Partia e parë politike e popullatës shqiptare në Mal të Zi


​(Me rastin e 29-vjetorit të themelimit të LD në MZ)
Me legalizimin e pluralizmit politik në Mal të Zi, formimi i partive politike u bë më tepër nevojë e kohës sesa nevojë objektive. Numri i partive politike qysh në fillim i tejkalonte nevojat reale të “tregut politik malazez”. Kjo dukuri deri diku është e zakonshme për vendet në tranzicion, vendet me kundërthënie më të shprehura kombëtare, kulturore dhe konfesionale si dhe vende me një ngecje më të shprehur në rrafshin ekonomik. Kështu në Mal të Zi brenda një periudhe të shkurtër kohore u paraqitën një numër relativisht i madh i partve politike, që përfaqësonin në garat zgjedhore shtresat e ndryshme shoqërore, etnitetet dhe bashkësitë kulturore e konfesionale.
Paraqitja e partive politike shqiptare në Mal të Zi, nuk është dhe nuk guxon të trajtohet si çështje teknike, vetëm si rezultat i ndryshimeve në ish-Federatën jugosllave. Në qoftë se kemi një qasje sipërfaqësore ndaj organizimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, shumë lehtë mund të gjendemi në grackën e mosnjohjes së realitetit të kësaj pjese të kombit që jeton në trojet e veta shekullore dhe luan rol tepër të rëndësishëm në mbrojtjen e kauzës kombëtare. Organizimi i shqiptarëve në parti politike nuk guxon të kuptohet si modë apo trend i kohës, por si angazhim i logjikshëm i popullit shqiptar në Mal të Zi, për mbrojtjen e qenies kombëtare dhe krijimit të parakushteve të duhura për një perspektivë më të sigurt. Ajo që ishte fisnike për organizimin politik të shqiptarëve është fakti se shqiptarët e Malit të Zi organizimin partiak e kupzuan si luftë të ideve dhe programeve që nënkupton afirmimin e të veçantës në të mirë të së përgjithëshmes.Dhembjet e lindjes së pluralizmit shqiptarë ishin shumë më të mundimshme sesa të tjerëve. Shqiptarët ballafaqoheshin me pasojat e konservatorizmit malazez si shtet dhe si komb. Nga ana tjetër, momenti historik dhe gjendja politike impononin organizimin paralel politik të “shumicës së vogël” dhe “pakicës së madhe”. Kështu duhet gjithsesi të shtohet edhe ajo se në ato momente shqiptarët ishin “çelësi” që i hapte dyert e pluralizmit të njëmendtë në Mal të Zi. Nga ata varej organizimi politik në parti kombëtare i etniteteve tjera.
Në këtë kontekst duhet përmendur qëndrimin joparimor ndaj pluralizmit, që ishte në lindjen e sipër nga strukturat konservatore shtetërore. Edhe pse tanimë ishin formuar disa parti të ashtutëquajtura qytetare dhe kombëtare malazeze, ndaj shqiptarëve ushtrohej një trysni politike që ata të heqin dorë nga organizimi i mëvetësishëm politik. Me fjalë të tjera, malazezët në fillimin e viteve nëntëdhjet dëshironin t’ua imponojnë shqiptarëve një organizim politik të dozuar, të kontrolluar edhe nga brenda edhe nga jashtë, nga vetë malazezët. Ata në mënyrë të pandërprerë ushtronin trysni psikike ndaj udhëheqjes së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi se kjo parti është etnikisht e pastër, duke aluduar në atë se për parti të tilla nuk ka vend në nënqiellin plural të Malit të Zi, nga shkaku se ato e rrezikojnë shtetin dhe qenien kombëtare malazeze.
Partia e parë politike që i artikuloi interesat e popullatës shqiptare në Mal të Zi, ishte Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Pas disa përgaditjeve paraprake, në Tuz të Malësisë përfaqësuesit nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, me 9 shtator të vitit 1990 themeluan subjektin e parë politik shqiptarë: Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, me kryetar Mehmet Bardhin. Fillimisht duhet cekur se kjo parti për një kohë të shkurtër dëpërtoi në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare në Mal të Zi dhe diasporë. Popullata shqiptare edhe pse jetonte nën ethet e torturave të monizmit e përqafoi LD në MZ-i si “foshnjë të lindur pas kohe” dhe tërë energjinë e vet pozitive e vuri në shërbim të saj.
Për një kohë të shkurtër kjo parti i mori të gjitha karakteristikat e një lëvizje gjithëpopullore. Ajo për një kohë të shkurtër në radhët e veta rekrutoi pjesën më të madhe të shqiptarëve të interesuar për rrjedhat politike në vend, pa mos bërë pothuajse kurrfarë përzgjedhje dhe pa mos mbajtur llogari se vallja sa më e madhe që bëhet, aq më të realta janë mundësitë që për shkak të hapësirës manovruese si e tillë të ndahet në më shumë valle të vogla. Fillimisht ishte vështirë që shqiptarët të kuptojnë se partitë politike prej momentit kur kandidojnë kandidatë të vetë në garat zgjedhore për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit, gradualisht veçohen nga masa (anëtarësia) dhe vihen në shërbim të grupeve më të vogla që artikulojnë, përveç interesit të përgjithshëm që e proklamon partia, edhe shumë interesa të veçanta që shpeshherë vihen mbi interesin e përgjithshëm.
Në fillim mendohej se një parti politike është e mjaftueshme për artikulimin e interesave të shqiptarëve në Mal të Zi, krahas formimit të degëve dhe të nëndegëve që nuk paraqiste ndonji problem të veçantë, lindnin edhe oligarkitë lokale, rajonale e qendrore të cilat në mënyrë të papërshkruar burokratizoheshin dhe mbylleshin në vete. Çdo gjë jasht LD në MZ-i kualifikohej si element i dyshimtë. Pra, krahas tendencave tepër të sinqerta të popullit për një bashkim dhe mobilizim të mirëfilltë, brenda strukturave partiake të cilat tanimë e kishin nuhatur “mermin e kolltukëve” zhvillohej një luftë e qetë, por mjaftë e egër për pozicione. Nga ana tjetër, ishte shumë vështirë që në të njejtën kohë shqiptarët të jenë për pluralizëm partiak brenda shtetit, ndërsa kundër pluralizmit partiak brenda vetvetes.
Përfundimisht duhet thënë se pas formimit të LD në MZ të cilën lirishtë mund ta quajmë edhe dallëndyshe të pluralizmit shqiptar në Mal të Zi, me kalimin e kohës në saje të mosmarrëveshjeve të brendshme partiake u ballafaqua me lëvizje fraksioniste mjaftë të fuqishme që kulmuan me ndarje dhe përçarje. Pra, kjo parti e cila në fillim i kishte të gjitha karakteristikat e një lëvizje kombëtare dhe në vitet e para të veprimit politik e tronditi opinionin e brendshëm por edhe më gjërë, nuk pati fuqi mobilizuese, e aq më pak sens politik të krijojë kushte për krijimin dhe funksionimin legal të fraksioneve brenda kësaj partie, që me siguri për momentin e dhënë do të kishte qenë shumë më e dobishme sesa ndarja që ndodhi kur rryma e fortë pas shumë akuzave dhe peripetive formoi partinë Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Ulqin, 9 shtator.
Qani Osmani