“Politika është diçka shumë serioze për t’u lënë vetëm në duart dhe në fatin e politikanëve”, ka thënë diplomati dhe presidenti i dikurshëm frances, Sharl de Gol, gjë që mjerishtë po ndodh me shoqërinë shqiptare në përgjithësi, të cilët janë të kapur nga partitë politike, andaj dhe s’mendojnë me kokën e vet, por me “kokën” e tyre. Shumica e popullatës shqiptare mendon se “politika u takon politikanëve”, ndërsa ata janë vetëm një masë amorfe, për të votuar ekskluvisht gjatë zgjedhjeve, dhe se detyra apo mandati i tyre përfundon me kaq. Populli, pasi e jep verdiktin për të drejtuar politikanët me shtetin, mbyll sy e vesh, bëhet indiferent dhe tolerant tej mase, deri në zgjedhjet e radhës.Nepotizmi gjatë punësimit është sistemi i udhëheqjes, ku e mira gjithmon i dhurohet një individi, një klani apo një grupi ose një pjese të shoqërisë.
Është më se e vërtet se populli është punëdhënësi i politikanit apo politikanëve. Populli është sovran. Populli përzgjedh dhe zgjedh përfaqësues, të cilët do të qeverisin me vendin në të cilin jeton dhe vepron populli dhe politikanët. Fuqia e politikanit është në duar të popullit. Populli me votën e tij merr dhe jep pushtet. Kur ta sheh politikani veten në pasqyrë, në të vërtet e sheh fytyrën e popullit.
Rjedhimisht, në rat se gabojnë dhe korruptohen politikanët tanë, me të drejtë mund të na thonë se mandatin nuk na e solli lejleku prej qiellit, por populli që të paktën me trup gjendet në tokë. Parimisht, sukseset dhe dështimet përgjatë qeverisjes së tyre, bien mbi supet e popullit, i cili në të shumtën e herëve votoi verbërisht dhe duartrokiti jo për fjalimin e urtë dhe domethënës, por sepse dëgjoi rrapallimat e duartrokitjeve! E keqja e këtij parimi të mirë është se politikanët tanë vetëm kur të gabojnë dhe kur të vihen në tehun e akuzave të mprehta, kujtohen për popullin apo për qytetarët. Thonë, qytetarët na votuan, edhe pse nuk kujtohen të mendojnë se çka vepruan që jeta e qytetarëve të jetë më e lehtë, më e mirë, më e pasur dhe më e dinjitetshme.
Për politikanët tanë mjafton vota dhe jo arsyetimi i votave, kurse qytetarëve duket se nuk i mjaftojnë mashtrimet rafal të politikanëve, përndryshe do t’i dënonin ata që radhazi po i dënojnë me paaftësi dhe krim qytetarët! Pikërishtë kur të zihen ngushtë me përmendjen e dështimeve të shumta, kujtohen se pushteti nuk është vetëm i tyre, por edhe i atyre që e ligjësuan këtë pushtet përmes përkrahjes dhe votave. Kanë të drejtë, edhe pse këta nuk shprehen kështu duke u mbështetur në këtë parim të drejtë. Me këtë të drejtë, këta synojnë mashtrimin. Ndërsa, nëse e veprojnë një të mirë të vetme për popullin, këta sikur të jenë bilbila të malëve të pashkelura, ua japin këngës që vështirë se edhe në dimër ndalen. Nuk lodhen së lavdëruari. Flasin në veten e parë, pasi që në vitin e parë të shkollës së mesme nuk i njihnin si duhet përemrat vetorë.
Eshtë tejet e pandershme kur të thotë një politikan se unë ta bëra këtë e atë të mirë. Po mirë ore i nderuar politikan, ty kush ta bëri të mundur që karrocën me kuaj dhe ta shëndërrosh në limuzinë dhe për çka? Piten me asgjë në picë të shtëpisë dhe për çka? Mos harro se se populli ishte ai që të nxori nga balta në pllaka të granitit dhe ti harrove se për çka të zgjodhi populli. Ti i nderuar politikan duhet të jesh mirënjohës ndaj popullit dhe huamarrës i madh që të paktën as çerekun e premtimeve nuk i zbatove. Sigurisht, nëse popullin e mashtrove një herë, turp të qoftë një mijë herë. Kurse, nëse atë e mashtrove dy herë, turp i qoftë popullit dy mijë herë.
Natyrisht, ti ishe i papunë apo kishe një punë mjerane. Populli ta dha votën dhe pastaj ty të erdhi mundësia që të punësohesh, edhe pse shumë shpejtë i harrove. Kësisoj, nëse është puna për mirënjohje, atëher fillimisht politikanët duhet t’i falenderohen shumë populli punëdhënësit dhe krejt në fund përciptazi populli mund t’i thotë faleminderit për punën e kryer me nder. Fundja, populli mund t’i thotë faleminderit që frymëmarrjeve të tyre nuk i vunë tatim, sepse edhe kjo mund të ndodhë në vendin tonë të çudirave.
Habitem me disa njerëz që shumë lehtë janë të prirë të nënshtrohen. Madje do të habitesha nëse edhe me vështërsi nënshtrohen në shkëmbim të një interesi material. Thuajse lideri partiak, deputeti apo kryetari i komunës i futi në punë në ndërmarrjen e tyre private apo ia dha arën e babait për ta punuar. Këta çmenden duke i lavdëruar se ja ai politikan e ka punësuar dikend. Populli i varfër për mend, haron se fillimisht në punë politikanët u futën në punë prej tyre dhe se roli i politikanit përmes politikave të drejta dhe zhvillimore është të krijojë vende të reja të punës, shtet të fuqishëm për drejtësi të përgjithshme dhe klimë të përshtatshme për investime vendore dhe të huaj.
Populli është punëdhënësi i politikanëve, këtë mos e harro o qytetar i mirë. Përse politikanët nuk e lavdërojnë fillimishtë popullin, por vetëm populli i lavdëron politikanët? S’ka dyshim se kjo flet për injorancën tonë edhe përgjatë të drejtave tona. Kjo flet dhe dëshmon se disa qytetarë shqiptar nuk i dinë të drejta e tyre. Ata edhe për frymëmarrjen e tyre, në vend se t’i jenë mirënjohës Zotit, mendojnë se meritorë të këtij procesi fiziologjik janë politikanët. Zgjohu qytetar, njihe dhe vlerësoje veten fillimisht. Po nuk e njohe veten dhe fuqinë tënde, atëher mos u dëshpëro kur tjetri lehtësisht shpërdoron me dinjitetin dhe fuqinë tënde!