Ivanaj: Stema e re e Komunës përmban elemente historike, natyrore dhe kulturore, për të cilat njihet kjo trevë

Nënkryetari i Komunës së Tuzit, njëheri edhe kryetari i LDSH-së, për Malësi, Ivan Ivanaj, permes një postimit në faqen e tij personale në Facebook, deklaroi se Komisioni për perzgjedhjen e Stemës së komunës së Tuzit,  vlerësoi se simbolet në fjalë, përfaqësojnë Malësinë (Tuzin) dhe me to mund të identifikohet çdo qytetar i Komunës së Tuzit.
Sipas Ivanaj, Stema e re e Komunës përmban elemente historike, natyrore dhe kulturore, për të cilat njihet treva e Malësisë.

Lexoni postimin e plotë të Ivanaj:

“Të nderuar qytetarë,

Komisioni për përzgjedhjen e simboleve të Komunës së Tuzit, mes shtatë punimeve(propozimeve) të cilat kishin mbërritur në Komision, përzgjodhi punimin e dizajnuar nga dizajneri i njohur malësor Luan Gjokaj, i cili plotësonte të gjitha kushtet e përcaktuara me konkurs.
Komisioni vlerësoi se simbolet në fjalë, përfaqësojnë Malësinë (Tuzin) dhe me to mund të identifikohet çdo qytetar i Komunës tonë.
Stema e re e Komunës përmban elemente historike, natyrore dhe kulturore, për të cilat njihet kjo trevë.
Autori në punimin e tij, me mjeshtri artistike inkorporoj Deciqin legjendar, Diellin Ilir, Lumin Cem, Malet e Malësisë… Pra, autori diti që të gjitha këto elemente t’i bashkoj me harmoni ashtu siç e duam edhe ne Malësinë, të bashkuar!

Për ata që kanë kritika për formën dhe përmbajtjen e stemës së Tuzit(për ata që më të vërtetë nuk janë të informuar, e jo për ata qëllim këqij) , të revoltuar që stema nuk përmban simbole nacionale, sqarim :

Ligji për vetëqeverisjen lokale
neni 22

Komuna mund të ketë flamurin dhe stemën (simbolet).

Komuna mund të ketë edhe festën ( Dita e Komunës).

Forma dhe përmbajtja e simbolit dhe festës së Komunës përcaktohen me statutin e Komunës.

Simbolet kanë permbajtje e cila u përgjigjet karakteristikave historike, kulturore dhe natyrore të Komunës, dhe nuk mund të kenë formë të njëjtë ose të modifikuar sikur simbolet shtetërore, simbolet e popujve pakicë dhe pakicave tjera nacionale, as si simbolet e shteteve tjera, simbolet e partive politike, shoqërive afariste, institucioneve, personave juridik ose organizatave.

Për dispozitat statutare me të cilat përcaktohet forma dhe përmbajtja e simboleve dhe festës së Komunës, pëlqimin e jep qeveria.

Perdorimi i simboleve të Komunës rregullohet me vendim të Kuvendit të Komunës”, deklaroi Ivanaj.

Malesia.Org