Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, si propozues i akteve të kuvendit të komunës së Tuzit, permes procedurës urgjente do ti dërgoj Kuvendit të komunës së Tuzit propozimin e vendimit për marrjen e kompetentave për të drejtuar përkohësisht pasurinë e lëvizshme dhe të palëvizshme në territorin e komunës së Tuzit.
Ligji për organizimin territorial dhe të dhënat zyrtare të drejtorisë së patundshmërive e definon territorin që ndodhet brenda kufijve të komunës së Tuzit.
Ndërkaq, Territori i komunës së Tuzit, zyrtarisht është i mbrojtur me rregullat ligjore si dhe me konventat ndërkombëtare, në veçanti duke pas parasysh se në komunë të Tuzit, jetojnë pakicat të cilat janë definuar si të tilla edhe në nivelin nacional.
Nga komuna e Tuzit konsiderojnë se është me rëndësi të veçantë që fillimisht të marrin drejtimin e Tregut të Tuzit, që sipas tyre është emblemë e komunës në vazhdimësi, duke shprehur bindjen se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
“Në vijën e qëllimeve tona për ndërmarrjen e aktiviteteve në territorin tonë dëshirojmë ti njoftojmë qytetarët se komuna jonë faktikisht dhe në mënyrë formale- juridike do të marrë përgjegjësinë të administrojë tregun e Tuzit. Ditëve në vijim të punësuarit kompetentë të veprojnë në këtë drejtim e që përfaqësojnë “Komunalno –Komunalja” d.o.o e që i takon tregu sipas kompetencave në bazë të Vendimit të miratuar në Kuvendin e komunës së Tuzit, do të kontaktojnë shitësit në Treg për të nënshkruar kontratat e reja”, thuhet në kumtesë.
Siç kumtohet, ajo që është lajm i mirë për qytetarët është fakti se shitësit të cilët afarojnë në Tregun e Tuzit do të kenë mundësinë të nënshkruajnë kontratat e reja për tre muajt e ardhshëm: prill, maj, qershor me çmim 50% më të ulët krahasuar me çmimin e deritashem.
Ndërkohë, komuna do të investojë mjete të konsiderueshme në përmirësimin e kushteve ekzistuese në Treg e që aktualisht janë mjaft të pakënaqshme.
Sipas tyre tregu, gjithsesi është çështje shumë e rëndësishme për komunën dhe paraqet lokacion të përshtatshëm për investime dhe, po ashtu, është brend i komunës së Tuzit e cila, në një perspektivë të afërt do të punojë në kënaqësi të qiramarrësve dhe të gjithë atyre që do ta vizitojnë tregun.
Siç thuhet, Komuna e Tuzit ka ndërmarrë këtë hap për shkak se nuk janë të kënaqur me sjelljen e Kryeqytetit i cili nuk është korrekt dhe përfaqëson interesat e njëanshme.
“Konsiderojmë se Tregu i Tuzit duhet të vazhdojë të jetë në Tuz dhe nuk do të lejojmë ndryshe. Po ashtu, planet për Tregun e Tuzit janë duke u zhvilluar tashmë një kohë të gjatë, mirëpo duke pas parasysh se bisedimet me kryeqytetin nuk janë duke rrjedhur sipas ligjit dhe në pajtim me interesat e banorëve në komunën tonë e, në veçanti me interesat e shitësve në Treg, kemi vendosur të marrim një hap të këtillë. Kemi në plan që fillimisht të rregullojmë çështjen e Tregut e pas kësaj do të sjellim vendimet edhe për veprimtari të tjera që kanë të bëjnë me territorin dhe interesat e qytetarëve tonë. Qytetare dhe qytetarë, jemi në dispozicion për të gjitha informacionet tjera shtesë, të bindur se vetëqeverisja lokale më e re në Mal të Zi me mbështetjen e qytetarëve të sajë, do të arrijë pikësynimet e veta për të cilat është formuar, që më në fund, qytetarët tonë të gëzojnë frytet që ua ofron një vetëqeverisje e plotë lokale e cila funksionon me kapacitet të plotë duke shfrytëzuar resurset në dispozicion e të cilat, ne, i posedojmë, thuhet në kumtesë.
Malesia.Org