Këto ditë mbushën 100 vjet nga masakrimi i mbi 70 hotjanëve nga trupat e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Masakrimi ndodhi gjatë festës së Krishtlindjeve të vitit 1919 tek vendi i quajtur Gjytetzë, në të cilin vend u ekzekutuan të gjithë këta burra dhe u hodhën në një varr masiv. Për shumë kohë kjo temë nuk është përmendur publikisht dhe ekzekutorët e kësaj masakre janë munduar që mos të lënë as dëshmitar dhe as dëshmi të shkruar lidhur me këtë vrasje të mirëmenduar. Mirëpo, përkujtimi i kësaj ngjarje më 7 dhjetor 2019 dhe vendosja e memorialit në Hot, treguan fuqishëm se masakrat e tilla nuk mund të fshihen dhe as të harrohen, ngase, herët a vonë, e vërteta del në dritë. Për të kuptuar më mirë se si erdh deri tek kjo masakër, duhet që të kthehemi disa vite mbrapa.
Që nga vitet shtatëdhjetë të shek. XIX, qarqet e larta politike të Malit të Zi dhe të Serbisë, kishin planifikuar zgjerimin e tyre territorial në dëm të viseve shqiptare. Kjo gjë më së miri u vërejt gjatë Krizës së Lindjes (1875-1878) dhe Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), me ç’rast u zgjeruan këto dy shtete në dëm të tokave shqiptare. Ndër të tjera, fatit të viseve të shumta shqiptare nuk i shpëtoi as Malësia e Madhe. Copëtimi i Malësisë së Madhe filloi që nga Kongresi i Berlinit (1878), kur Malit të Zi iu dhanë viset shqiptare të Trieshit, Kojës dhe Fundnave. Më vonë në Konferencën e Londrës (1912-1913) u vendos që Malësia e Madhe sërish tëcopëtohet, duke i dhënë Malit të Zi të gjithë Grudën dhe një pjesë të mirë të Hotit, ashtu që kufiri u vendos nëpër tokat e Hotit, të cilin fis kufiri e ndau në dy pjesë.
Banorët e Malësisë së Madhe nuk u pajtuan me këtë pushtim, pasi që dihet shumë mirë se në vitin 1913 edhe vetë Dedë Gjo’ Luli do të shkoj deri në Vlorë për t’u takuar me kryetarin e qeverisë shqiptare, Ismail Qemalin, me ç’rast i pohoi se Malësia e Madhe e pranon qeverinë e Vlorës. Mali i Zi nga ana tjetër u mundua që sa më shumë të vështirësoj jetën në viset malësore që i takuan, duke i detyruar malësorët të braktisin vatrat e veta. Gjithashtu, u mundua mos t’i lejoi të zhvillohen në aspektin arsimor, pasi që ua ndaloi edhe arsimimin në gjuhën amtare. Malësorët e shprehën pakënaqësinë me anë të kundërshtime të shumta, bile edhe me kryengritje siç ishte ajo e vitit 1914.
Gjendja do të rëndohet edhe më tej gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi që do të rritet prezenca e ushtarëve malazezë në kufi, gjoja për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm shqiptar. Gjatë vitit 1915 Mali i Zi do të pushtoi edhe vise të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe qytetin e Shkodrës. Në këtë kohë ushtritë serbo-malazeze do të organizojnë vrasje të shumta, duke vrarë edhe atdhetarët e njohur si ÇerçizTopullin, Mehmet Shpendin, Dedë Gjo’ Lulin, Isa Boletininetj. Kjo situatë do të marrë fund në janar të vitit 1916, kur Mali i Zi kapitulloi dhe në Malësi të Madhe u vendos pushteti austro-hungarez. Austro-Hungaria u mundua që t’i bëj për vete shqiptarët, ashtu që edhe në viset shqiptare jashtë kufirit londinez lejoi hapjen e shkollave shqipe. Mirëpo, fati i luftës anoi kah Antanta, ashtu që Austro-Hungaria kapitulloi.
