Kurtezi: Kryesimi i OSBE – Arritje e politikës së jashtme të Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi, deklaroi për portalin Malesia.Org, se Vendimi për ti besuar Shqipërisë drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), përbën një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme te Republikës së Shqipërisë.

Sipas Kurtezit, duke marrë Kryesinë e Radhës së OSBE për vitin 2020, Shqipëria angazhohet për të punuar në drejtim të forcimit të paqes dhe sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ndërsa si prioritete kryesore të Kryesisë shqiptare të OSBE-së, do të jenë:
“Dimensioni politik dhe ushtarak: Zgjidhja e konflikteve dhe përpjekjet për parandalimin e tyre, do të jenë në krye të agjendës shqiptare, duke filluar nga ripërtëritja e veprimeve për të kontribuar në zgjidhjen paqësore të krizës në, dhe përreth Ukrainës, e cila mbetet sfida më urgjente e sigurisë në Evropë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të grave në proceset e paqes. Gjithashtu, Kryesia Shqiptare e OSBE-së do t’i japë përparësi ri-gjallërimit të dialogut brenda Organizatës.”, theksoi Kurtezi.

Kurse, sa i përket Dimensionit Ekonomik, sipas tij, Kryesia shqiptare e OSBE-së në vitin 2020 do t’i japë prioritet luftës kundër korrupsionit dhe promovimit të mirëqeverisjes.

“Korrupsioni shkatërron themelet e besimit midis qytetarëve dhe shtetit. Kjo është një pengesë kryesore për rritjen ekonomike dhe ushqen pabarazinë, mosndëshkimin dhe paqëndrueshmërinë. Kryesia shqiptare gjithashtu ka për qëllim t’i kushtojë vëmendje mbrojtjes së mjedisit, dhe të sigurojë një balancë midis çështjeve ekonomike dhe mjedisore”, shprehet Kurtezi.

Ndërsa, kur flitet për Dimensionin njerëzor, sipas Kurtezit, ky dimension përbën një nga shtyllat kryesore që mbështesin mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në Evropë. “Racizmi, ksenofobia dhe format e tjera të mungesë së tolerancës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë e shoqërive tona gjithnjë e më të ndryshme. Kryesia shqiptare do të punojë për të promovuar tolerancën dhe mos diskriminimin, duke nxitur një ndjenjë më të fortë për sigurinë në shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së”, deklaroi Kurtezi.

Kurtezi shprehet se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian është sot në ballë të angazhimit ndërkombëtar ndaj dhe kryesimi i saj nga Shqipëria përbën një ndërmarrjë dhe një aksion diplomatic të rëndësishëm dhe angazhues, përballimi i të cilës, do të kërkojë një përqasje gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale.

Malesia.Org