Në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova sot ishte shënuar me fusnotë.
Yllin pranë emrit (Kosova*) e vendosin disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Shumë shpejt pati reagime, sidomos nga opinioni në Kosovë, ndërkaq Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi doli me një komunikatë duke sqaruar se shënimi i Kosovës me fusnotë ka qenë “gabim teknik”.
Ndërkaq deputeti Genci Nimanbegu tha se nuk beson se kjo ishte gabim.
‘’Sot Ministrja re e Shendetit Boroviniq-Bojoviq ka vendosur yll pas emrit te Kosoves në masat e para antiCovid. Pas lajmërimit të kësaj nga mediat arsyetohen me “gabim”. Pse gabimin nuk e bënë të ndonjë shtet tjetër nga lista!‘‘, ka shkruar Nimanbegu.
Edhe sipas kryetarit të LDSH-së Nikollë Camaj kjo nuk ishte një gabim teknik.
“Ishte kjo një shkelje flagrante e marrëveshjes, nga fillimi i bisedimeve të koalicionit qeverisës. Shumë shpejt erdhi ndreqja e “gabimit teknik”. Se s’ishte gabim, këtë e dimë të gjithë, por pranimi i gabimit erdhi si një njohje e tretë e Kosovës, nga ana e Malit të Zi”, në mes tjerash ka shkruar Camaj.
/MALESIA.ORG/