Dr. Pashko R. Camaj: Shqiptarët në Amerikë, bashkë kundër pandemisë COVID-19

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë bashkëpunon dhe përpiqet të jetë afër në çdo kohë që e do nevoja dhe sigurisht edhe në situatën e krijuar me pandeminë e COVID-19, kështu tha Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik, dhe drejtor i Shëndetit dhe Sigurisë për Transportin Publik në New York, dhe nënkryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”.

Në një intervistë për Telegrafin, dr. Camaj, tha se “situata e krijuar me coronavirus ose pandeminë COVID-19, natyrisht që ka krijuar një problem të veçantë, sepse kontaktet në komunitet janë vetëm ato virtuale, ngase kontaktet personale i kemi pezulluar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet shoqërore”.

“Fatkeqësisht janë një numër i konsiderueshëm i komunitetit shqiptar që janë të sëmurë dhe mbi 10 të vdekur deri tani. Shpresojmë që ky numër mos të ngritet, por kam dyshim që kjo nuk do të ndodhë”, tha mes tjerash në intervistë dr. Pashko R. Camaj.

Kurse sa i përket situatës së krijuar politike në Kosovë, ai tha se situata e krijuar muajin e fundit është shumë shqetësuese për komunitetin shqiptar në Amerikë. Kjo situatë, sipas tij, gjatë kësaj periudhe të rrezikshme që pandemia paraqet, krijon dhe më shumë ankth tek kominiteti shqiptra.

Ai shtoi se Shoqata “Vatra”, në misionin e vet, është mbi-politike dhe mundohen të jenë faktor i cili fuqishëm përkrah institucionet demokratike, dhe njerëz të cilët respektojnë qëllimet dhe aspiratat e popullit të vet.

Telegrafi: Z. Camaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht janë në vendin e parë në botë, sa i përket numrit të të infektuarave me coronavirus, ose COVID-19. Çfarë kanë  ndërmarrë institucionet e vendit, për të parandaluar këtë, në mënyrë që të zvogëlohet numri i njerëzve të infektuar?

Dr. Pashko R. Camaj: Shifrat për të cilat flitet tregojnë realitetin, por kur i studiojmë pak më thellë, këto japin dhe një përshkrim që duhet të sqarohet.  Së pari, numri i lartë në ShBA, ka të bëj dhe me numrin e lartë të testuarve, ngase testimet konfirmuese, të cilat janë bërë shumë më të shpeshta në 2-3 javët e fundit, dhe kanë rezultuar një ngritje të madhe.  Nëse i krahasojmë ShBA-në me një popullatë prej 330 milionë, me “gjashtëshen” e shteteve më të mëdha në Evropë (Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Spanja dhe Belgjika) me një popullsi rreth 332 milionë banprë, atëherë mund të bëjmë një krahasim më real. Në ShBA, kemi mbi 470,000 të infektuar, dhe mbi 17,000 viktima. Ndërsa në gjashtëshen evropiane rreth, 620,000 të infektuarë dhe 63,000 viktima, me një mortalitet rreth 3% në SHBA, dhe rreth 10% në Evropë. Këto mund të na tregojnë shumë gjëra, por unë e vlerësoj se kemi të bëjmë me kualitetin e shërbimeve mjekësore, por dhe me angazhimet e shumta që të ulim rritjen e të infektuarve dhe me këtë duke mundësuar shërbim më adekuat të sëmurëve. Angazhimet e institucioneve të vendit që nga qeveria federale (Presidenti), por dhe qeveritë e shteteve (lokale dhe rajonale) kanë qenë të bazuara në projeksionet epidemiologjike të organizatave të shëndetit publik, gjegjësisht Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (QKS). Fillimisht, janë marrë masat për informimin maksimal, ndërsa masa të papara për përgatitjen dhe për furnizimin e mjeteve të duhura, nga mjetet për mbrojtjen e punëtorëve në spitale, mjetet për ndihëm të sëmurëve në gjendje kritike (ventilatorë), dhe pastaj kërkesat që njerëzit të bëjnë vetizolim, distancë sociale, dhe të largohen nga puna për një kohë të caktuar. Këto kanë pas një efekt të dukshëm, por nuk mundemi të shpallim ‘fitore’ së paku për një kohë më të gjatë.

Telegrafi: Për situatën e krijuar, është kritikuar ashpër presidenti Trump, për siç thuhet  neglizhencë të parandalimit të pandemisë COVID-19.  Si e shihni ju këtë qasje?

