Vaksinat janë të sigurta, fundi i pandemisë ka filluar

Dr. Pashko Camaj, Drejtor i Lartë i Shëndetit Publik dhe Sigurisë në Shërbimin e Transportit Hekurudhor të Shtetit të New Yorkut, ligjërues në Kolegjet “Lehman College” e “William Paterson”, dhe Universitetin “Columbia University”, rrëfen ekskluzivisht për “DIELLI”-n e VATRËS, situatën e Covid-19 në USA, specifikat e vaksinave Moderna dhe Pfizer, mutacionin britanik të virusit dhe rrezikun për një endemi, Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi në betejën ndaj Covid-19 dhe përpjekjet për sigurimin e vaksinës. Me nënkryetarin e VATRËS Dr. Pashko Camaj bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA.

VAKSINAT ANTI-COVID, BOTA DREJTË SIGURISË DHE SHPRESËS
Vaksinat kundër virusit Covid-19 janë një arritje, një revolucion dhe një zbulim i madh shkencor. Është një arritje historike, në një kohë shumë të shpejtë u arrit zbulimi i një vaksine të tillë. Gjithçka u realizua në kohë të shpejtë për vetë kohën dhe pandeminë e rrënuese që nënshtroi botën. Gjetja dhe suksesi i këtyre dy vaksinave Moderna dhe Pfizer është një hap gjigand për shkencën pasi vaksinat kërkojnë një kohë shumë të gjatë deri në 10 vjet mund të marrë prodhimi i një vaksine të caktuar. Truri i shkenctarëve më të mirë në fushën e epidemiologjisë dhe shëndetit publik kanë bërë një punë të shkëlqyer duke i dhënë botës një qetësi dhe shpresë në kushtet e një kolapsi global. Këto dy vaksina kanë një specifikë të veçantë shkencore pasi nuk përdorin virus të dobësuar që injektohet në trupin e njeriut por përdoret një kod gjenetik që quhet mRNA i cili stimulon trupin tonë të prodhojë një proteinë që gjendet në lëvozhgën e virusit Corona me qëllim që trupi ynë të prodhojë antitrupa e të mbrohemi prej virusit vdekjeprurës. Bota sot është e sigurtë me këto dy vaksina. Deri në momentet që flasim janë injektuar 3 milion doza në grupet e riskut dhe të përparësisë së popullsisë në USA. Aktualisht janë në gjendje përdorimi 30 milionë doza vaksine që do injektohen shumë shpejt. Çdo person i vaksinuar do të thotë një mundësi më pak për transmetim virusi dhe një jetë e shpëtuar. Shpërndarja e vaksinave dhe ruajtja e tyre në kushtet optimale është një sfidë më vete për shtete dhe autoritetet e shëndetësisë pasi specifikat e ruajtjes janë shumë strikte dhe delikate. Vaksina e Modernës ëhstë më e thjeshtë në përdorim e shpërndarje duke ju referuar lehtësisë së temperaturës në ruajtje.
Përsa i përket efikasitetit dhe sigurisë vaksinat janë në kushte optimale sigurie 94-96% dhe përbëjnë një sukses të lartë shkencor.
MUTACIONI BRITANIK I VIRUSIT, A PËRBËN KËRCËNIM?
Mutacioni britanik i virusit Corona nuk përbën kërcënim global. Virusi gjithmonë pëson transmetim dhe kodifikim gjatë rrugës. Ky virus që ka pësuar një ndryshim në Angli dhe duket e bën më të lehtë të shpërndahet në popullatë por fuqia e agresivitetit duket se është më e dobët se një virus i zakonshëm dhe nuk e besoj që përbën problem të kthehet në një pandemi. Zakonisht në rastin më të keq këto viruse kthehen në endemi duke pas mundësi që të bëhet rajonal dhe ciklik (sikurse dhe influenza). Informacionet e fundit shkencore tregojnë se virusi që ka pësuar mutacion mund të përsëritet si viruset e rëndomta vit pas viti por që me vaksinimin situata do të qetësohet përfundimisht. Në rastin që flasim, virusi i kodifikuar në Britani do të eleminohet me anë të vaksinimit të porsa zbuluar. Virusi ka synim shpërndarjen në organizma të gjalla, qelizat e gjallë i japin jetë. Në momentet kur izolohet ai vdes.
EFEKTE ANËSORE? A DUHET TË KEMI FRIKË NGA VAKSINAT?
Vaksinat antivirus Moderna dhe Pfizer kanë provuar se kanë efekte anësore të papërfillshme, minimale. Duke qenë se efektet anësore dhe problemet që lë pas virusi janë tepër të rënda, nga vaksinat sduhet të kemi asnjë frikë. I vetmi problem që është shfaqur deri tani kanë qenë disa shqetësime alergjike te përdoruesit e vaksinës por këto janë shqetësime normale pasi natyra e njeriut është shpesh herë alergjike nga shumë produkte apo elementë të jetës së përditshme. Ju bëj thirrje të gjithëve që në momentin që vaksina të jetë e aksesueshme të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur pasi vetëm më anë të vaksinimit do të mund ta vëmë nën kontroll virusin vdekjeprurës. Efektet anësore janë minimale ndaj thirrja ime është vaksinim i shpejtë. Për çdo vaksinë që shteti jep të drejtën e përdorimit, ka agjenci shtetërore të shëndetit publik që monitoron ecurinë shëndetësore të personave që kanë marrë vaksinën. Efektet afatshkurtra të vaksinimit nuk përbjnë asnjë problem. Ndërsa për një periudhë të gjatë do të duhet të bëhen studime dhe të vëzhgohet nga agjencitë e shëndetit publik të cilat konform ligjit bëjnë monitorime afatgjata te këta persona. Është kategorike që në këto momente popullata të mos ndjekë konspiracionistët, por specialistët e fushës dhe mediat që të bëjnë një fushatë sensibilizuese dhe të ftojnë njerëzit të vaksinohen jo ti dezinformojnë apo të rrisin skepticizmin te njerëzit. Sot duhet të flasim për shkencë jo për konspiracion. Është një problem global dhe duhet të trajtohet me shumë kujdes qoftë nga media dhe specialistët e shëndetësisë e kryesisht të shëndetit publik e epidemiologjisë. Vaksina është e sigurtë. Unë do të vaksinohem sapo të më ofrohet vaksina. Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni.

