Pinjolli i familjes Jashari, Bekim Jashari përshëndet bashkimin e shqiptarëve në Malin e Zi: Bashkë për kombin!

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pjesëtar i familjes historike Jashari, ka përshëndetur unitetin e partive shqiptare në një listë, edhe pse ajo nuk është gjithëpërfshirëse.

Bekim Hamëz Jashari, pas unitetit të deklaruar nga shumica e subjekteve politike shqiptare, ka cekur si vijon: Uroj që shembuj të bashkimit e unifikimit politik në praktikë të shohim në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës e kudo tjetër ku jetojnë e veprojnë shqiptarët.

Ja postimi i plotë i z. Jashari:

Mirëpres bashkimin e një pjese të spektrit politik shqiptar në Mal të Zi, për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, ani pse ky bashkim do të duhej të bëhej në një listë të vetme shqiptare, për të faktorizuar shqiptarët në shtetin tonë fqinjë.
Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e pluralizmit politik në shoqëri demokratike përmes ekzistimit të disa partive politike shqiptare në një shtet të vogël siç është Mali i Zi, por marrë parasysh që ne shqiptarët kemi dhe do të duhej të kishim qëllime, vizione e ideale të përbashkëta, organizimi i bashkëkombësve tanë në disa parti politike, në këtë kohë është i panevojshëm dhe dëmton aspiratat tona shekullore.
Si komb i veçantë e autokton, liridashës e demokratik, me një humanitet e solidaritet mekanik, rini të përgatitur e konkurrente në botë, kombi ynë duhet të jetë i bashkuar dhe për çështje të interesit tonë kombëtar duhet të lëmë anash mospajtimet individuale e grupore dhe të bashkohemi në një kauzë të përbashkët për të qenë faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan, Evropë e Botë.
Uroj që shembuj të bashkimit e unifikimit politik në praktikë të shohim në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës e kudo tjetër ku jetojnë e veprojnë shqiptarët.
Bashkë për kombin tonë!