Ndahet nga jeta patrioti dhe veprimtari i çështjes kombëtare Lekë Gojçaj

Ka ndërruar jetë në SHBA, në moshën 81 vjeçarem patrioti dhe humanisti i shquar Lekë Gojçaj.

Ai mbeti gjithë jetën i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare sidomos për kauzën e pavarësisë së Kosovës.

Mirëpriti me bujari shumë personalitete të politikës dhe kulturës nga atdheu, por krijoi veçanërisht miqësi me Presidentin Ibrahim Rugova. Udhëheqësi i Kosovës qendroi shepsh në shtëpinë e tyre. Në varrimin e Presidentit, në janar 2005, arkivoli me trupin e tij ishte porositur dhe paguar nga vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj. “Lekë Gojçaj mishëronte të gjitha tiparet e shqiptarit”, tha për të miku i tij Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria, në New York. “Ishte bujar e mikpritës, humanist por edhe i palëkundur për traditat e zakonet tona. Ishte i përkushtuar pas familjes, besimtar i devotshëm, por që mbante atdheun mbi gjithshka. Ikja e tij ishte një humbje për komunitetin por Leka do të mbahet mend se la pas statujat e Nënë Terezës”, tha Bajrami.

“Lekë Gojçaj ishte një ndër veprimtarët më aktiv të komunitetit tonë”, shkruan veprimtari i njohur Harry Bajraktari.

“Më ka hidhëruar lajmi i vdekjes së Lekë Gojçajt. Për 40 vjet me radhë, bashkë me vëllain Pashko Gojçaj kanë qenë nga veprimtarët më aktivë në komunitetin tonë. Kontributi i tyre për çështjen kombëtare ka qenë fenomenal.
Më së shumti kanë punuar që Nënë Tereza të njihet dhe kujtohet për kombësinë e saj shqiptare. Në sajë të punës së tyre, statujat e shenjtores shqiptare ndodhen sot në Tuz, në Prishtinë, e në shumë qendra të tjera shqiptare. Po ashtu edhe pranë kishave shqiptare në Hartsdale, New York dhe Michigan.
Vëllezërit Gojçaj dhuruan 100,000 dollarë për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, mirëpo ata kanë dhuruar jo vetëm për kisha, po edhe për xhami e për teqe”, në mes tjerash shprehët Bajraktari.

Nga e majta, Rrustem Geci, Harry Bajraktari, Lekë Gojçaj dhe Gjenerali Wesley Clark.
Nga e majta, Rrustem Geci, Harry Bajraktari, Lekë Gojçaj dhe Gjenerali Wesley Clark.

Thaçi: Më pikëlloi vdekja e veprimtarit Lekë Gojçaj

Vdekja e veprimtarit Gojçaj e ka pikëlluar presidentin, për çka ka thënë se ai ishte bujar dhe i pandalshëm në punë dhe njeri me shpirt të madh.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Gojçaj dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

“Më pikëlloi lajmi për vdekjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare në SHBA, Lekë Gojçaj. Ai ishte bujar, i pandalshëm në punë dhe një njeri me shpirt të madh. Ngushëllime familjes Gojçaj, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe gjithë të afërmve të tij”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij ‘facebook’. /MALESIA.ORG/

Lekë Gojçaj, në manifestimin e shqiptarëve në Rambuje, Francë, shkurt 1999.
Lekë Gojçaj, në manifestimin e shqiptarëve në Rambuje, Francë, shkurt 1999.