SITUATA E COVID-19 NË USA

Situata e Covid-19 në USA është shqetësuese. Ka pasur një rritje konstante të numrave si të infektimeve dhe të vdekjeve por kemi një realitet të ri: numri i testimeve ka qenë i lartë. Nëse u referohemi këtyre testimeve supër të larta, numri i fataliteteve krahasuar me testimet në fillimet e pandemisë, situata është nën kontroll. Të gjitha kompanitë dhe institucionet po testojnë punonjësit e tyre edhe kur nuk kanë simptoma. Personalisht unë testohem 2 herë në javë. Duke qenë se shumica e të infektuarve janë pa simptoma, kompanitë dhe institucionet nëpermjet testimit të rëndomtë, kanë kapur pafundësisht punonjës të infektuar pa asnjë simptomë. Në këtë mënyrë kanë shpëtuar popullatën nga transmetimi i virusit. Në momentet që flasim virulenca dhe fuqia shkatërruese e vdekjeprurëse e virusit është dobësuar globalisht. Ka më shumë transmetim dhe infektime por fatalitetet krahasuar me shpërthimin e pandemisë nuk janë shumë të larta. Shtetet e Bashkuara kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me rritje kapacitetesh dhe kërkime shkencore për të përballuar këtë pandemi globale. Duhen përgëzuar autoritet për angazhimin dhe punën e shkëlqyer që kanë bërë. Reagimi i sistemit shëndetësor në fillim ishte i ngadaltë pasi u përballën me një virus dhe pandemi të padëgjuar më parë. Sot mund të flasim për një realitet krejt tjetër. Ka ndryshuar gjithçka që nga shpërthimi i pandemisë, rritja e kapaciteteve, reagimi i strukturave, studimet dhe kërkimet shkencore etj. Dua të trajtoj një problematikë fatale. Fillimisht rreth 80% e personave të intubuar kanë ndërruar jetë. Kjo tregoi se edhe sistemet nuk ishin gati dhe specialistët në shumë vende mungonin. Intubimi është një proces shumë shkencor dhe kërkon specialistë shumë të përgatitur. Bota u gjend totalisht e papërgatitur në fillim të pandemisë. Sot kemi një realitet tjetër. Menaxhimi më i mirë, vaksinimi, rritja e kapaciteteve, ngritja e strukturave mjeksore do të na bëjë që shtetet dhe shoqëritë të mundin përgjithmonë virusin vdekjeprurës Covid-19.

KUR DO TË SHPËTOJMË NGA VIRUSI?

