Mediat botërore – Rrëzimi i Kurtit u drejtua nga SHBA

Një pjesë e madhe e mediave perendimore dhe analistëve të diplomacisë po e shikojnë rrëzimin e qeverisë Kurti si formë të përplasjes mes ShBA dhe BE. Ky dyzim që filloi që në gushtin e 2008-ës, kur për herë të parë u formulua publikisht ideja e shkëmbimit të territoreve ka marrë një formë më të dukshme së fundi me mocionin për rrëzimin e kabinetit VV-LDK.  Këtë vëren në një shkrim të saj pas mocionit edhe Bloomberg.

“Largimi i Kurtit shfaqi edhe një ndasi të pazakontë mes fuqive Perëndimore. Përderisa ambasadorët e BE-së, ai i Gjermanisë dhe i Francës, dolën kundër mocionit të mosbesimit, SHBA-ja, tha se ishte e kënaqur me mocionin. Kjo reflekton edhe dallimin për mënyrën se si duhen rregulluar marrëdhëniet me Serbinë” shkruan Bloomberg. “Tani SHBA-ja po bën presion për një qasje që kundërshtohet haptas nga vendet kyçe evrpiane”, tha për këtë media, Gerald Knaus, kryesues i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, një ‘think-tank’ me bazë në Berlin.

Sipas “The Guardian”, përplasja ka elementë lokalë, por është nxehur edhe nga ndarja mes Evropës e SHBA-së, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump që është i vendosur të arrijë shpejt marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Shtëpia e Bardhë ka shtyrë arritjen e një marrëveshjeje sivjet, në diçka që do të shihej si triumf i diplomacisë për Trumpin. Përderisa Thaçi ishte i dëgjueshëm, Kurti ishte më skeptik. BE-ja po ashtu dëshiron negociatat, por ka ecur me hapa më të ngadalshëm dhe është më e shqetësuar për një marrëveshje që mund të përfshijë shkëmbime territoriale. Këto tensione kanë dalë në sipërfaqe para mocionit të mosbesimit, me shtetet evropiane që reaguan duke kundërshtuar votimin, edhe pse ambasadori amerikan po e përkrahte.

Një reagim ka pasur në rrjetet sociale edhe Florian Bieber, profesori i Qendrës për studime juglindore në Universitetin e Grazit.  “Lëvizje e papërgjegjshme me shumë përgjegjës: Grenellin, Thaçin dhe shumicën e LDK-së. Do të jetë fitore e Pirros. Aleancës BE-SHBA iu shkaktuan dëme të pariparueshme dhe dyshoj që do të kalojë ndonjë marrëveshje”, shkruan ai në “Twitter”.

Kjo është dukshëm pasojë e lojës së ashpër që amerikanët po e luajnë tani”, i tha New York Times, Wolfgang Petritsch, ish-emisar i BE-së në Kosovë.“Kjo është njëfarë, si ta them, diplomaci ‘Rambo’”, tha Petritsch, duke e krahasuar qëndrimin amerikan me atë të protagonistit të famshëm të filmave aksion. “Si dëm kolateral, ata rrëzuan një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shtoi Petritsch.

Edhe gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka raportuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti. FAZ ka shkruar se zyrtarisht ka pasur polemikë për politikën e duhur për tejkalimin e krizës me koronavirusin. “Prapa skenës, ishte një konflikt ndërmjet BE-së dhe Amerikës”.

Sipas FAZ, Uashingtoni është duke bërë përpjekje për të bindur Prishtinën të pranojë një marrëveshje, të cilën e kundërshton Brukseli. “Toni midis Shtëpisë së Bardhë dhe Qeverisë kosovare u rrit kohën e fundit. Donald Trump Junior kërcënoi se amerikanët mund të mbyllnin Camp Bondsteel, bazën e tyre ushtarake në Kosovë. Ky është një kërcënim jashtëzakonisht serioz, pasi ndjenja e sigurisë së shqiptarëve të Kosovës bazohet kryesisht në praninë ushtarake amerikane në vendin e tyre”, shkruan FAZ.

Parlamenti i Kosovës miratoi të mërkurën mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit me 82 vota pro mocionit, 32 kundër dhe 1 abstenim. Ky mocion u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u përkrah nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet. Vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër rrëzimit të qeverisë të udhëhequr nga lideri i kësaj partie, Albin Kurti.

Kundër rrëzimit të qeverisë kanë qenë edhe 3 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mes të cilëve kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani si dhe Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala. Me këtë vendim, qeveria “Kurti” bëhet më jetëshkurtra në historinë e Kosovës me vetëm 50 ditë punë.

Pas miratimit të mocionit, presidenti Thaçi do t’i japë një tjetër mandat Kurtit për ta gjetur sërish votat pas prishjes së marrëveshjes me LDK-në. Në pikpyetje është se sa kohë do të vonojë Vetëvendosje të paraqisë një emër se për këtë kushtetuta nuk përshkruan një afat. Nëse Kurti nuk i bën votat brenda 15 diteve nga dorzimi i emrit,  gjë që duket e pamundur, pasi ai u rrëzua me shumicë dërrmuese, atëherë mandati i takon LDK-së. Një tjetër skenar që përflitet është krijimi i një qeverie të unitetit derisa të kalojë pandemia e koronavirusit dhe më pas vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.

“Neue Zürcher Zeitung” thekson armiqësinë mes Thaçit e Kurtit që nga fundi i luftës për pavarësi në vitin 1999. Por kjo luftë për pushtet ka edhe një dimension ndërkombëtar, analizon gazeta zvicerane. “Këtu bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që edhe 20 vite pas luftës ende përmban potencial të madh konflikti. Po kaq gjatë kanë qenë të një mendimi edhe SHBA e Europa në çështjet kryesore.[…] Parë më me hollësi ka qenë Uashingtoni, ai që ka ecur përpara në politikën e Kosovës. Dhe europianët i kanë shkuan pas mbas një farë kohe. A është edhe tani ky rast?…Thaçi mbështetet nga i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë dhe i afërt me Trumpin, Richard Grenell. Ambasadori amerikan u shpreh i gëzuar për zhvillimin e mocionit të mosbesimit të mërkurën.[…]Nga ana tjetër kemi BE-në që me shumicë është e mendimit, që qeveria e Kurtit duhej të vazhdonte punën.”

Kurse gazeta gjermane taz” -“Die Tageszeitung në një artikull me titull “Kosova sërish pa qeveri” thekson se vërtet ndodhi. Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua, e me këtë dështoi një eksperiment, me të cilin do duhej të ndërmerreshin shumë projekte për reforma. Taz e sheh arsyen e rrëzimit të qeverisë tek presioni i madh i qeverisë amerikane për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. “Kosova duhej të hiqte tarifat 100% të doganave. Këtu Kurti do të bënte lëshime. Por në sfond bëhet fjalë për një shkëmbim territoresh me Serbinë mbi bazën etnike. Këtë e refuzon Kurti dhe një masë e madhe e opinionit në Kosovë. Presidenti Trump kërkon në vitin zgjedhor, pas një serie dështimesh në politikën e jashtme, të paktën në Europë një sukses në politikën e jashtme. Një vendim paqeje mes Serbisë dhe Kosovës mund t’i nevojitej Trumpit.”