Mediat dhe shoqëria civile të bashkohen në luftë kundër korrupsionit

Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me gazetën “Koha javore” organizuan gjatë fundjavës në Ulqin, trajnimin “Qeverisja e mirë dhe antikorrupsioni”, në të cilin morën pjesë përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka treguar se synimi i projektit është krijimi i një platforme “ku shoqëria civile dhe mediat të punojnë për një qëllim – në thellimin e mendimit kritik, në hulumtim, në gazetari hulumtuese, në luftimin e korrupsionit dhe në promovimin e qeverisjes së mirë”.
Sipas tij, një tjetër qëllim i projektit është edhe edukimi i publikut për çështjet e korrupsionit dhe reformës së administratës publike. “Media dhe shoqëria civile janë ato që do ta hulumtojnë dhe do ta pasqyrojnë te publiku se si duhet të jetë një administratë publike moderne, e orientuar drejt qytetarit”, ka thënë Veliqi në hapje të trajnimit dyditor, të mbajtur në Pallatin “Venezia”. Ai ka thënë se, ndonëse është një sfidë e vështirë, do të synojnë të krijojnë një rrjet dhe një grup, që do të realizojë monitorime dhe të shkruajë artikuj hulumtues, që më pas do të botohen në gazetën “Koha javore”.

Redaktori i gazetës “Koha javore”, Ali Salaj, ka thënë se projekti bazohet në luftën kundër korrupsionit përmes nxitjes së mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi për të hetuar, raportuar dhe edukuar publikun për çështjet e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.
“Përmes programit të veçantë trajnues do të fuqizohen kapacitetet e mediave në gjuhën shqipe dhe teknikat e hulumtimit në luftën kundër korrupsionit si dhe avancimi i gazetarisë së pavarur”, ka thënë ai.
Salaj ka potencuar rolin e gazetarisë hulumtuese si një prej instrumenteve që më së shumti i mbron të drejtat e njeriut. “Kur të kemi parasysh faktin se mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë në një pozitë të palakmueshme, të nëpërkëmbura edhe për shkak të pasivitetit të vetë gazetarëve, atëherë puna e guximshme individuale dhe puna si pjesë e një ekipi për grumbullimin e informatave mund ta avancojë gazetarinë në mediat shqipe në Mal të Zi dhe ta shndërrojë informimin në një gazetari të angazhuar”, ka thënë ai.

Ligjërues të trajnimit ishin Jeta Xharra, udhëheqëse e BIRN Kosova dhe moderatore e emisionin “Jeta në Kosovë”, dhe Faik Ispahiu, udhëheqës i Internews Kosova dhe themelues i KALLXO.com. Përmes përvojës së tyre, ata kanë treguar se si kanë arritur që nga një iniciativë e dy personave, që ka filluar në vitin 2005, me emisionin “Jeta në Kosovë”, të rriten shumë shpejt duke krijuar një rrjet të gjerë të hulumtuesve dhe bashkëpunëtorëve në të dyja organizatat, me rreth 70-80 persona.
“Ajo që duam të tregojmë është se është e mundur të fillohet me diçka të vogël dhe më pas të rritet me punën ekipore. Çfarë unë pres prej këtij trajnimi janë kolegët e rinj, bashkëluftëtarë të rinj kundër korrupsionit”, ka thënë Xharra. Ajo ka thënë se mediat dhe shoqëria civile duhet të bashkohen dhe të organizohen në luftë kundër korrupsionit njëjtë siç është i organizuar krimi.
Ndërsa Ispahiu ka treguar, ndër të tjera, se pas emisioneve të para “kemi mbërritur në një pikë kur është dashur t’i bashkojmë të gjithë dhe kemi krijuar Kallxo.com”. Ai po ashtu ka thënë se kjo platformë që simbolizon raportimin dhe luftën kundër korrupsionit në Kosovë, sot ndodhet në çdo faqe të komunave të Kosovës.
“Kisha pasur dëshirë që në fund të trajnimit të dalim me një grup të gazetarëve hulumtues”, ka thënë Ispahiu. Dy ligjëruesit kanë folur gjatë trajnimit për bazat e gazetarisë hulumtuese, gazetarinë e angazhuar, monitorimin si mjet për ndryshime në shoqëri, modelin e luftimit të korrupsionit përmes mediave sociale dhe krijimit të ekipeve të gazetarëve hulumtues, funksionin e zyrës ligjore në luftimin e korrupsionit, procesin e hulumtimit, verifikimin e fakteve, krijimin e koalicionit me media dhe OJQ-të e tjera për të arritur qëllimin e luftimit të korrupsionit etj.
Ata po ashtu i kanë këshilluar pjesëmarrësit në ndërtimin e ideve për projekte që mund të jenë të aplikueshme për luftimin e korrupsionit dhe avokim të shoqërisë civile në situatën e Malit të Zi.
Trajnimi është aktiviteti i parë në kuadër të projektit “Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i pjesëmarrjes qytetare”, i cili realizohet nga OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me gazetën “Koha Javore”, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-së – Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, në kuadër të Programit të shoqërisë civile për drejtësi penale. i.Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, në kuadër të Programit të shoqërisë civile për drejtësi penale. /Koha Javore/