37 vjet më parë vdiq Kolë Rroku Gjokaj, arsimtar i dalluar në Malësi e Kosovë

37 vjet më parë vdiq Kolë Rroku Gjokaj Arsimtar i dalluar në Malësi e Kosovë me vlera njerëzore e profesionale

Nga Gjekë Gjonaj

Të gjithë e dimë që do të vdesim një ditë, por më të mirët janë ata që lënë diçka për t’u kujtuar, edhe për shumë kohë pas largimit të tyre fizik. Kolë Rroku Gjokaj nga fshati  Muzhek i Trieshitka ikur vetëm fizikisht, para  37- vitesh   në moshën 33 vjeçare.  Iku një mësimdhënës i dalluar. Një koleg i dashur. Një mik i shtrenjtë me të cilin ndamë shumë kujtime të kohës. Herë – herë të gëzuara, herë-herë të  hidhura. Një njeri i shkëlqyer për të gjithë ne, që patëm privilegjin  ta kishim mik, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Një djalë shembull. Modest.  Ndryshe nga të tjerët. Gjithmonë i buzëqeshur. Me  prindër. Me vëllezër e motra. Me farefis.  Me shokë. Me kolegë. Me nxënës.  Me miqtë. Në shpirt ishte fisnik. I sinqertë. Si i tillë gëzonte respekt të merituar kudo ka jetuar e ka punuar, në Triesh, Malësi e Kosovë.  

Kola ishte  fëmiu i parë i çiftit Rrok e Mri Gjokaj. Lindi më 21 nëntor 1949.   Prej fëmijërisë së hershme  jetoi një jetë të vështirë në majën e lartë  të Sukës së Grudës.  U përballë  me shumë halle e probleme.  Në moshën 13  vjeçare, për shkak të rrethanave familjare,  Kolës i takon detyra shumë e rëndë e  kryeshtëpijakut  të familjes prej shtatë anëtarësh,   nënës ,  tre vëllezërve   dhe dy motrave. Të  gjithë më të vegjël se ai. Ishte kjo një barrë shumë e rëndë për Kolën, duke ditur moshën e mitur të tij.

Mësimin fillor e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Shkollën Fillore ‘’Gjergj Kastrioti Skënderbeu’’ në Triesh.Mrija, nëna e Kolës, edhe pse jetonte shumë vështirë, në varfëri të madhe, e  kushte të mjerueshme,  ishteshumë e preokupuar që Kola gjithsesi  ta vazhdojë shkollimin. Ajo për t’ia arritur këtij qëllimi  i drejtohet  për këshillë   Gjon Gjekë Lucajt (ish-mësues në Triesh)  i cili  ia jep  asaj  një letër të shkruar për t’ia dërguar drejtorit të shkollës normale në Gjakovë, duke kërkuar nga ai  që ta pranonte në këtë shkollë  djalin e saj Kolën edhe pse kishte kaluar afati i regjistrimit. Kur  Mrija shkoi   në Gjakovë , drejtuesit e shkollës normale e kundërshtojnë pranimin e djalit të saj ( Kolës), duke  e bindur me fjalë se ka kaluar afati i regjistrimit dhe se nuk ka vend të lirë. Por Mrija këmbëngul,  duke ua shpjeguar ( pasqyruar) atyre situatën e familjes në të cilën gjendet,   dhe gjithnjë kërkon  e insiston me  çdo kusht që t’ia mundësojnë regjistrimin e Kolës në shkollë. Në fund ata ( drejtoria)  për demonstrim mbushin një kovë me ujë dhe i japin edhe një filxhan plotë me ujë duke i thënë: “Nëse e hedhim edhe ketë filxhan në kovë uji do të derdhet!”.  Mrija u përgjigjet : ,, Atë filxhan mund t’ia vini kovës pas  vekshit dhe uji nuk do të derdhet’’.  Të habitur me përgjigjen urtakeMrisë,  ata shikuan  me habi  njëri – tjetrin dhe  e  pranuan Kolën në shkollën  normale.

