Intervistë me regjisorin nga Malësia me banim në SHBA, Idriz Gjokaj

A ka sektor kulturor sot në Malësi?!

Ata që sot janë kompetentë për sektorin kulturor në Malësi (nëse ka të tillë) duhet urgjentisht që të dalin me një plan hartues njëvjeçar në të cilin duhet të jenë të përfshira aktivitetet kulturore nga më të ndryshmet, ku do të kishte: mbrëmje poetike, recitale, gara poezish, koncerte e mini-koncerte, zhanre të ndryshme të muzikës, etyde humori dhe satire, takime letrare, këngë e valle, folklor dhe mbi të gjitha e para së gjithash TEATËR, si përçuesi dhe bartësi unik dhe eminent i vlerave më të gjalla dhe më të prekshme kulturore-shoqërore dhe atyre shpirtërore, që nga desidoriatet egjiptiane, ditirambet antike, e deri tek “Erotikat” Çehoviane në të cilat publiku përjeton katarsisin ose ndryshe “shkarkimin fiziologjik”, për të cilin kemi nevojë sot, si kurrë më parë. 

Koha javore: Z. Gjokaj, Ju jeni regjisori i parë profesionist në Malësi dhe pas kualifikimit Tuaj, kontribuat disa herë për të vënë në skenë drama të njohura për publikun shqiptar në vend. Cilat ishin shkaqet e pezullimit të aktiviteteve Tuaja kulturore në vend dhe emigrimit drejt SHBA-ve?

I. Gjokaj: Fillimisht më lejoni që përmes jush të përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës suaj në vendlindje dhe në mërgim, kudo që ndodhen ata, me një “Vunjatjeta” të përzemërt. Ne jemi gjenerata së cilës i ka rastisur që të vuaj këto vite të trishta tranzicioni, i cili në mënyrë permanente është duke vazhduar që të na marrë kohë, së cilës vetëm tani gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë kolektive po i duken vlerat reale. E pra, koha e humbur e tranzicionit është duke na lënë pasoja, disa prej të cilave janë të pariparueshme.

Kam një lloj pershtypjeje që jemi me indicie “asfiksimi kolektiv” dhe sikur jemi duke pritur që të shfaqet dikush nga diku (nga hiçgjë), sa për t’na dhënë një dorë që të marrim veten. Për një çast po më kujtohet skena e Hamletit, dhe po bëj një krahasim të pakrahasueshëm dhe disi metaforik, kur i shfaqet fantazma e babait të vetë për t’i rrëfyer ngjarjen makabre me ungjin. Por “fantazma” jonë (që nuk e di se cila mund të jetë) qartësisht ka humbur udhën, por edhe neve nuk është se dëshirojmë edhe aq shumë që të shfaqet.

Shkaqet e largimit tim janë të njohura, e më së miri i dinë ata që kanë kontribuar për t’i realizuar ato. Atyre ka të ngjarë që ju dukej se auditori malësor nuk duhej të përballej me shfaqje të vëna nga profesionistë të fushës përkatëse, pasi rrezikohej “keqkuptimi”, gjithmonë sipas mendjes së “ndritur” të tyre, në mes binomit skenë-spektator. Dhe kur të mbyllet dera e afrimit dhe ajo e afirmimit si dikush me pasion të hovshëm dhe zell të vrullshëm, zgjedhja e vetme është zhdukja e menjëhershme nga dritarja, si opsioni i fundit për të siguruar një çap bukë sa për të mbijetuar.

Koha javore: Pa dyshim që synimi Juaj, ashtu sikurse edhe i shumë profesionistëve të fushave të ndryshme, ka qenë që t’i shërbeni Malësisë. Çfarë ishin barrierat që ju çuan ta braktisni vendlindjen dhe të mos e realizoni objektivin Tuaj?

I. Gjokaj: Do të na duhej një listë e gjatë për të evidentuar barrierat në të cilat kam hasur përgjatë kalvarit pesëvjeçar pas diplomimit, atij trivjeçar, pas magjistrimit dhe largimit përfundimtar. Ato ishin nga më të ndryshmet, që nga thashethemet dhe stereotipet individuale kundrejt meje, deri tek ato të disa partive palo-politike e pushtetare, si dhe frikat e ndryshme të personave që qëndronin nëpër poste, vende e detyra aksidentalisht dhe jo fare me meritë.

