Prej sot në Mal të Zi kanë hyrë në fuqi masat e reja të zbutura për pengimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Qytetarët në hapësirat e mbyllura publike do të jenë të detyruar të mbajnë maska ose shami me të cilat duhet të mbulojnë hundën dhe gojën. Siç është kumtuar nga Qeveria, prej sot mundësohet puna në shitore si dhe ndërmarrje të vogla, në muze dhe galeri. Mundësohet edhe puna e transportimit urban të taksive, transportit lokal urban në njësitë e administratës lokale në të cilat Instituti i Shëndetit Publik nuk ka regjistruar raste të infektimeve me koronavirusin.
Me masat e reja është paraparë se punëdhënësi është i obliguar që për të punësuarit, gjatë punës në objekte, lokale dhe në automjete, të sigurojë shfrytëzimin e maskës dhe mjeteve mbrojtëse për dezinfektim. Me masat e reja është paraparë që shoqatat afariste dhe ndërmarrësit të cilët merren me tregti në pakicë, përfshirë këtu edhe tregjet e gjelbra, janë të detyruar që në hyrje – daljet nga objekti, të sigurojnë për konsumatorët mjetet për dezinfektimin e duarve.