Kola shkollën normale e kreu në afat dhe me sukses të shkëlqyeshëm. Duhet  theksuar (veçuar) ndihmën e pashoq të dajës  së Kolës, të ndjerin Vat Marash Tomën me familje (kushëriri i Mrisë) që i bëri Kolës gjatë shkollimit, por edhe të  vëllait të tij Zefit,  i cili më vonë kreu shkollën e tregtisë në Gjakovë.

Pas kryerjes së shkollës normale Kolë Gjokaj punësohet në shkollën fillore në Zym të Hasit, fshat i bukur i Komunës së   Prizrenit. Në të njëjtën kohë  vazhdon studimet në shkollën e lartë pedagogjike për histori dhe gjeografi. Këtë hap Kola e bën jo vetëm për të vazhduar shkollimin e vet, por edhe për të shkolluar edhe vëllain Zefin,  i cili po ashtu atje me sukses dhe në afat e kreu shkollën e mesme të tregtisë.

Kola,pas përfundimit në afat rekord dhe me sukses  të  shkollës së  lartë pedagogjike, kthehet në vendlindje dhe punësohet në Shkollën Fillore ‘’Gjergj Kastrioti Skënderbeu’’ në Triesh, ku punoi deri në vitin 1978,  kur punësohet në Shkollën Fillore ,,Jedinstvo” ( Bashkimi’) në Skorraq– Hot. Dy vjet  më vonë  punësohet në Shkollën Fillore ,,Mahmut Lekiq’’ në Tuz, ku punoi deri në vdekje në vitin 1982. Krahas  misionit të   tij të shenjtë si arsimtar shumë i dalluar  ai  tregon edhe një përkujdesje shumë të madhe  për prindërit e tij, sidomos për motrat dhe vëllezërit e  vegjël.

Roli i  Kolë Gjokajt  ishte shumë i madh në ndërthurjen e vlerave edukativo – arsimore  sidomos për vëllezërit e tij të vegjël. Ai kultivoi në familjen  e Rrok Gjokës  vlera të larta njerëzore dhe arsimore. Falë këtij përkushtimi, vëllezërit e tij  përfunduan studimet akademike. Dhe  jo vetëm kaq, por familja Gjokaj  krijoi  një traditë familjare për arsimimin e brezit të ri, ashtu sikurse i edukoi ai vet. Prandaj,  çdo sukses i kësaj   familjeje  është meritë   e Kolës, për ç ’gjë   vëllezërit, motrat, nipat dhe mbesat e tij  i janë  mirënjohës dhe gjithherë e kujtojnë me mall dhe admirim të posaçëm.

Ashtu siç e kishte  shprehur ndihmesën e pakursyer, dëshirën e madhe  dhe shpresën e zjarrtë, për  t’i arsimuar vëllezërit e motrat  e tij të dashur,  kjo ëndërr e bukur, për fat të mirë, u realizua. Gjatë veprimtarisë së  shkurtër, por shumë të begatshme edukativo – arsimore, Kolavazhdoi edhe studimet në fakultetin e Prishtinës në degën e gjeografisë, por  vdekja e parakohshme e  ndau nga diploma e profesorit të kësaj lënde.  

Arsimtar Kolën sa e kam njohur  unë e ka  karakterizuar  etja e madhe për dije e kulturë dhe   puna e palodhur plotë pasion, Ai do të  mbetet i paharruar si për kolegë ashtu edhe për  të gjitha gjeneratat e të gjitha shkollave ku ka  punuar si në Zym ashtu edhe në Malësi. Sepse   dinte të respektonte çdokënd për punën krijuese. E shihte punën e kolegut me dashuri, duke thënë fjalë miradije aty ku e shihte të nevojshme. Ishte këmbëngulës në punën e vet, por edhe nxitës i krijuesve të rinj. Në nderim të këtyre vlerave  njerëzore e profesionale  të Kolës gjenerata e tij  e studimeve në Gjakovë   sivjet e përkujtoi  atë me rastin e 50 – vjetorit të kryerjes së normales dhe 37 – vjetorit të vdekjes.

E them me bindje se Kolë Rroku Gjokaj edhe pse jetëshkurtër ka lënë kujtimin e një arsimtari të palodhur, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizon, ia kushtoi përgatitjes së brezit  të ri.