Mesazhe urimit me rastin e 109 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë

Përfaqësuesë të shqiptarëve përkujtojnë Kryengritjen e Malësisë, edhe pse të preokupuar me gjendjen momentale.
Kështu, nga Ulqini uron kryetari i KKSH, Faik Nika, nga Bratila, Nikollë Camaj, kryetar i LDSH, kurse nga Kopliku Sytki Ndrecaj, nënkryetar i komunës Malësia e Madhe.

Faik Nika, kryetar i KëshilliT Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi

Në kujtim të 6 prillit 1911 “Kryengritja e Malësisë”

Të nderuar bashkatdhetarë, shqiptarë kudo që ndodheni.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për kombin shqiptar në përgjithësi sepse kujtojmë 6 prillin e vitit 1911, Kryengritjen e Malësisë, të udhëhequr nga atdhetari “Ded’ Gjon Luli”, i cili pas shumë shekujsh ngriti Flamurin Kombëtar në majën e malit të Deçiqit në Malësi, si shprehje e vullnetit të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga çdo pushtues.

Ngjarja e 6 prillit të vitit 1911 ngjason me flakën olimpike, që u ndez në majën e Deçiqit të Malësisë, si kushtrim për pavarësi e liri, e cila përshkoi mbarë trevat shqiptare për t’u kurorëzuar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 6 prilli i vitit 1911 ishte pararendëse e shpalljes de facto të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është krenari e mbarë kombit shqiptar, për vetëdijen e lartë kombëtare, për atdhedashuri e pavarësi nga pushtuesit dhe simbol i sakrificës deri në vetëmohim për komb e atdhe.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, si përherë, edhe këtë vit kishte në agjendën e aktiviteteve organizimin e një manifestimi përkujtimor për shënimin e kësaj ngjarjeje historike me përmasa mbarëkombëtare, mirëpo për shkak gjendjes në të cilën ndodhemi si rezultat i pandemisë nga COVID-19, e cila tashmë ka pushtuar dhe paralizuar krejt botën, e kemi pasur të pamundur organizimin e çfarëdo manifestimi apo tubimi. Mirëpo kjo nuk na ndalon të kujtojmë dhe të përcjellim mesazhet tona në nderim të kryengritësve dhe udhëheqësit legjendar Ded’ Gjon Lulit, mbi atë ngjarje që zgjon krenarinë tonë kombëtare.

Gëzuar!

————————————————————-

Nikollë Camaj, kryetar i LDSH

Të nderuar banorë të Malësisë,
Sivjet nuk i kujtuam baballarët tonë siç e kishim traditë, nuk bëmë homazhe e as festë, sepse ishim të zënë me misionin e Tyre, për të ruajtur Malësinë.
Kaluan gadi dy javë, jo të lehta për Malësinë, dy javë sfiduese dhe plot makth, por dy javë që dëshmuan se jemi pasardhësit Tuaj, se jemi të organizuar, e të disciplinuar, se jemi vullnetarë e kontribues bujarë, me një fjalë, se mund të jemi shembull edhe për të tjerët!
Është ky një rast i mirë për t’u përkujtuar ju baballarë, duke u uruar shëndet të prekurve nga virusi, por edhe duke uruar e falenderuar të gjithë kontribuesit, të cilët me sakrificat e veta po bëhen motiv për të përballuar izolimin; për të gjithë ata që me dinjitet po e zbatojnë kërkesën për të qendruar në shtëpi.
Të nderuar qytetarë,
Shtepia jonë ka pritë e shpëtua mikun e armikun, kësaj radhe na shpëtoi ne.
E lidha përkujtimin e 6 Prillit, me prillin e sivjetëm, si muaj të sakrificave tona, për të ruajtur shtëpinë tonë!
Faleminderit shtëpia jonë Malësi, që je aq bujare për të gjithë banorët tu, pa asnjë dallim!
Urime 6 Prilli!

PS
Për të rrepektuar rregullat e distancës fizike, sivjet dola i vetëm në Bratilë, si lider i LDSH dhe si drejtues i Forumit shqiptar, por në emër të të gjithë atyre që kanë dalë tash 30 vite, apo qe kishin dal sivjet, u përkula para këtyre gurëve të larë me gjakun e te parëve tonë!

#LDSH
#forumishqiptar
Në Bratilë, më 06 Prill 2020
Nikollë Camaj, kryetar i LDSH

————————————————————-

Sytki Ndrecaj, nënkryetar i Bashkisë Malësia e Madhe

Edhe pse në kushtet e pandemisë së virusit COVID-19 ishte e pamundur që prezenca ime personale, por edhe në emër të Bashkisë Malësi e Madhe e posaçërisht në emër të Kryetarit të Bashkisë z.Tonin Marinaj e të mos ndodhesha duke vendosur një tufë me lule e të bëja homazhe përballë këtij Memoriali që i Kushtohet Kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911 pikërisht në Hotin e besës e burrërisë, të trimërisë e traditave më të shquara malësore.
#LavdiHeroitTëPopullitDedGjonLulit.
#LavdiKryengritjesMalësi_e_Madhe_1911.
#LavdiTrevësTonëMalësi_e_Madhe.

Malesia.Org