Zenka dhe Gjeloshaj: Flamuri shqiptar do të vazhdoj të valëvitet

Flamuri shqiptar do të valëvitet edhe në të ardhmen në Malësi, kanë deklaruar Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Mehmed Zenka dhe Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

Lidhur me përdorimin e flamurit shqiptar, i cili në Mal të Zi sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, është ende i ndaluar, Zenka dhe Gjeloshaj kanë deklaruar se flamuri shqiptarë do të valëvitet edhe në të ardhmen.

Sipas tyre nuk ka asgjë të diskutueshme rreth përdorimit të flamurit shqiptar pa atë malazez, siç ishte rasti i fundit muajin e kaluar në manifestimin në Tërgaja. Ata kanë theksuar se kjo është në përputhje me ligjin.

Megjithatë, për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar në aktivitetin në Tërgaja, Ministria e Kulturës së Malit të Zi ka ngritur padi penale për organizatorin e manifestimit.

Në të kaluarën janë shënuar disa raste në Malësi dhe Ulqin, ku qytetarët janë gjobitur për shkak te përdorimit të flamurit shqiptar.

Megjithatë Kryetari Gjeloshaj është shprehur se nuk ka asnjë ndalim ligjor.

“Nuk ka asnjë ndalim ligjor për valëvitjen e flamurit shqiptar. Ai është flamuri i shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi”, ka thënë Gjeloshaj.

Të njëjtin opinion ndau edhe Ministri Zenka

“Vetëm që ta dini se flamuri shqiptar do të vazhdojë të përdoret”, shtoi Zenka.

Gjatë vizitës së sotme në Tuz, ministri Zenka është takuar me kryetarin Gjeloshaj, kryetarin e Kuvendit Fadil Kajoshaj dhe nënkyretarët e komunës Ivan Ivanaj dhe Haris Ramoviq.

Gjeloshaj, falenderoi ministrin Zenka për vizitën e tij si dhe e njoftoi atë me punën e deritashme të komunës dhe planet për të ardhmen.

“Komuna e Tuzit së bashku me Qeverinë e Malit të Zi, do të vazhdojë bashkëpunimin për të mirë të qytetarëve”, theksoi Gjeloshaj. /MALESIA.ORG/