Malësorët, tani mendonin se gjendja do të ndryshoi dhe për këtë arsye, të drejtuar nga klerikët e tyre, ku spikat sidomos P. Anton Harapi, vendosën që të zbresin në Shkodër dhe të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Më 14 nëntor 1918 në Shkodër, nën drejtimin e françeskanëve, zbritën 150 malësorë, të cilët kërkuan që vendet malësore të mbetura jashtë kufijve londinezë t’i bashkohen Shqipërisë. Këta nënshkruan një deklaratë, të cilën ia drejtuan Vashingtonit, Romës, Parisit e Londrës. Më 12 shkurt 1919, delegacioni shqiptar, kërkoi nga Konferenca e Paqes, e cila i zhvillonte punimet në Paris, që të rishikoj kufijtë e vendosur në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës, me ç’rast, ndër të tjera, kërkoi që të ndreqej edhe padrejtësia që iu shkaktua Malësisë së Madhe. Mirëpo, meqenëse se Greqia dhe shteti i sapoformuar, Mbretëria SKS, luftuan në anën e Antantës, Konferenca i hodhi poshtë këto kërkesa.
Gjatë verës së vitit 1919 hotjanët organizuan një tubim në Rapshë, ku morën pjesë krerët më të rëndësishëm të kohës. Të gjithë së bashku vendosën që Hoti mos të ndahet më në 2 pjesë dhe në asnjë mënyrë mos të pranojnë pushtetin e Mbretërisë SKS. Këtë vendim e mori vesh pushteti jugosllav dhe vendosi që t’i bind malësorët me dhunë se kufiri do të vendoset ku ishte para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Për këtë arsye, me urdhër të autoriteteve ushtarake, në Malësi do të dërgohet ushtria e komanduar nga Savo Pjetri Vujosheviq, një kuças, i cili i njihte mirë malësorët. Para se të dal ky vet në Hot, disa ditë përpara, çoi disa njerëz për t’i informuar hotjanët se do të dalë ushtria sllave dhe se vendasit nuk kanë pse të alarmohen, ngase është fjala vetëm për vendosjen e kufirit. Meqenëse u ishin dhanë premtimet se nuk do të pësojnë asnjë të keqe, shumë hotjanë nuk lëvizen nga vendlindja. Mirëpo, më 25 dhjetor 1919 Savo Pjetri me ushtri doli në Hot dhe shkeli të gjitha premtimet e dhëna duke arrestuar shumë hotjanë. Vazhdoi për në Kushe, duke mos e respektuar as kufirin londinez, i cili rrugës kapi edhe të tjerë, saqë numri i të kapurve rob ishte mbi 70. Pasi që arritën tek lagja Prekaliaj, aty ngritën një kamp, ku i mbajtën të gjithë natën, dhe, të nesërmen, të gjithë i ekzekutuan. Pasi që i ekzekutuan i hodhën në një varrezë masive, ku u munduan që të fshehin krimin e tyre. Gjatë kësaj kohe dhe në fillim të vitit 1920 do ta pësojë shumë e gjitha Malësia e Madhe, meqenëse me qindra të tjerë u dërguan në burgun e Podgoricës, nga i cili burg shumë pak dolën të gjallë. Shtypi malazezë i kohës heshtë mbi këtë krim, edhe pse nuk heshti për krimet që ushtria e Mbretërisë SKS kreu mbi popullatën malazeze. Po ashtu, edhe shtypi serb heshtë mbi këtë krim, ngase mundohen, si përherë, që krimet e tyre t’i mbulojë harresa. Për shumë kohë është folur pak, ndërsa, është shkruar edhe më pak për këtë masakër, ashtu që me kalimin e kohës është shfaqur edhe problemi i emrave të personave që u vranë at ditë, ngase nganjëherë, ndonjë ngatërrohet edhe me ata që vdiqën nëpër burgjet sllave apo gjatë luftimeve të vitit 1920.
Sa i përket drejtësisë, për vrasjen e këtyre shqiptarëve, ajo kurrë nuk u çua në vend, pasi që autoritet sllave as nuk e përmenden këtë rast, e lëre më që të japin llogari. Vrasjet e shqiptarëve nga autoritetet jugosllave kanë qenë me paramendim, çka e dëshmon edhe fakti se në Malësi këto masakra do të përsëritën edhe gjatë viteve në vijim, ku nuk mund të harrohet sidomos ajo e vitit 1941. Nuk e di a do të vinë ndonjë herë koha që së paku të pranojnë krimet e bëra dhe të turpërohen për sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve gjatë tërë shekullit XX. Këto masakra, vrasje, torturime dhe padrejtësi të shumta ndaj popullit shqiptar është mirë mos të harrohen, por së paku të përkujtohen, sepse për ndryshe munden të na përsëritën në të ardhmen.
I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë të rënëve dhe viktimave shqiptare !
Mark Junçaj, prof. i Historisë