Shqiptarë, bashkohuni në një listë zgjedhore, dëshmoje ekzistencën tënde në Malin e Zi!

Shqiptar, dëshmoje ekzistencën tënde, dëshmo se je me flamurin kuq e zi, dëshmo se e do gjuhën shqipe dhe të drejtat tua të përfaqësimit nga shqiptari, fuqizoje veten, me votën tënde, për Ty shqiptar!

Partitë shqiptare në Malin e Zi, e kanë kohën, nëse nuk është vonë, të ndalen e shikojnë veten në pasqyrë. E para, të vërejnë a janë ata që nënshkruhen me emër e mbiemër, e dyta a janë ata që konsiderojnë familjet e tyre që janë, e treta se aspekti i përkatësisë personale a është vërtetë e njëjtë me fytyrën e politikanit shqiptar në Malin e Zi.

Pasqyra duhet të dëshmojë se ai që sheh veten aty, është politikani shqiptar, i familjes shqiptare dhe përfaqëson popullin shqiptar, në shtetin për të cilin jep kontribut çdo ditë, me punë, me taksa me orientim demokratik, për barazi dhe ndërtim të mirëqenies së vet, të familjes dhe popullit që i takon, në shtetin ku jeton.

Shqiptarët në Malin e Zi, nuk janë qiraxhinj, as ishin as kanë për të qenë. Jetojnë aty me shekuj, prej se mban mend historia, kronika dhe kanonikët e librat kishtar, librat e Vatikanit mbi praninë e shqiptarëve me fe katolike dhe organizimet e Kishës katolike, defterët turq e deri në librat be parë të amzës nga krijimi i Malit të Zi. Por, për fat të keq, duke u tkurrur, nga shpërngulja dhe kërkimi i jetës më të mirë, emigrim, shpopullim, shkombëtarizim. Përcaktor të zymtë, përcaktor të padëshirueshëm për çdo komb.

Mali i Zi, ka potenciale të shumta të fuqizimit të demokracisë, partitë politike shqiptare duhet të bashkohen, për të prodhuar më shumë unitet, më shumë besim, më shumë vota, më shumë fuqi politike për partitë shqiptare. Por, nuk duhet harruar se as bashkimi i të gjitha partive, mund të sjellin mrekulli, por, gjithsesi, do të sjellin dimension të ri, forcë të re, shpresë dhe klimë të re ndër shqiptarët.

Të ndarë e shpërndarë, shqiptarët në Mal të Zi, mund të marrin sërish dy deputetë, madje as ato dy vende nuk i kanë të sigurt. Prandaj, bashkimi i shqiptarëve, do të sillte më shumë vota sepse dalja do të ishte më e madhe, motivimi i pajtimit ndërpartiak për një listë, do të nxiste motivet familjare e kombëtare te secila familje, madje edhe në zonat ku nuk ka vota sipas numrit që realisht jetojnë shqiptarët.

Ky model i bashkimit të partive shqiptare në një listë, ka prodhuar rezultate në Luginën e Preshevës, duke arritur rreth 30 mijë vota, tre deputetë, duke prezantuar një grup solid në Parlamentin e Serbisë. Bashkimi i shqiptarëve në një listë zgjedhore, dëshmoi rezultat si asnjë herë më parë.

Ky model i bashkimit, ka prodhuar 33 deputetë në Maqedoninë e Veriut, si kurrë më parë, duke arritur 200.000 vota. Nëse uniteti do të ishte i plotë, ky numër mund të ishte edhe më i madh, andaj, çelësi i suksesit politik të shqiptarëve, është dhe mbetet vetëm bashkimi.

Shqiptarët do të bashkoheshin me diasporën e vet të fuqishme e cila nuk vuan nga regjionalizmi e lokalizmi, ku anët e ndryshme të shqiptarëve nga Mali i Zi, nuk e arrijnë bashkimin dhe ta kenë vetëm një listë zgjedhore. Prandaj, bashkimi i partive shqiptare në një listë zgjedhore, do ta bashkonte edhe më shumë diasporën. Diaspora shqiptare nga Mali i Zi, ka edhe energji, edhe vullnet për ta përkrahur këtë unitet, sepse, shqiptarët brenda një liste, do të sillnin cilësi të paparë në jetën e shqiptarëve në Malin e Zi.

Shqiptarët në Malin e Zi, nuk kanë nevojë të imitojnë as boshnjakët, as serbët e as kroatët, sepse, ata janë të pa përfaqësuar sa duhet, janë me sfida të cilat i tejkalojnë ndasitë e tyre, sepse janë numër i konsiderueshëm, kur dihet se numrat e deklarimit me çelësin nacional, shqiptarët nuk janë prezantuar objektivisht. Dëshmi është e folura e gjuhës shqipe që përbën numrin e më shumë folësve se sa të qytetarëve të deklaruar si shqiptarë.

Ulqini, Tuzi, Plava, Podgorica, Tivari, Rozhaja…po të bashkohen shqiptarët në një listë, atëherë, edhe shqiptarët të cilët jetojnë në qytetet tjera më të vogla, do të motivoheshin të bëhen pjesë e trupit elektoral me çelësin nacional, sepse, më mirë se shqiptari, askush nuk i prezanton çështjet e shqiptarëve.

Është koha për bashkim. Është koha që egot t’i nënshtrohen interesit nacional, të gjithë në një listë. Do përshëndetur ftesën e Kryetarit shembullor të Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj,Kryetarit të LDSH,z.Nikollë Camaj,Kryetarit të Forca e re Demokratike,z.Nazif Cungu,Kryetarit të Shoqatës Atdhetare, Malësia e Bashkuar, z. Ruzhdi Gjokaj nga Amerika,kokat e politikës shqiptare në Shba,z.Mark Gjonaj e z.Martin Vulaj,dhe thirja e 12 shoqatave atdhetare të cilët tashmë kanë bërë apel për bashkim të forcave shqiptare politike në një listë përfaqësuese.

Koha për bashkim, është konfrontim me meskinitetin dhe egoizmin e lokalistëve të cilët, duhet të pajtohen se vetëm të bashkuar, shqiptarët do të fitojnë më 30 gusht. Ashtu siç fituan shqiptarët në Tuz, në Luginën e Preshevës dhe zgjedhjet nacionale në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët mund të fitojnë 5 e më shumë deputetë, prandaj, koha po punon për bashkim, për shqiptarët.

Shqiptar, dëshmoje ekzistencën tënde, dëshmo se je me flamurin kuq e zi, dëshmo se e do gjuhën shqipe dhe të drejtat tua të përfaqësimit nga shqiptari, fuqizoje veten, me votën tënde, për Ty shqiptar!

Gjyla Halili