24 të vdekur nga tërmeti, mbi 657 të plagosur në Shqipëri. Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Shqipëria u godit të martën, nga një tërmet u fuqishëm, me magnitudë 6.4, që tronditi thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar të paktën 24 viktima, dhe disa qindra të tjerë të plagosur.

Dëme të shumta janë rregjistruar në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh kryesisht në zonën e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Mbi 40 persona u nxorrën nga rrënojat e banesave dhe pallateve të shembur nga lëkundjet e forta. Dita e nesërme është shpallur zi kombëtare.

Në ndihmë të autoriteteve shqiptare kanë mbërritur ekipe të specializuara nga Kosova. Italia, Greqia e shumë vende të tjera që u solidarizuan menjëherë.

Ishte ora 3:54 e mëngjesit kur Shqipëria u shkund nga goditjet e frikshme të një tërmeti, i fortë për nga intensiteti dhe i shtrirë dhe në kohë, rreth 30 sekonda.

Në harkun e pak minutave banorët jo vetëm në Tiranë, mbushën rrugët duke braktisur në panik, banesat e tyre. Mbi 250 pasgoditje disa gjithashtu të forta, të një magnitude mbi 5 gradë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës. Kreu i qeverisë ka mbledhur sot në mëngjes në një mbledhje urgjente Këshillin e Ministrave.
“Dua ti them të gjithëve që e kanë bërë të vetën këtë tezë pafajësish se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme dhe pa na dhënë kohën të bëjmë gjërat me radhë. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje faktikisht ne kemi pasur komunikim me njëri-tjetrin, por vetëm në rrugë digjitale sepse të gjithë kemi qenë në pikë të frontit. Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyre e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e  di a janë të gatshëm ata që e predikonin për tiu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore.”, tha Rama.
Ai bëri edhe një bilanc të tërmetit tragjik ëq goditi ditën e djeshme Shqipërinë si dhe falenderoi të gjithë ata që morën pjesë në vijën e parë të frontit të shpëtimit të personave të zënë nën rrënoja.
“24 të vdekur, 657 të lënduar, deri tani 45 jetë të shpëtuar. Tërmeti sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të policisë së Shtetit, të forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit deri tek ata që pritën dhe trajtuan gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur”, tha Rama.
Kryeministri  shqiptar shtoi se prioriteti i kësaj dite mbetet shpëtimi i jetëve dhe dhënia e ndihmës për ata që kanë nevojë.