Junçaj: 140 vjetori i mbrojtjes së Hotit dhe të Grudës

Gjatë çerekut të fundit të shek. XIX, Malësia e Madhe kaloi nëpër sprova tejet të vështira, saqë shpesh iu desh të luftoi, për ekzistencë, kundër armiqve të shumtë. Problemet e mëdha filluan që nga hyrja e Malit të Zi në luftë kundër Perandorisë Osmane, i cili shtet shkeli edhe në viset e Malësisë. Pas kyçjes së Rusisë në luftë dhe disfatës së Perandorisë Osmane, Malësia e Madhe u kërcënua nga vendimet e Shën Stefanit, por nuk u pranuan nga Fuqitë e Mëdha. Megjithatë, nuk u kursye nga Kongresi i Berlinit, në të cilin zyrtarisht u vendosqë të copëtohet Malësia e Madhe, duke i dhënë Malit të Zi , ndër tjera, Trieshin dhe Kojën.

    Malësorët që nga paraqitja e rrezikut të copëtimit të viseve të tyre, e shprehën pakënaqësinë përmes protestave të shumta. Megjithatë, Kongresi nuk i ndryshoi vendimet. Njëkohësisht,atdhetarët shqiptarë, vendosën të mbajnë Kuvendin Kombëtar në Prizren, në të cilin do trajtohet e ardhmja e Shqipërisë. Malësia e Madhe kishte caktuar përfaqësuesit e vet edhe përKuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Ata ishin: Çun Mula (Hot), Baca Kurti (Grudë), Ujk Gila (Këlmend), Gjel Vuksani(Kastrat) dhe Marash Dashi (Shkrel). Këta, për shkak se malazezët kishin hyrë në Triesh dhe në Dinoshë, nuk patën mundësi të jenë prezentë me 10 qershor 1878 në Prizren, por i pranuan vendimet e Kuvendit dhe në Kuvendin e mbajtur më 1 korrik, ata ishin prezentë.

    Pasi që ia kishin “dhuruar” Fuqitë e Mëdha, Mali i Zi tentoi të pushtoi Plavën dhe Gucinë, por atje hasi në rezistencë të shqiptarëve të udhëhequr nga Ali pashë Gucia dhe JakupFerri. Malazezët pësuan disfatë, sidomos, në betejat që u zhvilluan në  Nokshiq, në Velikë dhe Pepaj. Pasi që Mali i Zi nuk arriti të pushtoi këto territore, filloi të ankohet tekFuqitë e Mëdha, duke e akuzuar Portën se nuk po i plotëson vendimet e Kongresit të Berlinit. Fuqitë e Mëdha filluan të mendojnë që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi t’i japin si kompensim ndonjë territor tjetër.  Këtë na e konfirmon edhe gazeta malazeze “Gllas Crnogorca, e cila më 8 shkurt 1880, ndër të tjera, shkruante “në shtypin e Evropës po shkruhet se Malit të Zi do t’i dorëzohen toka tjera në vend të Plavës dhe Gucisë” dhe më tej vazhdon “Sidoqoftë, Mali i Zi, pasi që nuk ka marrë pjesë në Kongres, as nuk mund të kërkoj Plavën e Gucinë dhe se me gjakun e paratë e veta nuk duhet të përmirësoj gabimet e Fuqive të Mëdha”. Nga kjo vërehet qartë se Mali i Zi, për dështimin e marrjes së territoreve, nuk e pranon se fajtorë janë shqiptarët, të cilët e thyen ushtrinë malazeze, por fajëson Fuqitë e Mëdha. Së shpejti filluan të qarkullojnë zërat se ekziston mundësia që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi ti jepen Hoti dhe Gruda.

   Shtrohet pyetja se pse në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi t’i jepeshin pjesë të Malësisë së Madhe? Konti Luigj Korti, meqenëse ishte propozuesi kryesor i këtij shkëmbimi territorial, këtë shkëmbim e arsyetonte me faktin se në trevat e Hotit dhe Grudës shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët e besimit katolikë dhe, duke qenë këta të krishterë, sikurse edhe malazezët, nuk do të kundërshtojnë bashkimin me Malin e Zi. Ky propozim, i quajtur, sipas vetë propozuesit, projekti ,,Korti”, u zyrtarizua në Stamboll, më 18 prill 1880, me një memorandum që u nënshkrua nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Mirëpo, për shqiptarët e vërtetë, kjo nuk ka fare rëndësi, sepse në radhë të parë vjen përkatësia kombëtare, pastaj ajo fetare, por për fat të keq, këtë gjë nuk e kuptonin Fuqitë e Mëdha, e në radhë të parë as vetë propozuesi i shkëmbimit, konti Korti.

