Zeneli: Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e popullit të ndarë, por kanë vetem një FLAMUR KOMBËTAR 🇦🇱

(S’ka të ndalur fushata e organeve policore e Malit të Zi kundër flamurit shqiptar. Megjithate, ashtu si më parë edhe tani mungoi reagimi i shtetit shqiptar )

Policia malazeze dënoi me gjobë bashkëkombësin tonë, aktivistin dhe sportistin e dalluar nga Shkodra, Irfan Domnori si dhe ndalimin e hyrjes së tij ,për një muaj,në Mal të Zi , për shkak të valvitjes së flamurit shqiptar në manifestimin “ Dita e Gështenjës” që u mbajt në Ostros të Krajës me 16 Nëntor 2019.
Të gjithë ata të cilët janë në rrjedhën e ngjarjeve dhe e kanë përcjellë sjelljen e turpshme dhe skandalize të policisë malazeze ndaj një numri të caktuar të përdoruesëve të flamurit shqiptar që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Mal të Zi ,nuk duhen të habiten me rastin e fundit të gjobitjes së z. Domnori.Aktakuzat ndaj shqiptarëve që shpalosin haptas dhë në mënyrë publike flamurin kuq e zi me shqiponjen dykrenare tashmë janë kthyer në një dukuri e cila nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si veprimtari e paramenduar dhe fushatë urrejtjeje e policisë malazeze, pëkatësisht e Ministrisë së Punëne të Brendshme të Malit të Zi ndaj simbolit kombëtar shqiptar.

Ashtu si edhe në rastet e të tjera të mëparshme, edhe kësaj rradhe mungoi reagimi i shtetit amë, aq më tepër kur një shtatas i saj siç është z. Domnori gjobitet dhe dënohet nga organet e pushtetit malazez. Pra, nuk është për tu habitur sjellja dhe veprimi kundër flamurit shqiptar i policisë malazeze, por është për tu habitur heshtja dhe mosreagimi i shtetit amë .
Apo ndoshta edhe nuk duhet të habitemi më as nga kjo , sepse sikurse jemi mësuar nga heshtja dhe mos reagimi i Tiranës zyrtare për raste të tilla ?!
Siç dihet tashmë e drejta e përkujdesjes së shtetit amë për pjesëtarët e popullit të vet
të cilët jetojnë jashtë kufijvë administrativ të saj është e sanksionuar me Kushtetutën e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Nuk jam në dijeni nëse Shqipëria është thirrur në këtë nen të Kushtetutës së vet kur janë në pyetje dhjetra dënime (gjobime) që janë bërë në Mal të Zi ndaj shqiptarëve të cilët kanë përdorur flamurin e tyre në vende dhe raste të ndryshme publike, si formë e shprehjes së krenarisë dhe dinjitetit të tyre kombëtar.
Pra, çfarë kuptimi ka një nen i tillë kushtetues kur nuk e shfrytëzojmë dot ate, konkretisht kur në emër të këtij neni kushtetues nuk mbrohet e drejta e simbolit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi ?
Ndërsa sa i përket Malit të Zi edhe një herë është dëshmuar se jo vetëm është një shtet që nuk i respekton të drejtat shqiptarëve,por njëherit abuzon në mënyrë flagrante me të gjitha Kartat dhe Konventat Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore për Popujt Autokton siç janë shqiptarët në këtë shtet.
Shqiptarët në Mal të Zi vertetë janë pjesë e një populli të ndarë, por kanë vetëm një flamur kombëtar.

Dëshiroj që me këtë rast të përgëzoj për guximin e tij mikun tim atdhetar, Irfan Domnori, por edhe të gjithë bashkëkombasit e tjerë që në të kaluarën janë dënuar me gjobitje në Mal të Zi, për përdorimin e flamurit shqiptar si simbol i identitetit tonë kombëtar.🇦🇱

Xheladin Zeneli
20 Nëntor 2019