Gjeloshaj: Ai që është shqiptar nuk feston e kujton 13 korrikun e vitit 1878

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në një postim të tij në facebook u shprehë se shqiptarët nuk e festojnë 13 korrikun e vitit 1878.

Ju kujtojmë se sot në Mal të Zi festohet Dita e shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut e vitit 1878, kur në Kongresin e Berlinit është njohur Mali i Zi si shtet i pavarur.
Vendimet e Kongresit njohën pavarësinë e Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe autonominë për Bullgarinë, por u refuzua çdo kërkesë e Shqipërisë e cila ishte dhe mbeti e dëmtuar në Perandorinë Osmane.

“Kongresi i Berlinit nuk duhet të festohet nga shqiptarët. Si popull i civilizuar që jemi, jemi legalist dhe kemi pranuar vendimet e Kongresit, mirëpo, ai që është shqiptar nuk feston e kujton 13 korrikun e vitit 1878”, ka shkruar Gjeloshaj.

Gjeloshaj megjithatë i ka uruar ata të cilët kanë për çka të festojnë.

“Popujve që kanë çka të festojnë, urime!” shkruan ai.

Lexo më tej postimin e Gjeloshajt:

Populli shqiptar doli më i dëmtuari nga Traktati i Berlinit nga se nuk u njohën kërkesat e shqiptarëve për autonomi nën protektoratin Osman si dhe nuk u mbrojtën trojet etnike shqiptare nga copëtimi që u bë në dobi të vendeve sllave.
Shqiptarët edhe më tej mbetën në zotërimin e Perandorisë Osmane. Nga historiografët kemi një qëndrim kritik ndaj Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha.

Megjithatë, Fuqitë e mëdha të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush.

Abdyl Frashëri kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”. /MALESIA.ORG/