Shqipëria dërgon në Itali 30 mjekë e infermierë në ndihmë ndaj koronavirusit

Shqipëriaka dërguar në Itali mjekë në përballje me pandeminë e koronavirusit. Nga Rinasi janë nisur 10 mjekë dhe 20 infermierë, të cilët do të shkojnë në Itali ku do ndihmojnë kolegët e tyre për të shpëtuar jetët e pacientëve të prekur me COVID-19.

Mësohet se mjekët shqiptarë do të qëndrojnë aty për 1 muaj. Për kohën e qëndrimit në Itali, mjekët do të paguhen nga shteti shqiptar.

Vendimi i qeverisë shqiptare, i datës 27, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe thekson se pagesa e mjekëve do të bëhet nga buxheti i shtetit shqiptar. Lajmin për mjekët e publikuan sot edhe mediat italiane, duke theksuar se ndihma erdhi pas një marrëveshjeje mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të jashtëm italian, Lugi Di Maio.

Kryeministri Rama ka përcjellë në Rinas 30 mjekët dhe infermierët, ku dhe është shprehur se shqiptarët nuk e harrojnë mikun në vështirësi.

“E di se 30 mjekë nuk e përmbysin raportin. Por di që edhe andej është shtëpia jonë që ku Italia, motrat dhe vëllezërit italianë na pritën kur Shqipëria digjej nga dhimbjet e papërshkrueshme”, tha Rama.