Kryetari i LDSH-së Nikollë Camaj, njëherësh dhe kandidati për deputet në listën “Koha është tani” (ASH-Forca-LDSH-Unoini për Tuz-Perspektiva), është shprehur se ata do të jenë pjesë e Qeverisë vetëm nëse është në interesin e shqiptarëve, por që ende nuk ka ndonjë ftesë për marrëveshje nga ana e opozitës që i fitoi zgjedhjet.
Ai tha se partia e tij por as koalicioni ende nuk kanë marrë një qëndrim rreth pjesëmarrjes në qeveri me 3 listat opozitare të cilat kanë fituar zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, me çka pas 30 vitesh do të largojnë DPS-në e Milo Djukanovic nga pushtetit.
“As partia, as koalicioni akoma nuk ka marrë qendrim të prerë, për pjesëmarrje, apo jo, në qeverinë e ardhshme, e cila ka gjasa te formohet nga tri listat fituese të këtyre zgjedhjeve”, tha Camaj për Malesia.org.
Situata është pak ndryshe nga ajo që pritej.
“Sidoqoftë, në zgjedhje dilet për të fituar dhe për të marr përgjegjësinë, përmes pjesëmarrjes në qeveri. Situata është pak ndryshe nga ç’pritej, dhe unë mendoj se nuk guxojmë të lidhim fatin tonë politik me askë, përpos me popullin që na ka zgjedhur. Nësë ishim të gatshëm për participim në një qeveri, pse jo në këtë, por asesi për të qenë dekor për mburrje të tyre, por për të zgjedhur çështjet që ua kemi premtuar zgjedhësve”, shprehet Camaj.
Ata shpresonin se shqiptarët do të jenë vendimtarë për formimin e shumicës, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Më në fund, ne dolëm me moton për të qenë vendimtarë në qeveri, gjë që nuk ndodhi, prandaj do të jemi pjesë e sajë vetëm nëse është interesi i shqiptarëve. Po ashtu duhet veçuar se ftesë konkrete nuk ka, e madje as rezultatet nuk janë shpallur zyrtarisht”, përfundon Camaj.
Komisioni shtetërorë i zgjedhjeve ka njoftuar se rezultatet përfundimtare do të zyrtarizohen më së largut deri të hënën.
MALESIA.ORG