Dr. Pashko R. Camaj: Sa për kritikat ndaj Presidentit Trump, vlerësoj që ato janë pak dhe të natyrës politike. Reagimet e para të Presidentit, kanë qenë në përputhje dhe me mendimit e Qendrës Botërore të Shëndetit (QBS), e cila deri në fund të Janarit, nuk ka ngrit ‘alarm’ për situatën. Përkundrazi, dhe për fat të keq, duket se e kanë dhe minimizuar. Me ndryshimin e situatës, e cila eskalojë në fund të janarit, Presidenti bllokoI fluturimet ajrore nga Kina në ShBA, për të cilën atë e kritikuan ashpër. Me tutje, bllokoj dhe fluturimet ajrore nga shtetet e Evropës, dhe unë vlerësoj që këto kanë kontribuar shumë në ngadalësimin e shpërndarjes se virusit, në veçanti duke ditë që virusi shpërndahet dhe nga personat pa simptome të sëmundjes. Më në fund, shumë njerëz kanë mësuar që ta vlerësojnë Presidentin Trump, jo ekskluzivisht çka thotë, apo ‘tweet’, por më fort çka bën. Vlerësimet nga palë të ndryshme të spektrit politik, kryesisht janë pozitive dhe angazhimet dhe koordinimet nga organizatat federale, lokale dhe rajonale janë përmirësuar dita me ditë, dhe kjo reflekton pozitivisht edhe në Presidentin.

Telegrafi: Sa janë duke e përballuar pandeminë ShBA-të, sidomos institucionet shëndetësore emergjente, pasi që kemi të bëjmë pikërisht me shëndetin publik, dhe se ky  vend nuk njihet shumë si vend social, sikurse Evropa, përderisa në ShBA shërbimet shëndetësore janë pothuajse të gjitha me pagesë?

Dr. Pashko R. Camaj: Natyrisht që institucionet shëndetësore emergjente janë të ngarkuara, por kjo nuk e ndalon as një njeri që ka nevojë për ndihmë urgjente të mos i ofrohet. Ne raste të tilla, sikurse kjo, institucionet shëndetësore emergjente nuk bëjnë seleksionim në bazë të ‘sigurimit shëndetësor’. Në ShBA ekziston një sistem ‘hibrid’ për shërbimet shëndetësore, pra ai privat dhe social (shtetëror), dhe këto sigurojnë shërbime të gjëra. Janë shumë vende në botë, e kam fjalën për vendet e zhvilluara, ku institucionet shëndetësore janë ‘pa-pagesë,’ por shërbimet shëndetësore lënë shumë për tu dëshiruar. Ndoshta dhe diferenca shumë e madhe në mortalitetin e COVID-19, që e shohim në mes ShBA-së, dhe vendeve ku shërbimet shëndetësore janë ‘sociale’ dhe ‘falas’ të Evropës së zhvilluar, që mos të flasim për vende tjera, ndoshta tregojnë një gjë që kërkon një analizë më të thellë.

Telegrafi: Çfarë masash ka ndërmarrë shteti, në mënyrë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm këto ditë pandemie, pikërisht në transportin publik?

Dr. Pashko R. Camaj: Në punën time të përditshme, Departamenti ku unë shërbej si drejtor i lartë, merremi me shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve të organizatës të Transportit Publik të shtetit dhe qytetit të New Yorkut.  Kemi rreth 65,000 punëtorë në sistemin tonë të trenave, autobusëve, të cilin e përdorin rreth 8 milion njerëz në ditë, dhe urat e tunelet e qytetit që janë pjesë e këtij sistemi, përdorin mbi 1.2 milion automjete në ditë. Pra, ky është një sistem shumë i dendur dhe ngarkuar me udhëtarë dhe afërsia e udhëtarëve në trenat e mbushur ne maksimum, natyrisht qe ka prezantuar një sfidë të veçantë dhe të vështirë.  Fillimisht jemi angazhuar të aktivizojmë ‘planet emergjente’, që çdo organizatë si jona i ka, për të dhënë udhëzime për kontinuitetin e punës në shërbime të transportit. Me deklarimin e situatës urgjente nga Presidenti dhe Guvernatori i shtetit të New Yorkut, kemi  larguar të gjithë punëtorët ‘jo esencial’, ashtu që t’i largojmë nga ekspozimi, por edhe që të zvogëlojmë mundësit që punëtorët tanë, të mos janë mbarës dhe shpërndarës të virusit. Megjithatë, një numër i madh i punëtorëve tanë janë infektuar nga virusi, rreth 2,000 të infektuar dhe 45 që kanë humb jetën deri tani, por shpresojmë që këto shifra mos të rritën më tutje.

Telegrafi: Ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin shqiptar në ShBA, kryesisht në New York dhe shtetet përreth. Si po e përballon komuniteti shqiptar këtë situatë, cili është bashkëpunimi, dhe a keni ndonjë statistikë se sa shqiptar janë të infektuar më coronavirus, dhe sa kanë vdekur?

