Pakicat kombëtare duhet të jenë pjesë e qeverisë

Fitorja e opozitës në zgjedhjet parlamentare  në Mal të Zi të cilat u mbajtën me  30 gusht  2020 definitivisht  ndërpreu  pushtetin e tre dekadave  të Partisë Demokratike të Socialisteve(DPS) të M.Gjukanoviqit, duke bërë rrotacionin politik të pushtetit në mënyrë demokratike që paraqet ngjarje politike te rëndit të parë për regjionin, sepse deri më tash ky ishte i vetmi pushtet i pa ndryshuar  edhe në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist  Europën Juglindore.

Nail  Draga

Ndonëse zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, janë mbajtur në kohën e virusit Corona-19 dhe në një fushatë zgjedhore të veçantë, qytetarët të cilët morën pjesë në votime, vendosën për rrotacionin e pushtetit jo më dhunë, apo demonstrime në rrugë por me laps, sikurse ndodhë në vendet demokratike, duke i dhënë besimin opozitës e cila fitoj 41 mandate që janë të mjaftueshëm për formuar pushtetin ekzekutiv.

Në sajë të rezultatëve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve   subjektët politike kanë arritur këto rezultate: Partia Demokratike e Socialistëve 35.10%(143.548 vota), 30 deputet, Koalicioni “Për të ardhmën e Malit të Zi” 32.55%(133.267 vota), 27 deputet, Koalicioni “Paqja është kombi ynë” 12.53%(51.297 vota), 10 deputet, Koalicioni “E bardha në të zezë”, 5.53%(22.649 vota), 4 deputet, Socialdemokratët 4.10%(16.769 vota),3 deputet, Partia Boshnjake 3.98%(16.286 vota), 3 deputet, PSD”Mali i Zi i fuqishëm”, 3.14%(12.839 vota), 2 deputet, Lista shqiptare”Genci Nimanbegu-Nikë Gjeloshaj”, 1.59%(6.488 vota), 1 deputet, Koalicioni shqiptar”Së bashku një za”, 1.14%(4.675 vota) 1 mandat deputeti.

Ndërsa pragun elektoral nuk e kanë kaluar dy subjekte politike që përfaqësojnë pjesëtarët e popullt kroat: HGI 0.27%(1.106 vota) dhe HRS 0.13%(527 vota).

KSHZ-ja ka njoftuar se në Mal të Zi kanë votuar 413.952 qytetarë, ku fletëvotime të vlefshme kanë qenë 409.451, ndërsa të drejtë vote kanë pasur 540.026 qytetarë. Pjesëmarrja në votime ishte 76.65% e votuesve të regjistruar, që ishte më e madhe së në vitin 2016(72.6%).Cekim së Kuvendi i Malit të Zi ka 81 mandate të deputetëve, ndërsa kanë garuar 6 koalicione dhe 5 parti politike.

Fitore e opozitës

Në sajë të rezultatëve të para tre subjekte politike nga opozita Koalicioni  “Për të ardhmën e Malit të Zi”,Koalicioni “Paqja është kombi ynë”  Koalicioni “E bardha në të zezë”, gjithsej kanë siguruar 41 mandate të deputetëve, që janë të mjaftueshëm për të formuar qeverinë e ardhshme. Ishte kjo fitore e opozitës, duke qenë befasi për opinionin e gjerë, duke e sfiduar partinë e DPS-it të M.Gjukanoviqit. Madje ky ishte rezultati më i dobët i tyre në tridhjet vite të pushtetit, duke kaluar në opozitë. Iu mbetet të gjitha partive politike të analizojnë rezultatët e tyre dhe të nxjerrin mësime, për dështimet dhe objektivat e tyre e kjo ka të bëjë në veçanti për ata që ishin pjesë e pushtetit të deritashëm.

Lëvizja qytetare “URA” befasia e zgjedhjeve

Në sajë rezultatëve del së befasia e tyre zgjedhjeve është Lëvizja qytetare”URA” e cila ishte në kuadër të koalicionit”E zeza në të bardhë”, ku me 4 mandate të deputetëve, do të jetë çelsi i qeverisë së re. Eshtë pikërisht udhëheqësi i këtij koalicioni ulqinaku Dritan Abazoviqi i cili do të jetë vendimtarë për qeverinë e re.

Pikërisht duke marrë seriozitetin e momentit, udhëheqësit e tyre subjektëve opozitare(Z.Krivokapiq, D.Abazoviq dhe A.Beçiq) të hënën me 31 gusht  kanë arritur pelqimin për formimin e qeverisë së përbashkët. Madje në këtë aspekt ata kanë miratuar katër parimet e përbashkëta mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme.

Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare.

Së dyti, që qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re, demokratike do të jetë nga ekspert, te përbërë nga personel që janë ekspertë në fusha specifike, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë.