Koha javore: Si e shikoni sektorin e kulturës sot në Malësi? A ka ndryshuar diçka në aspektin e zhvillimit të kulturës në Tuz qëkur është ndërruar struktura e qeverisjes vendore në vend?

I. Gjokaj: Pyetjes suaj po i përgjigjem me pyetjen; A ka sektor kulturor sot në Malësi? Jemi “në vend numëro” dhe as që bëhet fjalë për ndonjë hap eventual përmirësimi. Alarmin e kam ngritur qëkur isha atje, që kur intervistohesha nga mediat vendase (falënderim të përzemërt dhe të veçantë për to), qëkur i mbarova studimet. Të mëkatosh individualisht e personalisht ekziston mundësia e faljes si reaksion zinxhir, shkak-pasojë-pendim, por ta bësh këtë kolektivisht e vazhdimisht është e pafalshme për shkak të thellimit të mos ndërgjegjësimit absolut masiv.

Koha javore: Në Malësi ende mungojnë institucionet kryesore të artit dhe kulturës. Sipas këndvështrimit Tuaj prej profesionisti, cilat aktivitete kulturore i mungojnë Malësisë e që do të mund të organizoheshin nga ata që janë të ngarkuar në këtë drejtim?

I. Gjokaj: Ata që sot janë kompetentë për sektorin kulturor në Malësi (nëse ka të tillë) duhet urgjentisht që të dalin me një plan hartues njëvjeçar në të cilin duhet të jenë të përfshira aktivitetet kulturore nga më të ndryshmet, ku do të kishte: mbrëmje poetike, recitale, gara poezish, koncerte dhe mini-koncerte, zhanre të ndryshme të muzikës, etyde humori dhe satire, takime letrare, këngë e valle, folklor dhe mbi të gjitha e para së gjithash TEATËR, si përçuesi dhe bartësi unik dhe eminent i vlerave më të gjalla dhe më të prekshme kulturore-shoqërore dhe atyre shpirtërore që nga desidoriatet egjiptiane, ditirambet antike, e deri tek “Erotikat” Çehoviane në të cilat publiku përjeton katarsisin ose ndryshe “shkarkimin fiziologjik”, për të cilin kemi nevojë sot, si kurrë më parë. 

Koha javore: Cfarë do të duhej të ndërmerrnin përgjegjësit e fushës së kulturës në Malësi në mënyrë që jeta kulturore në vend të gjallërojë dhe të jetë evidente?

I. Gjokaj: Unë dëshiroj të shpreh këtu bindjen time më të thellë se bërthama e një teatri do të fillonte të qartësonte zbrazëtitë dhe boshllëqet sociale dhe të jepte frytet e veta të çmuara të cilat do të na ngopnin shpirtërisht e mendërisht, njëjtë si në Dodonën e lashtë, në të cilën jeta fillonte kur orakulli parashikonte të ardhmen përmes fërshëllimës së degëve dhe turmat e njerëzve dëfreheshin e ngazëlleheshin.

Koha javore: Si do ta përkufizonit një vend ku arti dhe kultura lënë për të dëshiruar?

I. Gjokaj: “Ku thërret qameti”, nuk ka më denigruese se kur zgjohesh në mëngjes e mendon për ditën tjetër, pasi me këtë të sotmen vetëm ke boshllëk emocional të mjaftueshëm, të cilin zor se e plotëson e nesërmja.

Koha javore: A keni menduar të ktheheni sërish në Malësi për të jetuar dhe vepruar apo jeta juaj do të vazhdojë në SHBA?

I. Gjokaj: Pothuajse çdo person në mërgim e mendon dhe dëshiron kthimin në atdhe, por kjo shpeshherë nuk varet nga ti, por nga disa faktorë dhe rrethana të krijuara në vendlindje, por edhe në ambientin në të cilin je i pranishëm.

                                                                                          Intervistoi: Toni Ujkaj