    Tani sytë e Evropës dhe të shqiptarëve, ishin drejtuar nga Malësia e Madhe. Pyetjet ishin të shumta si p.sh. A do të përsëritet lavdia e fitoreve shqiptare, si në Plavë dhe Guci, apo do të plotësohet parashikimi i kontit Korti dhe malësorët do ta pranojnë aneksimin nga Mali i Zi? Pra, Malësia e Madhe ndodhej para një sprove tejet të rëndë, sepse ishte në pyetje e ardhmja e saj. Mirëpo, porsa filluan të qarkullojnë zërat se mund të bëhet shkëmbim territoresh, ashtu që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi, t’i jepeshin Hoti dhe Gruda, malësorët nuk qëndruan duarkryq, por, në mënyra të ndryshme, shprehen shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre. Kështu, më 1 mars 1880, malësorët zbritën në Shkodër dhe, po atë ditë, krerët e Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, ku ndër tjera deklaronin se do të mbronin me çdo kusht tokat e tyre, në rast se do të miratohet projekti ,,Korti”. Me këtë veprim, malësorët, ua bënë me dije se ishin të gatshëm të luftojnë deri tek njeriu i fundit, nëse, edhe më tutje, kërcënohej tërësia territoriale e Malësisë së Madhe. Meqenëse Malësia e Madhe i takonte vilajetit të Shkodrës, atëherë barra kryesore i takonte Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, i cili filloi përgatitjet e duhura për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, si dhe, përveç kësaj, zhvilloi edhe veprimtarinë diplomatike. Më 3 prill 1880, në Kuvendin Krahinor, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, u vendos që me çdo kusht të mbrohen Hoti e Gruda dhe për këtë gjë me anë të një peticioni u njoftuan edhe Fuqitë e Mëdha. Komiteti Ndërkrahinor vazhdoi energjikisht punën e vet duke formuar, më 11 prill 1880, shtabin ushtarak që do të merrej me mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Në krye të Shtabit ushtarak u vendos koloneli Hodo Sokoli, ndërsa, në krye të shtabit, nga Malësia e Madhe ishin: Çun Mula dhe Ismail Marku nga Hoti, Smail Martini dhe Baca Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe NikëLeka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj.

   Fuqitë e Mëdha nuk i morën fare parasysh pakënaqësitë e malësorëve dhe më 18 prill 1880 u miratua projekti “Korti”. Një ditë pas nënshkrimit të Protokollit të Stambollit, më 19 prill 1880, u organizua një miting madhështor në Shkodër, ku u diskutua gjatë për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. HodoSokoli, i cili kishte marrë urdhër që të kryente dorëzimin e këtyre viseve, e braktisi detyrën dhe, publikisht, i hoqi dekoratat dhe gradën osmane, shembullin e të cilit e ndoqën edhe shumë ushtarë shqiptarë. Gjithashtu, Hodo Sokoli mbajti një fjalim patriotik dhe ndër të tjera iu drejtua bajraktarit të Hotit me fjalët: ,,Bajraktar, kryej detyrën tënde”. Atëherë bajraktari me jatagan preu shtizën që mbante flamurin osman dhe e hodhi për tokë.

