Të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi dhe Strategjia e politikës së pakicave (2)

Të kërkohet rregullimi me norma imperative

Është rasti që korniza ligjore zgjedhore të avancohet dhe të aprovohet një mekanizëm institucional i qëndrueshëm dhe i garantuar me Kushtetutën e vendit, i cili do të mundësojë përmirësimin e përfaqësimit të pakicave në bazë të udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare dhe praktikës së mirë të përfaqësimit të pakicave në rajon, si në Slloveni, Kroaci e Kosovë.

Nga Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)

Strategjia e propozuar politike e pakicave, në kapitullin „Qëllimi dhe masat e

Strategjisë“ në fushën e arsimit, mendoj se është e padrejtë dhe nën nivelin e plan-programeve të kohës së mëparshme, ndaj duhet kërkuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve sistemore në fushën e arsimit me qëllim të përmirësimit të plan-programeve mësimore, sidomos të gjuhës shqipe, historisë kombëtare, muzikës dhe artit, e cila do të fuqizohej me një garanci të përgjithshme kushtetuese e jo të lihet në mëshirën e institucionit apo individit.

Në fushën e punësimit, Strategjia gjithashtu e njeh rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së punësimit dhe promovimit të barazisë së kushteve dhe rëndësinë e supozimeve fillëstare kur bëhet fjalë për mundësinë e punësimit të pjesëtarëve të pakicave. Për të arritur këtë qëllim, faktori shqiptar duhet të kërkojë aprovimin e një kornize ligjore imperative me mekanizëm mbrojtës për mosrealizimin, e cila do të sigurojë, së paku, punësimin proporcional të shqiptarëve në administratën publike, organet gjyqësore dhe në organet ekzekutive në të gjitha instancat shtetërore, jo vetëm në vende pune por edhe në pozitat udhëheqëse.

Në fushën e pjesëmarrjes politike të pakicave, propozuesi i Strategjisë i referohet nenit 79 të Kushtetutës së Malit të Zi, sipas të cilit pakicave u garantohet e drejta e përfshirjes autentike në organet ligjvënëse, gjyqësore e ligjzbatuese. Megjithatë, propozuesi e ka hetuar se përkundër aspektit afirmativ ekzistues të përfaqësimit të pakicave, të përcaktuar në infrastrukturën zgjedhore, duhet ndryshuar Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve me qëllim të përfaqësimit adekuat të pakicave (në rastin konkret të shqiptarëve dhe romëve). Këtu me të drejtë shqiptarët duhet të ngulin këmbë dhe të kërkojnë garanci për aplikimin e parimit afirmativ të përfaqësimit të pakicave, së paku në nivelin e të drejtave të arritura, jo gjëkundi por në Mal të Zi, të kërkojnë zbatimin e një prej formulave që janë aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, 1998, 2001, 2002, 2006 dhe 2009, kur shqiptarët siguruan katër ulëse në Parlamentin e Malit të Zi. Është rasti që korniza ligjore zgjedhore të avancohet dhe të aprovohet një mekanizëm institucional i qëndrueshëm dhe i garantuar me Kushtetutën e vendit, i cili do të mundësojë përmirësimin e përfaqësimit të pakicave në bazë të udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare dhe praktikës së mirë të përfaqësimit të pakicave në rajon, si në Slloveni, Kroaci e Kosovë. Për këtë fushë propozuesi ngarkon me detyrë dhe përgjegjësi Kuvendin, pra deputetin shqiptar dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Pa dyshim, obligim dhe përgjegjësi.

