti tjetër, domethënë të Shqipërisë. Në fakt, ekziston një keqinterpretim i qëllimshëm i organeve shtetërore të Malit të Zi të cilat flamurin kombëtar shqiptar e trajtojnë si simbol të një shteti tjetër, pavarësisht se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve si institucion përfaqësues i shqiptarëve është deklaruar zyrtarisht se flamuri kombëtar është simbol nacional i shqiptarëve në Malin e Zi.Në favor të këtij argumenti flet edhe fakti se pavarësisht se Kosova ka flamurin (simbolin) e vet shtetëror, flamuri kombëtar përfaqëson simbolin nacional të shqiptarëve të Kosovës.

Historikisht në Mal të Zi ka ekzistuar një urrejtje patologjike ndaj flamurit shqiptar dhe është bërë vazhdimisht përpjekje për të krijuar një dallim (ndarje) ndërmjet shqiptarëve që sot jetojnë në Malin e Zi dhe atyre në vende të tjera. Kujtojmë se në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në kohën kur përdorimi i flamurit shqiptar ishte i ndaluar, ka pasur ide të nxitura nga pushteti malazez, por të përqafuara dhe të prezantuara edhe nga vetë përfaqësuesit politikë shqiptarë të kohës, që shqiptarët në Malin e Zi të përdorin një shenjë dalluese në flamurin shqiptar. Diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit duke e pëçudnuar shqiponjën dykrenare me yllin e verdhë komunist.

Por nëse përpjekjet e tilla mund t’i atribuohen monizmit dhe ideologjisë komuniste të kohës, një gjë e tillë në sistemin e sotëm gjoja demokratik, që propagandohet me të madhe nga pushteti në Mal të Zi, nuk mund të përligjet. Pushteti në Mal të Zi duhet ta ketë të qartë se flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare është simboli që i bashkon shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Pushteti malazez vazhdon t’i frikësojë shqiptarët me dënime me gjoba me shuma marramendëse për përdorimin e flamurit shqiptar, pa atë malazez, qoftë edhe në kulmet e shtëpive të tyre, me rastin e festës kombëtare, siç është Dita e Flamurit, manifestime të ndryshme etj. Përvoja na tregon se kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve, të gjitha forcat politike, qofshin ato promalazeze apo proserbe, janë unike kundër kërkesave të tyre. Shembulli më i mirë për këtë është mos aprovimi i Propozim-ligjit mbi ndryshimet e Ligjit për rendin dhe qetësinë publike nga Kuvendi i Malit të Zi, në fund të vitit të kaluar, kur edhe ato forca politike që e kanë gojën plot demokraci dhe gjoja luftojnë për të drejtat e njeriut dhe pakicave, votuan kundër. Më pas, sanksionimi përmes ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit mbi simbolet shtetërore dhe Ditën e shtetësisë në Kuvendin e Malit të Zi, me ç’gjë sipas Qeverisë së Malit të Zi është bërë harmonizimi me Ligjin mbi zgjedhjen, përdorimin dhe theksimin publik të simboleve nacionale, ka tkurrur hapësirën ligjore edhe ashtu të vogël të përdorimit të flamurit shqiptar. Në këtë amulli ligjore, policia dhe organet tjera shtetërore i kanë de facto duart e lira të keqpërdorin pozitën e tyre dhe në situatën e tanishme varet nga vullneti dhe dëshira e tyre nëse do të dënojnë apo jo dikë në rast të përdorimit të flamurit shqiptar. Janë me dhjetëra raste të shqiptarëve të dënuar për përdorimin e flamurit shqiptar. Ndaj këtyre rasteve, përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë dhe Kuvendin e Malit të Zi, partive politike shqiptare etj. kanë reaguar në përgjithësi nëpërmjet deklarateve për shtyp. Por a mjaftojnë ato?! Kujt duhet t’i besojnë shqiptarët nëse rastet e tilla të dënimit për përdorimin e flamurit shqiptar përsëriten kohë pas kohe?!

Politika shqiptare në Mal të Zi duhet të ketë një vijë të kuqe dhe flamuri shqiptar është ajo vijë e kuqe nën të cilën çdo pjesëmarrje e partive shqiptare në pushtetin qendror bëhet e pakuptimtë. Nëse shteti i Malit të Zi nuk e nderon flamurin tonë kombëtar, atëherë nuk na respekton as ne si komb shqiptar, as si individë dhe qytetarë të tij. Logjika e shëndoshë nuk arrin të kuptojë se kë frikëson dhe kujt i pengon flamuri shqiptar?!