Skenari i frikshem – Po sikur vaksina e covid-19 të mos gjendej kurrë?

Teksa vende të tëra janë paralizuar nga karantina dhe jetët e miliarda njerëzve janë cenuar nga koronavirusi, shumë shpresa janë varur tek ajo që shihet si mënyra më e mirë për fundin e pandemisë paralizuese: vaksina.

Por ekziston një mundësi, që ajo të mos zhvillohet kurrë, dhe kjo nuk do të ishte e paprecedent. Në rast se kjo ndodh, atëherë shoqëritë, në vend që ta fshijnë Covid-19, mund të mësojnë të jetojnë me të. Qytetet do të hapeshin ngadalë dhe disa liri do të kthehen nëse ndiqen rekomandimet e ekspertëve.

Testimi dhe gjurmimi fizik mund të bëheshin pjesë e jetës sonë në periudhën afatshkurtër megjithëse një urdhër i papritur për tu izoluar mund të mbërrijë në çdo kohë. Një mundësi e tillë, po merret parasysh me shumë seriozitet nga mjaft ekspertë sepse diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë.

“Ka viruse ndaj të cilëve ne ende nuk kemi zhvilluar një vaksinë”, – thotë doktor David Nabarro, profesor i shëndetit global në Imperial College London, i cili gjithashtu shërben si një i dërguar i veçantë i OBSH-së për pandeminë e Covid-19.

“Ne nuk mund të bëjmë supozime absolute se vaksina do të shfaqet apo se do t`i kalojë të gjitha testet e efikasitetit dhe sigurisë”, – shton ai. Një numër i madh specialistësh megjithatë janë të bindur se vaksina e Covid-19 do të arrijë të zhvillohet, e këtë bindje të tyre e ushqen dhe fakti që në ndryshim nga sëmundje si HIV apo malarja, koronavirusi nuk pëson mutacione aq të shpejta.

“Është absolutisht thelbësore që të gjitha shoqëritë të futen në një pozicion ku të jenë në gjendje të mbrojnë veten kundër koronavirusit si një kërcënim i vazhdueshëm, dhe të jenë në gjendje të vazhdojnë jetën shoqërore dhe aktivitetin ekonomik me virusin”, – i tha Nabarro CNN.

Shumë ekspertë, duke përfshirë edhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Dr. Anthony Fauci, sugjerojnë se vaksina mund të krijohet brenda një viti deri në 18 muaj. Ndërsa Zyrtari Kryesor i Mjekësisë në Angli, Chris Whitty thotë se një vit mund të jetë shumë shpejt.
Por edhe nëse zhvillohet një vaksinë, vënia e saj në zbatim në këto afate kohore do të ishte diçka e paarritur kurrë më parë.

“Asnjëherë nuk e kemi përshpejtuar një vaksinë në një vit apo deri në 18 muaj,” – i tha CNN, Dr. Peter Hotez, dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë në Houston. “Nuk do të thotë se është e pamundur, por do të jetë një arritje heroike. Ne kemi nevojë për planin A, dhe një plan B”, thotë ai.

Kur vaksinat nuk funksionojnë

Në 1984, Sekretarja e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore e SHBA Margaret Heckler njoftoi në një konferencë për shtyp në Uashington, DC, se shkencëtarët kishin identifikuar me sukses virusin që më vonë u bë i njohur si HIV – dhe parashikoi që një vaksinë parandaluese do të ishte e gatshme për testim në 2 vjet. Gati 4 dekada dhe 32 milion vdekje më vonë, bota është ende në pritje të një vaksine kundër HIV.

Në vend të një përparimi, pretendimi i Heckler u pasua me humbjen e një brezi burrash homoseksualë dhe tronditjen e dhimbshme të komunitetit të tyre në vendet perëndimore. Për shumë vite, një diagnozë pozitive nuk ishte veçse një dënim me vdekje duke siguruar që ky person do t’i kalonte muajt e fundit të jetës i braktisur nga komuniteti i tyre.

Kërkimi nuk përfundoi në vitet ’80. Në 1997, Presidenti Bill Klinton sfidoi SHBA që të dilnin me një vaksinë brenda një dekade. 14 vjet më pas, shkencëtarët thanë se ishim ende rreth 10 vjet larg.
Vështirësitë në gjetjen e një vaksine filluan me vetë natyrën e HIV/AIDS. “Gripi është në gjendje të ndryshojë veten nga një vit në tjetrin, kështu që infeksioni natyror ose imunizimi i vitit të kaluar bën që mos t’ju infektojë vitin tjetër. HIV e bën atë gjatë një infeksioni të vetëm,” – shpjegon Paul Offit, pediatër dhe specialist i sëmundjes infektive një nga bashkautorët e vaksinës së rotavirusit.

“Ai vazhdon të krijojë mutacione tek ju, kështu që është sikur të jeni të infektuar me një mijë fillesa të ndryshme të HIV. Ndërkohë që krijon mutacione, gjithashtu është duke dëmtuar sistemin tuaj imunitar” – thotë Offit për CNN.