Dr. Pashko R. Camaj: Komuniteti shqiptar gjithmonë mundohet të bashkëpunojë dhe te jetë i afërm, dhe kjo gjë ndodhë kryesisht falë angazhimeve të mëdha të organizatave, shoqatave dhe institucioneve fetare që janë të shumta në ShBA.  Kjo situatë e krijuar me pandeminë e COVID-19, natyrisht që ka krijuar një problem të veçantë, sepse kontaktet në komunitet janë vetëm ato virtuale, ngase kontaktet personale i kemi pezulluar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet shoqërore. Mundohemi të mbesim në kontakt dhe përmes rrjetave sociale dhe gazetave (online) të cilat na mbajnë lidhje. Fatkeqësisht janë një numër i konsiderueshëm i komunitetit shqiptarë që janë të sëmure dhe mbi 10 të vdekur deri tani. Shpresojmë që ky numër mos të ngritet, por kam dyshim që kjo nuk do të ndodhë.

Telegrafi: Komuniteti shqiptar në Amerikë gjithmonë është i bashkuar sa herë që kërkohet nevoja. Por, ka një shqetësim nga ky komunitet për vendet e tyre të origjinës, si të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë etj, sa i përket gjendjes së të infektuarave me coronavirus?

Dr. Pashko R. Camaj: E vërtetë. Ne shqiptarët në ShBA, megjithëse më problemet tona dhe  në situatën aktuale që gjendemi, gjithmonë kemi njërin sy nga vendlindja!  Natyrisht, që jemi gjithnjë të interesuar për situatën atje, duke pas parasysh dhe nivelin jo të lartë të shërbimeve shëndetësore atje dhe natyrisht kemi shqetësime. Por, bazuar në angazhimet që duket se janë marrë në mbarë rajon, po japin rezultate të mira, dhe ne kjo na gëzon shume. Unë, dëshiroj të apeloj që të vazhdojmë ta marrim këtë problem me seriozitetin ma të madh, dhe të zbatojmë udhëzimet e institucioneve përkatëse, në mënyre që së bashku te mbijetojmë dhe kalojmë me sa më pak viktima nga kjo krizë botërore. Dua të them, që ne jemi me ju, dhe do angazhohemi që të ndihmojnë si në të kaluarën, që të përballojmë dhe këtë problem, i cili nuk na ka kursyer as neve në anën tjetër të oqeanit.

Telegrafi: Çka është duke  bërë  Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra”, për menaxhimin e situatës, më konkretisht në vetëdijesimin e komunitetit shqiptarë, lidhur me pandeminë COVID-19?

Dr. Pashko R. Camaj: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, kryesisht përmes organit të vet, Gazetës Dielli (online) dhe faqes në Facebook, mbetet platformë e fuqishme dhe e vazhdueshme për lexuesit tanë.  Gazeta “Dielli”, që nga fillimi i pandemisë, ka shërbyer në mënyre maksimale, që së pari të hap vetëdijen mbi problemin, por dhe të jap informata të vlefshme për mbrojtjen nga ky virus, duke cilësuar këtu shkrime dhe publikime të vazhdueshme nga një numër i konsiderueshëm i profesionistëve tanë në këtë lami (mjekë të kategorive te ndryshme, doktorë shkencash, infermier etj.) të cilët janë anëtarë të Federatës sonë.

Telegrafi: Si i shihni situatën politike në Kosovë, pasi që me një mocion të LDK-së, dhe me përkrahjen e të gjitha partive tjera, është rrëzuar Qeveria Kurti, pikërisht në këtë kohë pandemie?    

Dr. Pashko R. Camaj: Situata e krijuar muajin e fundit në Kosovë është shumë shqetësuese për ne. Kjo situatë, aq më fort dhe gjatë kësaj periudhe të rrezikshme që pandemia paraqet, krijon dhe më shumë ankth tek ne. “Vatra”, në misionin e vet, është mbi-politike dhe mundohemi që të jemi faktor i cili fuqishëm përkrah institucionet demokratike, dhe njerëz të cilët respektojnë qëllimet dhe aspiratat e popullit të vet. “Vatra” lobon për të mirën tonë kombëtare, pavarësisht se cili subjekt apo parti politike është në ‘krye të shtetit’, dhe kërkon nga ata që të ruajnë dhe kultivojnë lidhjet miqësore dhe të përhershme me ShBA-të. Do të mbetemi të përkushtuar që të japim përkrahjen në vazhdimësi të aspiratave tona, dhe që “Vatra”, të prijë drejt finalizimit të bashkimit tonë, për të mirën tonë mbarëkombëtare./ Lumturije BEKAJ/Telegrafi/