Në situatën e tanishme të polarizimit të tejskajshëm të skenës politike shqiptare dhe të skenës politike në Mal të Zi në përgjithësi, edhe fitimi i dy deputetëve përbën sukses për partitë shqiptare. Por një rezultat i tillë, duke pasur parasysh sistemin zgjedhor në fuqi dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, mund të sigurohet vetëm nëse shqiptarët dalin në një listë të përbashkët zgjedhore. Kjo gjë mund të arrihet lehtë nëse ekziston vullneti politik dhe konsensusi, nëse drejtuesit partiakë i lënë anash mëritë personale dhe lëshojnë pe për të mirën e përgjithshme.
Ismet Kallaba
Në muajin shtator të këtij viti, në Mal të Zi pritet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Zgjedhjet zhvillohen në një situatë të tensionuar dhe klimë të pafavorshme politiko-shoqërore kur Mali i Zi, ashtu si edhe disa vende të tjera të rajonit po vlon nga përçarjet e mëdha politike dhe polarizimi i shoqërisë, të ndikuara edhe nga ndërhyrjet nga jashtë. Që prej miratimit të Ligjit për komunitetet fetare nga Kuvendi i Malit të Zi, në ditët e fundit të vitit të kaluar, Kisha Ortodokse Serbe, e mbështetur nga partitë pro serbe në Malin e Zi, por edhe nga Serbia dhe ndonjë qendër tjetër, ka filluar protestat dhe mbajtjen e liturgjive në qytete të ndryshme të Malit të Zi për të kundërshtuar këtë ligj që, sipas tyre, është hartuar me qëllim të marrjes së pronës së Kishës Ortodokse Serbe nga shteti i Malit të Zi. Pas një pushimi gati dymujor për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, protestat dhe liturgjitë e organizuara nga KOS-i kanë vijuar edhe gjatë kohës kur në fuqi kanë qenë masat kufizuese për parandalimin e COVID-19, duke shkaktuar përplasje me policinë dhe organet e tjera të pushtetit.
Në një situatë të tillë politike, ku Kisha Ortodokse Serbe ka zhveshur petkun e saj fetar dhe është shfaqur hapur në skenë edhe si një aktor politik, duke bashkuar rreth idesë së panortodoksizmit të gjitha forcat politike pro serbe, të cilat janë hapur kundër Malit të Zi, zgjedhjet vlerësohen të jenë një referendum i dytë për Malin e Zi pas atij të vitin 2006, kur Mali i Zi e rifitoi pavarësinë. Edhe partitë politike në pushtet, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve, medoemos do të bëjnë përpjekje që të dalin sa më të bashkuara në këto zgjedhje, duke u munduar që të bashkojnë rreth vetes edhe forca të tjera politike, që për momentin nuk janë në pushtet, por që deklarohen për pavarësinë e Malin e Zi.
Partitë politike të pakicave do të kenë rol vendimtar në këto zgjedhje, ashtu siç kanë pasur pothuajse gjithmonë, që prej shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi. Për këtë arsye, partitë politike shqiptare kanë shansin historik për të dalë së bashku në zgjedhje në një koalicion parazgjedhor me qëllim të maksimalizimit të votës shqiptare dhe të rezultatit të zgjedhjeve. Por një gjë e tillë është e vështirë për t’u arritur duke pasur parasysh përvojën në të kaluarën, përçarjet politike aktuale dhe duke njohur ambiciet dhe egot personale të krerëve të subjekteve politike shqiptare.
Përpjekjet për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë filluar që prej disa muajsh. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka inicuar takimin e partive politike shqiptare në Tiranë, nën drejtimin e ministrit në detyrë Gent Cakaj. Tashmë kur pandemia e shkaktuar nga koronavirusi po vjen drejt zbutjes dhe zgjedhjet parlamentare po afrohen, kanë vijuar sërish përpjekjet për bashkimin e forcave politike shqiptare nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, por ka pasur edhe takime të drejtpërdrejta ndërmjet vetë partive politike shqiptare.