Pa marrë parasysh dëshirën e propozuesit, me rëndësi është gatishmëria e pushtetit për kthimin e Ligjit në fjalë në gjendjen e mëparshme dhe kthimi i të drejtave të arritura në këtë fushë. Në të kundërtën, është e ditur se Kuvendi i Malit të Zi mund të funksionojë edhe pa shqiptarë; deputeti, ministri, partitë politike shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të jenë të vendosur, s’ka pse të jenë pjesë përbërëse e atyre institucioneve, duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Edhe në fushën e kulturës dhe identitetit të pakicave, propozuesi i Strategjisë ka vërejtur mangësi dhe ka bërë propozime që ndikojnë pozitivisht në ruajtjen e kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar të pakicave. Një ndër qëllimet e përcaktuara është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për simbolet kombëtare. Ligji i përmendur vite më parë ka qenë në shqyrtim publik, por ende nuk është aprovuar. Ashtu siç është propozuar, neni 8 i Ligjit, përsëri nuk mundëson përdorimin e lirë të flamurit kombëtar. Shqiptarët duhet të kërkojnë që flamuri kombëtar të ngritet në të gjitha institucionet publike, në institucionet shtetërore dhe ekonomike në njësitë vendore ku shqiptarët janë në shumicë. Të mos harrojmë se kjo e drejtë ishte shumë më e avancuar në shtetin e Jugosllavisë komuniste kur flamuri shqiptar, krahas atyre shtetëror e komunist, vendosej edhe në gjykata, edhe në shkolla, edhe në ndërmarrje ekonomike, edhe në polici etj. Në rast se një gjë e tillë do të lejohej, shqiptarët nuk do të fitonin një të drejtë shtesë, por do të kthenin vetëm një të drejtë të arritur më parë. Ky nivel i përdorimit duhet të jetë minimumi i kërkesës së shqiptarëve dhe nuk duhet pranuar asnjë zgjidhje tjetër.

Qellim tjetër i propozuesit në këtë fushë është promovimi dhe zbatimi i zgjidhjeve pozitive ligjore nga fusha e përdorimit të gjuhës së pjesëtarëve të popujve pakicë. Mendoj se kësaj çështjeje duhet t’i kushtohet një vëmendje më e madhe dhe duhet të rregullohet konform standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, veçanërisht duhet marrë për bazë Deklaratën Evropiane mbi gjuhët regjionale dhe gjuhët e pakicave sepse kemi të bëjmë me një të drejtë themelore për shprehjen e lirë dhe pa presion të identitetit kombëtar të pakicave.

Sa i përket përdorimit të gjuhës, veçanërisht të gjuhës shqipe, në administratën shtetërore dhe në gjykata të parapara në Strategjinë e vitit 2008, duhet theksuar se është një bazë e mirë për veprim edhe pse ekzistojnë shumë paqartësi normative dhe hamendësime e posaçërisht mungon mekanizmi mbrojtës i realizimit të këtyre të drejtave, gjegjësisht mungon përgjegjësia për mosveprimin e organeve shtetërore dhe gjyqësore. Për këtë arsye faktori shqiptar duhet fillimisht të definojë pozitën e pushtetit aktual në lidhje me gatishmërinë e shtetit për të marrë përgjegjësinë për zbatimin apo moszbatimin, për shembull, të përdorimit të gjuhës shqipe në gjykatat komunale në Ulqin, Tuz, Tivar apo Guci, udhëheqjen e procedurës administrative dhe  gjyqësore dhe dhënien e vendimit edhe në gjuhën shqipe, të drejtën e mbrojtjes, parashtrimit të kërkesave dhe ankesave në gjuhën shqipe. Thënë ndryshe, baza juridike ndërkombëtare dhe deri diku edhe e brendshme ekziston, por mungojnë mekanizmat mbrojtëse dhe vullneti i shtetit. Prandaj faktori politik shqiptar dhe përfaqësuesit shqiptarë në të gjitha institucionet dhe nivelet e pushtetit patjetër duhet të kërkojnë përgjegjësi për të gjithë ata që nuk e zbatojnë ligjin në këtë fushë dhe të kërkojnë rregullimin me norma imperative të këtyre të drejtave, në të kundërtën me norma deklarative jemi mësuar e jemi kënaqur.

Lidhur me sa ceka më lart, del qartë obligimi dhe përgjegjësia e individëve dhe instucioneve, në radhë të parë e ministrit dhe deputetit shqiptar, e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe partive politike shqiptare, për angazhimin e tyre në përmirësimin e Strategjisë në fjalë dhe zbatimin e kërkesave të shqiptarëve në këtë akt me rëndësi. (Fund)