Kohabitacioni politik

Në sajë të situatës së krijuar, kësaj here në Mal të Zi do të kemi kohabitacionin politik, dukuri e panjohur deri më tash në pluralizëm në këtë mjedis. Pra, do të kemi një bashkëqeverisje ku presidenti i shtetit I takon një partie tjetër politike, ndërsa ekzekutivi, përkatësisht  qeveria një partie apo koalicioni tjetër politik. Se si do të jenë raportët e tilla është herët të flitet, por shumë çka do të jetë e qartë në muajt në vazhdim.

Në pluralizëm duhet të mësohemi me dukuri të tilla politike, për të kuptuar dekompozimet politike por edhe raportët pozitë-opozitë, sepse pushteti është i ndryshueshëm, ndërsa shteti është i përhershëm. Sa më parë të kuptohet ky binom, ndryshimet në skenën politike do të përceptohen dhe pranohën më lehtë, si kudo në shoqëritë  me përvojë demokratike.

Shqiptarët fituan dy mandate

Në këto zgjedhje ndonëse janë bërë përpjekje qe shqiptarët të marrin pjesë me një list zgjedhore, një ide e tillë nuk u realizu. Edhe pse në këtë drejtim janë përpjekur si nga Shqipëria, Kosova e diaspora, shqiptarët dolën në dy lista zgjedhore, duke fituar dy mandate të deputetëve. Nëse  krahasojmë me vitin 2016, ku shqiptarët ishin të përfaqësuar në parlament me një deputet, kësaj here do jenë më dy, duke dëshmuar së pjesëmarrja në zgjedhje me dy lista zgjedhore nuk ishte humbje por një fitore e merituar. Madje 11163 vota të fituara së bashku  dëshmon angazhimin e elektoratit votues shqiptar për të pasur përfaqësimin autentik në Kuvendin e Malit  të Zi. Nëse e krahasojmë më katër vite më parë(2016) kur gjithsej subjektet shqiptare  ndonëse ishin ne tre lista zgjedhore gjithsej  kanë pasur   9790 vota, kësaj here ishte një rritje për  12.3 %.

Ndonëse dëshirat kanë qenë që ky numër votash të jetë edhe më i lartë, duke ditur rrethanat politike në vendbanimet shqiptare nga Ulqini e deri në Rozhajë, nuk ka pasur mundësi për ndonjë rezultat tjetër, por duhet të pajtohemi se ky ishte maksimumi i mundshëm për momentin.

Me këtë rast  duhet cekur se pengesë ishte ligji zgjedhor  që është diskriminues për shqiptarët, e po ashtu edhe  subjektët politike të ashtuquajtura qytetare sidomos DPS-i që  kanë depertuar në elektoratin votues shqiptar përmes premtimeve dhe mashtrimeve të ndryshme për të siguruar vota  duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë subjektet politike të shqiptarëve, ku rasti i Ulqinit meriton një analizë  të veçantë.

Pakicat kombëtare  duhet të jenë pjesë e qeverisë

Duke u nisur nga parimet demokratike, subjektët politike të popujve pakicë duhet të jenë pjesë e qeverisë. Pasi në përbërjen e kaluar ishin pjesë e qeverisë  ata duhet ta vlerësojnë pa paragjykime ofertën për pjesëmarrje në qeverinë e re. Pakicat kudo duhet të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv, sepse ata kanë mundësi të prezantojnë çështjet e ndryshme shoqërore, ekonomike e zhvillimore për pjesëtarët e popujve të tyre. Pikërisht   duke marrë parasysh së tash kemi një realitet të ri të pushtetit, çdo refuzim në këtë drejtim do të ishte kundër interesave të popujve pakicë(boshnjakë, shqiptar e kroat).

Kompromisi  për marrëveshje qeveritare

Andaj, në këtë aspekt duhet biseduar me mandatarin e qeverisë së ardhshme për çështjet të cilat janë të përbashkëta, ndërsa nëse ekzistojnë çështje kontestuese duhet përpjekur për të gjetur kompromisin e mundshëm. Mbetja jashtë institucioneve qeveritare, për hir të disa deklaratave politike nuk është në favor të shqiptarëve, sepse periudha tridhjetëvjeçare, dëshmon se viset shqiptare janë më të pazhvilluarat, ndërsa resurset ekonomike e ato natyrore janë plaçkitur nga matrapazat e oligarkët e ndryshëm  të lidhur me struktura  të pushtetit, që ka ndikuar në papunësi e më këtë në emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme për të mbijetuar.

E dhëna së Ulqini është qyteti më i pazhvilluar në bregdet, të punësuarit kanë pagat më të ulta në Mal të Zi, ndonëse ka resurse dhe potencial më tepër së asnjë qytet në vend, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë, andaj duhet gjetur forma për të ndryshuar këtë gjendje depresive në të mirën e përgjithshme shoqërore, sepse shqiptarët nuk duhet të mbesin peng i personave apo politikave të ndryshme.