Aktualisht pesha politike e partive shqiptare në Mal të Zi është shumë e vogël dhe ato nuk përbëjnë ndonjë faktor politik të rëndësishëm dhe serioz në skenën politike në Mal të Zi. Fakti se në Kuvendin e Malit të Zi është vetëm një deputet i partive shqiptare nga 81 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi, është treguesi më i mirë për këtë. Në këtë situatë ka kontribuar mos bashkimi i shqiptarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2016, kur vetëm njëra listë shqiptare (Koalicioni “Shqiptarët të vendosur, i përbërë nga Forca e Re Demokratike, UDSH dhe Alternativa Shqiptare) ka arritur të sigurojë mandatin e deputetit, ndërsa dy listat tjera (Koalicioni Shqiptar “Me një qëllim”, në përbërje të të cilit ishin Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare, LD në MZ dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva”, si dhe lista tjetër Lidhja Demokratike e Shqiptarëve) nuk kanë fituar asnjë deputet. Rikthimi i modelit zgjedhor me mandate të garantuara (katër deputetë) për shqiptarët nisur nga përqindja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Malit të Zi, duket i vështirë pasi që nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin e Malit të Zi për ndryshimin e Ligjit zgjedhor. Të gjitha këto e bëjnë të domosdoshme bashkimin e partive politike shqiptare sepse vetëm në këtë mënyrë nuk do të digjen votat e shqiptarëve, siç ndodhi me gjysmën e votave të tyre në zgjedhjet e kaluara.
Në një përpjekje të ngjashme për të bashkuar partitë politike të shqiptarëve në rajon, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shënuar tashmë fitoren e parë pasi që ka arritur të bashkojë katër forca politike shqiptare në Luginën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi më 21 qershor.
Edhe shqiptarët në Mal të Zi kanë treguar se mund të bashkohen kur është në pyetje interesi i përgjithshëm dhe kur ekziston vullneti politik. Shembulli i fundit dhe më i mirë është bashkimi i tri partive politike shqiptare (ASH-LDSH-UDSH), nën moton “Malësia na bashkon”, gjë që rezultoi me fitore në zgjedhjet e para për Komunën e pavarur të Tuzit. Nga ana tjetër, kemi edhe rastin e Komunës së Ulqinit, ku partitë shqiptare, pavarësisht se bashkërisht e kanë shumicën dhe mund të krijonin koalicionin qeverisës, kanë krijuar koalicion paszgjedhor me PDS-në dhe Komuna e Ulqinit drejtohet nga kryetari që vjen nga radhët e PDS-së.
Në situatën e tanishme të polarizimit të tejskajshëm të skenës politike shqiptare dhe të skenës politike në Mal të Zi në përgjithësi, edhe fitimi i dy deputetëve përbën sukses për partitë shqiptare. Por një rezultat i tillë, duke pasur parasysh sistemin zgjedhor në fuqi dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, mund të sigurohet vetëm nëse shqiptarët dalin në një listë të përbashkët zgjedhore. Kjo gjë mund të arrihet lehtë nëse ekziston vullneti politik dhe konsensusi, nëse drejtuesit partiakë i lënë anash mëritë personale dhe lëshojnë pe për të mirën e përgjithshme. Për më tepër, dihet se lufta ndërmjet partive politike shqiptare nuk bëhet për parime, për ndonjë platformë politike zgjedhore, por për atë se kush do ta drejtonte koalicionin eventual parazgjedhor të partive shqiptare dhe për renditjen në këtë koalicion. Kjo është një luftë brenda llojit, ku secili lider partiak përpiqet të hiperbolizojë fuqinë e vet reale politike.
Shqiptarët nuk duhet ta humbin shansin historik për t’u bashkuar. Në rast të kundërt, do të vazhdojë theqafja politike e partive politike shqiptare në Mal të Zi e bashkë me to edhe e popullatës shqiptare. Ato parti që nuk do të bashkohen, do të marrin mbi vete edhe rrezikun dhe përgjegjësinë për rezultatin dhe disfatën eventuale. (Koha Javore)