Ndalohen organizimet festive për natën e Vitit të Ri, lejohen bashkimet fetare

Ministria e Shëndetësisë në Mal të Zi, të martën miratoi masa të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Këto masa përshijnë ndalimin e organizimit të natës së Vitit të Ri në ambient të hapur dhe të mbyllur.

Ndalimi i daljes nga ora 10 deri në 5 të mëngjesit do të jetë ende në fuqi, përveç gjatë festave fetare ku qytetarët nuk janë të obliguar të respektojnë këto masa (natën midis 24 dhe 25 dhjetorit 2020, natën midis 5 dhe 6 janarit, si dhe natën midis 6 dhe 7 janar 2021). Ndërkaq gjatë festave fetare do të lejohen edhe ceremonitë fetare.

Masat e reja do të vlejnë deri më 11 janar të vitit të ardhshëm.

Këto masa të qeverisë kanë shkaktuar edhe reagime duke vënë në pyetje nëse këto masa janë të ndikuara nga Kisha Ortodokse Serbe.

Në faqen e Radio Evropa e Lire në një shkrim rreth masave të reja në Mal të Zi, theksohet se gjatë ceremonialeve fetare është kontribuar në përhapjen e korona-virusit.

Sociologu Andrija Djukanovic, për gazetën Vijesti shprehët se nuk beson se gjatë ceremonive fetare do të respektohen masat parandaluese.

“Kjo do të tregojë se qeveria e re, ashtu si ajo e mëparshme, ka standarde të dyfishta dhe toleron atë që është në favor të saj. Duhet të them se tubimet fetare deri më tani kanë kontribuar shumë në përhapjen e infeksionit me koronavirus. Masat e mbrojtjes kanë kohë që kanë humbur kuptimin e tyre, sepse dikush mund të bëjë gjithçka dhe dikush nuk mund të bëjë asgjë. Ndikimi i fesë është i madh dhe duket se ajo ka filluar të ndikojë ndjeshëm në vendimmarrjen në vend,”, tha Djukanovic.

Qeveria e kaluar, ajo e drejtuar nga DPS-ja e Milo Djukanovic kishte kundërshtuar tubimet e Kishës Serbe, me pretekst se rrezikon në përhapjen e korona-virusit, por që kishte standard të dyfishtë kur ishte fjala për tubime në favor të tyre, siç ishte tubimi i organizatave patriotike malazeze.

/MALESIA.ORG/