HIV paraqet vështirësi shumë unike, por Covid-19 nuk posedon nivelin e tij të pakapshmërisë, duke i bërë ekspertët përgjithësisht më optimistë për gjetjen e një vaksine.

Por ka edhe sëmundje të tjera që i kanë bërë lëmsh si shkencëtarët ashtu edhe trupin njerëzor. I tillë është rasti i vaksinës për ethet tropikale që infekton 400 mijë persona në vit dhe sipas OBSH i ka dëshpëruar mjekët prej vitesh. Në 2017-ën pati një sforco masive për të gjetur një vaksinë, por u la në mes pasi përkeqësonte simptomat e sëmundjes.

Në mënyrë të ngjashme, ka qenë shumë e vështirë të zhvillohen vaksina për rinoviruset dhe adenoviruset e zakonshme – të cilat, njëlloj si koronaviruset, mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me gripin apo ftohjen. Ka vetëm një vaksinë për të parandaluar dy llojet e adenovirusit, por kjo nuk është në komerciale.

“Në fillim ka shpresa të mëdha, dhe pastaj ato janë ndërprerë” – thotë Nabarro, duke përshkruar procesin e ngadaltë dhe të dhimbshëm të zhvillimit të një vaksine. “Kemi të bëjmë me sisteme biologjike, nuk kemi të bëjmë me sisteme mekanike. Kjo vërtet varet aq shumë nga si reagon trupi”.

Analiza të thelluara janë duke u zhvilluar tashmë në Universitetin e Oksfordit në Angli për një vaksinë ndaj koronavirusit të marra nga një virus shimpanzeje ndërsa në SHBA po zhvillohet një vaksinë tjetër nga kompania “Moderna”.

“Sidoqoftë, është procesi i testimit – jo zhvillimi – ai që mban peshën më të rëndësishme”, – shton Hotez, i cili punoi edhe për një vaksinë kundër SARS. “Pjesa e vështirë është të tregosh dhe të vërtetosh se vaksina funksionon dhe është e sigurt”.

Plani B

Nëse të njëjtin fat ka edhe vaksina kundër Covid-19, virusi mund të mbetet mes nesh për shumë vite. Por, përgjigja mjekësore si ndaj HIV/AIDS ofron ende një mënyrë për të jetuar me një sëmundje që nuk mund ta zhdukim.

“Me HIV, ne kemi qenë në gjendje ta bëjmë atë një sëmundje kronike me anë të antiviralëve. Ne kemi bërë atë që gjithmonë kemi shpresuar të bëjmë me kancerin,” – thotë Offit. “HIV nuk është një dënim me vdekje siç ishte në vitet 1980”.

Një numër trajtimesh po testohen gjithashtu për Covid-19, pasi shkencëtarët kërkojnë një Plan B paralelisht me rezultatet në vazhdim të vaksinave, por të gjitha ato analiza janë në faza shumë të hershme. Shkencëtarët po shohin te ilaçi Remdesivir që u eksperimentua kundër Ebolës, ndërsa vijojnë edhe trajtimet me plazmën e gjakut. Hydroxychloroquine, e mbrojtur edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump është konstatuar se nuk mund të funksionojë në pacientë shumë të sëmurë.

“Barnat që ata kanë zgjedhur janë kandidatët më të mirë,” thotë Keith Neal, Profesor Emeritus në Epidemiologjinë e Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Nottingham.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA i tha CNN se është në bisedime për të vënë në dispozicion të pacientëve Remdesivir pas shenjave pozitive të tij në shpejtimin e shërimit nga koronavirusi. Efekti më i rëndësishëm i një ilaçi është nëse ai do të mund të zgjaste kohën e një pacienti për të kaluar në terapi intensive duke u dhënë mundësi spitaleve të jenë më të relaksuar nga shtrimet e rënda.

Sa efektiv do të jetë ky ilaç mbetet për tu parë ndërsa problem është edhe fakti që ai nuk është në prodhim të plotë. Rezultatet pozitive do të krijonin vetëm mundësinë që pandemia të menaxhohej më lehtë edhe pse sëmundja do të qëndronte mes nesh për vite.

Si do të duket jeta pa vaksinë

Nëse nuk mund të prodhohet një vaksinë, jeta nuk do të duket siç është tani. Thjesht nuk mund të kthehet shpejt në normalitet.

“Bllokimi nuk është i mirë për ekonominë, dhe ndoshta jo për politikën”, – thotë Neal. “Kështu që ne kemi nevojë për gjëra të tjera për ta kontrolluar atë.”

Kjo do të thotë që, ndërsa vendet fillojnë të zvarriten, ekspertët do të shtyjnë qeveritë të zbatojnë një mënyrë të re, më të vështirë për të jetuar dhe bashkëvepruar për të blerë kohën e botës në muaj, vite ose dekada, derisa Covid-19 mund të eliminohet nga një vaksinë.

