Shqipëria mposht Bjellorusinë, ngjitet në Ligën B

Shqipëria ka fituar ‘finale e vogël’ ndaj Bjellorusisë me rezultat 3-2, duke e mbyllur këtë edicion të Ligës së Kombeve në vendin e parë në grupin 4 të Ligës C.

Kjo fitore e ngjet Shqipërinë në Ligën B, ku përfitimet janë më të mëdha, por edhe kundërshtarët edhe më të fortë.

Nga ky edicion i Ligës së Kombeve kuqezinjtë kanë përfituar 1.1 milion euro.

Për t’iu kthyer ndeshjes, Shqipëria e nisi furishëm, duke krijuar disa raste para portës bjelloruse.

Goli i parë erdhi në minutën e 19-të kur një harkim i Hysen Memollës gjeti Sokol Cikalleshin i cili godet bukur me kokë dhe shënon për 1-0.

Por nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë. Rey Manaj u pengua në zonë nga portieri, ndërsa gjyqtari akordoi penallti.

Nga pika e bardhë doli të jetë i saktë Sokol Cikalleshi për 2-0, duke shënuar edhe golin e dytë personal.

Bjellorusët ngushtuan rezultatin në minutën e 35-të me Maksim Skavysh.

Por Shqipëria nuk u dorëzua dhe shënoi edhe golin e tretë me Rey Manajn, pak pa u mbyllur pjesa e parë.

Sulmuesi u gjend bukur në zonë dhe me një gjuajtje të fuqishme shënoi për 3-1.Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë kishte më pak spektakël.

Shqipëria tentonte të shënonte golin e katërt, ndërsa Bjellorusia të kthehej në lojë.

Max Ebong e hapi ndeshjen në minutën e 80-të të ndeshjes, pas një aksioni të bukur (3-2).

Deri më fund nuk kishte më gola dhe Shqipëria me këtë fitore siguroi pozitën e parë me 11 pikë, një më shumë se Bjellorusia.