LDSH: Gjobitja për valvitje të flamurit shqiptar dëshmon shqiptarofobinë e pushtetarëve malazes

Lidhja Demokratike Shqiptare shpreh indinjatë të thellë, lidhur me rastin e ndalimit dhe gjobitjes së bashkëkombasit tonë nga Shqipëria, z. Irfan Domnorit, i cili u dënua nga autoritetet e Malit Zi, pasiqë valviti flamurin kombëtar, me rastin e Festës së gështenjes, në Ostros të Krajës.

LDSH, fton organet malazeze që të ndalojnë me këtë praktikë, në dëm te shqiptarëve, tashmë disa herë të përseritur, me ç’rast liritë tona trajtohen si provokime, kurse flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si flamur i shtetit tjetër, edhe pse ai është flamuri i të gjithë shqiptarëve, prandaj edhe i atyre shqiptarëve që ndihmuan pavarësimin e Malit të Zi.

Me këtë rast, LDSH fton edhe organet qeveritare të Shqiperisë dhe Presidencën shqiptare, që të protestojnë, e të mos lejojnë sjellje të këtilla të autoriteteve malazeze. T’na japin vetëm një shembull ku ndonjë person të jetë dënuar për valvitjen e flamurit të SHBA-ve, p.sh. Natyrisht se nuk ka! Prandaj, gjobitja për valvitje të flamurit shqiptar është vetëm një tentativë e disciplinimit të shqiptarëve dhe dëshmon shqiptarofobinë e pushtetarëve malazes, por ata duhet ta dijnë se ne, për të sheruar komplekset e tyre, e natyrisht as nga frika, nuk do të heqim dorë nga përdorimi i flamurit tonë kombëtar.

Në të njëjtën kohë, LDSH fton perfaqësuesit shqiptarë në qeveri e parlament malazez që të marrin masa adekuate, madje duke e rishqyrtuar edhe mundesin e largimit nga nje qeveri e cila keqtrajton shqiptarët.

PS
Bie ne sy fakti se, në nje manifestim tradicional shqiptar, u pa vetem një flamur shqiptar, ai në duart e Domnorit, gjë që i lehtëson punë autokracisë malazeze!