Që në shpërthimet e pandemisë globale, në çdo dalje timen publike, në çdo intervistë në USA, Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri e kam shprehur dhe kam ngulmuar forcërisht se vetëm vaksinimi do jetë zgjidhja përfundimtare për të mundur virusin global. Maskat, distancimet, mbylljet në shtëpi, nuk e largojnë virusin, thjeshtë e shmangin për një çast, virusi do të jetë aty. Luftën do ta fitojmë vetëm me vaksinim. Kur të mbërrijmë shifrën 60-70 % të popullsisë globale të vaksinuar ose të shëruar nga virusi (imuniteti i tufës), atëherë do ketë filluar vdekja e virusit sepse nuk ka terren ku të shpërndahet dhe të jetë aktiv por do vijë duke u asfiksuar në vetvete. Në çdo vaksinim dhe në çdo shërim i shkëpusim virusit një qelizë ku ai jeton. Çdo vaksinim është një hap përpara drejtë zhdukjes së virusit. Në pranverë pritet të dalë edhe një vaksinë tjetër kundër Covidit dhe do jemi edhe më të fortë në këtë betejë. Kjo do të jëtë një virus i dobësuar, do të ndryshojë nga dy vaksinat Moderna e Pfizer por në fillim të pranverës do ketë filluar fuqishëm fundi i pandemisë. Unë gjykoj se në verë do jetë kthyer normaliteti në botë. Ne do ta mundim dhe do fitojmë kundër virusit global.

SHQIPËRIA, KOSOVA DHE MALI I ZI NË BETEJËN PËR VAKSINËN

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi në betejën për sigurimin e vaksinës po bëjnë përpjekje të mëdha dhe parashikohet se do të jetë një proces shumë i vështirë. Derisa të mbërrijë vaksina në shtetet tona, do të kalojmë në vështirësi të mëdha pasi numrat po rriten frikshëm dhe kapacitet në vendet tona janë drejtë fundit. Gjetja e vaksinës do jetë edhe më e vështirë pasi shtetet tona nuk janë pjesë e Eurozonës. Shtetet tona po luftojnë fort dhe për fat të keq aty ka shumë problematika të trashëguara nga e kaluara gjë që pandemia jo vetëm i nxori në pah por pothuajse kolapsoi sistemin shëndetësor. Qeveritë nuk kanë investuar në shëndetësi, mjekët më të mirë kanë ikur në perëndim, njerëzit nuk besojnë te shëndetësia dhe situata me pandeminë i ka çuar shtetet dhe shoqërinë në pikjatë. Sigurimi, ardhja dhe ruajtja e vaksinës kërkon kushte dhe shtetet tona do të gjenden në vështirësi ekstreme në procesin e vaksinimit. Mërgata dhe diaspora shqiptare duhet të bëjë shumë përpjekje dhe lobim në mënyrë që të sigurohen sa më shumë doza vaksine për popullsinë në shtetet tona. Edhe Vatra duhet të intensifikojë fuqishëm përpjekjet me miqtë e saj që të sigurojmë disa doza sidomos për shqiptarët në Mal të Zi, Preshevë e Bujanovc.

KONTRIBUTI SHKENCOR I DR. PASHKO CAMAJ

Dr. Pashko Camaj, është Drejtor i Lartë i Shëndetit Publik dhe Sigurisë në Shërbimin e Transportit Hekurudhor të Shtetit të New Yorkut, ligjërues në Kolegjet “Lehman College” e “William Paterson”, dhe Universitetin “Columbia University” në lëndët: Shëndet publik, Shëndet global dhe Epidemiologji. Dapartamenti i Shëndetit Publik dhe Sigurisë që drejton dr.Pashko Camaj së bashku me disa departamente të tjera në MTA merret me sigurinë e rreth 65 mijë punonjësve dhe rreth 8 milionë përdoruesve ditorë të trenave tokësorë e nëntokësorë në New York. Aktualisht është përpara një publikimi shkencor me impakt ndërkombëtar që ka të bëjë me ndikimin që jep në veshkën e njeriut dhe prodhimin e rruazave të gjakut kontakti i personave dhe ekspozimi me plumbin si element kimik metal, kërkim i zhvilluar në Minierën e Trepçës në Mitrovicë. Ky punim shkencor është bashkëpunim mes gjashtë profesorëve nga Universiteti i Columbias dhe mjekë nga Kosova. Dr. Pashko Camaj është kryeautor i studimit dhe punimit shkencor.