    Në Tuz u vendos shtabi ushtarak dhe aty ishte grumbulluar një numër i madh i vullnetarëve, saqë vlerësohet se numri i tyre sillej diku nga 8.000 deri 10.000 vetë. Erdhi dita e paraparë për dorëzimin e Hotit dhe Grudës, 22 prilli i vitit 1880. At ditë u tërhoqën forcat osmane nga këto vise dhe, vendin e tyre, menjëherë e nxunë vullnetarët e Lidhjes Shqiptare. Gjithashtu, atë ditë ushtria malaziase, e bindur se do të hynte pa hasur në rezistencë, u nis në drejtim të Tuzit, mirëpo ndeshi në shqiptarë, që kishin zënë pozicionet tek Ura e Zharnicës. Me këtë rast ka mbet e njohur thirrja e Baca Kurtit drejtuar bashkëluftëtarëve, që u është drejtuar me këtë thirrje: ,, Vllazen! Anmiku po na msyn! Kush të don me deksot për vend të vet dhe për nder të armëve të veta, të vij pas mejet.” Në Zharnicë u zhvilluan luftimeve të ashpra, saqë së shpejti, duke përdorur edhe armët e ftohta, u kalua në luftimet gjoks me gjoks.   Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në Helm dhe në brigjet e lumit Cem. Sikurse më parë, edhe këtë herë, shqiptarët, treguan heroizëm dhe atdhedashuri të lartë, arritën që të thyejnë ushtrinë malaziase, të cilën e detyruan që e tyrpëruar të tërhiqet në drejtim të Podgoricës. Këto fitore e ngritën edhe më lartë vetëbesimin dhe entuziazmin tek shqiptarët dhe, në këtë mënyrë, edhe njëherë, ia bënë me dije Evropës se zot të Shqipërisë janë shqiptarët dhe se nuk do t’ia lëshojnë askujt asnjë pëllëmbë tokë. Lidhur me këtë, dëshmitari i kohës, At Pierbatista Grumelli thotë: “ Nuk i pashë më kurrë shqiptarët kaq të entuziazmuar dhe plot dashuri për atdheun si në atë rast. Ideali i përbashkët ishte ta mposhtnin Malin e Zi”. Po ashtu, qëndrimi i malësorëve bëri që mos të plotësohet parashikimi i Kortit, i cili tani pati mundësinë ta kuptoj se shqiptari është shqiptar, pa marrë parasysh besimin fetar. Shumë është interesant fakti se për disfatën e pësuar, shtypi i kohës malazias dhe ai serb e fajëson Perandorinë Osmane, i minimizon këto humbje dhe shpesh herë i injoron fare. Shumica e studiuesve serbo-malazezë, që janë marrë me këtë problematikë, qofshin të kohëve më të hershme apo edhe të sotshme, betejat për mbrojtjen e Malësisë i paraqesin sikurse dhe shtypi i tyre i atyre ditëve.

    Meqenëse ushtria osmane ishte larguar, ushtria malaziase ishte mposhtur dhe tërhequr, Hoti dhe Gruda me qendër Tuzin ishin faktikisht nën drejtimin e organeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo gjendje do të mbizotëroj për më se 8 muaj të plotë, që nga 22 prilli deri më 28 dhjetor 1880. Këtë më së miri na e dëshmon fakti, kur më 27 prill, shqiptarët e mbyllën Bunën dhe, në këtë mënyrë, në këtë drejtim, ia ndaluan tregtinë Malit të Zi. Po ashtu, edhe shtypi i huaj informonte për një gjë të tillë, siç është rasti me gazetën italiane ,,L’osservatore Romano”, e cila, më 5 maj 1880, ndër të tjera shkruan ,, Porta e ka humbur autoritetin në viset shqiptare, sepse aty mbretëron Lidhja”.

 Meqenëse ishte e qartë se Hoti dhe Gruda nuk do të dorëzoheshin dhe se vetë, për shkak të mospajtimit mes tyre, nuk mund të ndërhynin ushtarakisht, Fuqitë e Mëdha filluan të përgatisin një projekt të ri, i cili parashikonte që Malit të Zi, në vend të Hotit dhe Grudës t’i dorëzohen toka tjera. Përfundimisht, më 26 qershor 1880, u vendos që Malit të Zi ti jepej Ulqini. Shqiptarët sërish protestuan dhe u angazhuan për mbrojtjen e Ulqinit, por këtë herë Perandoria Osmane ndërhyri ushtarakisht duke thyer rezistencën shqiptare dhe më 26 nëntor ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi.

    Më në fund mund të themi se me mbrojtjen e viseve shqiptare, sidomos me mbrojtjen e Malësisë së Madhe, u tregua niveli i lartë i ndërgjegjes kombëtare dhe i atdhedashurisë, me ç’gjë shqiptarët e drejtuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ia bënë me dije edhe Evropës se për shqiptarë në radhë të parë vjen kombësia dhe se pa marrë parasysh se kush do jetë armiku, malësorët nuk do lëshojnë asnjë pëllëmbë toke pa me e larë me gjak. Po ashtu, malësorët në çdo kohë, kur e kërkoi nevoja, me gjakun e vet e mbrojtën atdheun e tyre të shtrenjtë, Malësinë e Madhe, për të cilën asnjëherë asgjë nuk kursyen dhe dëshira e tyre, e cila fatkeqësisht nuk u plotësua, ishte vetëm të mbes aty ku e ka vendin, brenda kufijve të Shqipërisë.