“Është absolutisht thelbësore të punosh për të qenë i gatshëm për Covid,” thotë Nabarro. Ai bën thirrje për një “kontratë shoqërore” të re, në të cilën qytetarët në çdo vend, që do të fillojnë me jetën e tyre normale, do të marrin përgjegjësinë personale për tu izoluar nëse shfaqin simptoma ose bien në kontakt me një rast të mundshëm Covid-19.

Kjo do të thotë një ndarje nga kultura e neglizhencës për kollën ose simptoma të lehta të ftohjes dhe zvogëlimi i kohës në punë dhe ambiente publike. Ekspertët parashikojnë gjithashtu një ndryshim të përhershëm të të shkuarit në punë. Tashmë do të ketë më shumë punë në distancë, punë nga shtëpia, të paktën në disa ditë duke e bërë një mënyrë standarde të jetës për punonjësit e “jakave të bardha”. Kompanitë pritet të zhvendosin praktikat e tyre në mënyrë që zyrat të mos jenë kurrë plot në mënyrë të panevojshme.

“Kjo (duhet) të bëhet një mënyrë e sjelljes që ne të gjithë i atribuojmë përgjegjësisë personale … duke i trajtuar ata që janë të izoluar si heronj”, thotë Nabarro. “Duhet një pakt kolektiv për mbijetesë dhe mirëqenie përballë kërcënimit të virusit.

“Do të jetë e vështirë të bëhet në kombet më të varfra,” shton ai, kështu që gjetja e mënyrave për tu mbështetur nga vendet në zhvillim do të bëhet “veçanërisht e ndërlikuar politikisht, por edhe shumë e rëndësishme”. Ai përmend strehimet e refugjatëve dhe emigrantëve si zonat me shqetësim veçanërisht të lartë.

Në afat të shkurtër, Nabarro thotë se një program i gjerë i testimit dhe gjurmimit të kontakteve do të duhej të zbatohej për të lejuar që jeta të funksionojë së bashku me Covid-19.

“Absolutisht i rëndësishëm duhet të jetë një sistem i shëndetit publik që përfshin gjurmimin e kontakteve, diagnozën në vendin e punës, monitorimin për mbikëqyrje sindromike, komunikimin e hershëm nëse duhet të riafirmojmë distancimin shoqëror”, shton Hotez.

“Nëse ka një transmetim minimal, mund të jetë e mundur të hapen edhe ngjarje sportive dhe tubime të tjera të mëdha”, – thotë Hotez – “por një veprim i tillë nuk do të ishte i përhershëm dhe do të duhej të vlerësohej vazhdimisht nga qeveritë dhe organet e shëndetit publik”.

Kjo do të thotë se Premier League, NFL dhe ngjarje të tjera masive mund të rinisin për sa kohë që atletët do të testohen rregullisht dhe tifozët do të jenë të ndarë.

“Baret dhe lokalet janë ndoshta të fundit në listë, sepse ato janë të mbingarkuara,” sugjeron Neal. “Mund të rihapen restorante, me distancë sociale.” Disa vende evropiane kanë sinjalizuar se do të fillojnë të lejojnë restorantet t’u shërbejnë klientëve me kapacitet të zvogëluar.

Kufizimet ka shumë të ngjarë të kthehen gjatë dimrit pasi Hotez sugjeron që kurba e Covid-19 mund të ngrihet çdo dimër derisa të futet në lojë një vaksinë.

Edhe bllokimet, shumë prej të cilave janë në proces të heqjes graduale, mund të kthehen në çdo moment. “Kohë pas kohe do të ketë shpërthime, lëvizja do të jetë e kufizuar – dhe kjo mund të zbatohet për pjesë të një vendi, ose madje mund të zbatohet për një vend të tërë,” thotë Nabarro.

Sa më shumë kohë kalon, aq më imponuese bëhet perspektiva e debatuar e “imunitetit të tufës” kur shumica e një popullate të caktuar, rreth 70% deri 90%, bëhet imun ndaj një sëmundjeje infektive. “Kjo mund të ndodhë pas hapjes së kufijve megjithëse imuniteti i popullatës i shkaktuar nga një infeksion natyror nuk është mënyra më e mirë për të siguruar imunitetin e popullatës. Mënyra më e mirë është vaksina” – thotë Offit.

Fruthi është “shembulli i përsosur”, thotë Offit – përpara se vaksina të përhapej, “çdo vit, 2 deri në 3 milionë njerëz prekeshin nga fruthi”. Me fjalë të tjera, sasia e vdekjeve dhe vuajtjeve nga Covid-19 do të ishte e madhe edhe nëse një pjesë e madhe e popullsisë ka fituar imunitet.

Të gjitha këto parashikime tundohen nga një besim i përgjithshëm se një vaksinë do të zbulohet. “Unë mendoj se do të ketë vaksinë – ka shumë para, ka shumë interes dhe objektivi është i qartë,” – thotë Offit.
Por shpërthimet e mëparshme kanë vërtetuar një gjë, se “gjuetia” për vaksinat është e paparashikueshme. “Unë nuk mendoj se një vaksinë do të zhvillohet shpejt,” – paralajmëron Offit. “Do të isha i befasuar nëse do të kishim diçka në 18 muaj.”